TIRANË, 25 Shtator/ATSH/- Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) përmes një shkrese drejtuar bankave të nivelit të dytë i rikujton atyre rreziqet që paraqiten në lidhje me çështjen e përdorimit të bilanceve të dyfishta në kuadër të kredidhënies, si dhe shkeljet ndaj të cilave janë të ekspozuar punonjësit e bankës apo edhe banka nëse nuk përmbushin detyrimet ligjore.
DPPPP shprehet përmes një njoftimi për shtyp, se kjo vëmendje ndaj tyre është sensibilizim i radhës, pasi në vijimësi me shkresë apo në website publikojmë tipologji dhe anomali, me të cilat hasen bankat në marrëdhëniet me klientët, të cilat duhet të analizohen me kujdes prej tyre dhe të vlerësojnë për raportim ose jo në DPPPP.
"Në këtë mënyrë, ndihmojmë ato që të parandalojnë shkeljet dhe të rrisin aftësitë e kontrollit të brendshëm të tyre", shkruan DPPPP-ja.
Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave në këtë shkresë e klasifikon veprën e falsifikimit dhe mashtrimit me bilancet si krim fiskal sipas ligjit për parandalimin e pastrimit të parave./a.gjonaj//m.m/











