TIRANË- I ashpër ka qenë reagimi i presidentit Ilir Meta, lidhur me draftin e propozuar nga PS-ja për hapjen e listave. Për kreun e shtetit, propozimi i socialistëve nuk është një hapje e listave në masën 100%.  Duke i quajtur me nota ironie "shakaxhinjtë e integrimit", Meta nuk i ka kursyer kritikat për Kuvendin, sipas së cilit "edhe një kooperative ka qenë dikur shumë më e përgjegjshme".

"Hapini listat për qytetarët që të zgjedhin pas 12 vjetësh më në fund deputetët. Hapini 100 për qind! Mjaft e degraduat Kuvendin kështu, se edhe një asamble kooperative ka qenë dikur shumë më e përgjegjshme. Shqipëria ka patur parlamentarizëm të shkëlqyer 100 vite më parë o shakaxhinjtë e "integrimit", shkruan Meta.

Ditën e djeshme socialistët bënë publike draftin për hapjen e listave. Fillimisht do të jetë një listë bazë kandidatësh e përpiluar nga partia, më pas do të bëhet rirenditja dhe në rast se një kandidat poshtë "vijës së kuqe" ka arritur të sigurojë më shumë vota atëherë ai do të ngrihet një numër më lart në renditje, duke spostuar më paraardhësin. Një grua nuk mund të zëvendësohet me një burrë, duke bërë kështu që të ruhet kuaota gjinore.

Edhe për opozitën jashtparlamentare kjo nuk është një hapje 100% e votave, por një mashtrim i kryeministrit Edi Rama.