Pas 3 dekadash, në ligjin për Kinematografinë do të bëhen ndryshime rënjësore që pritet ta transformojë tërësisht industrinë filmike në Shqipëri. Qeveria ka hedhur për konsultim publik projektligjin e ri për kinematografinë dhe audiovizualin që synon duke zëvendësuar ligjin aktual të vitit 1996.

Projektligji parashikon krijimin e Agjencisë Kombëtare të Kinematografisë dhe Audiovizualit, që do të zëvendësojë Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. Institucioni i ri do të ketë kompetenca më të gjera për financimin, mbikëqyrjen dhe zhvillimin e sektorit audiovizual.

Një nga risitë kryesore është skema e “cash rebate”, që parashikon rimbursim deri në 35% të shpenzimeve të prodhimeve filmike dhe audiovizuale të realizuara në Shqipëri. Qeveria synon që përmes kësaj skeme të tërheqë investime të huaja dhe ta kthejë Shqipërinë në një destinacion konkurrues për xhirime filmash e serialesh ndërkombëtare.

Projektligji parashikon se mbështetje financiare mund të përfitojnë veç filmat artistikë dhe dokumentarët, animacionet, serialet me teknologji të avancuar përfshirë edhe inteligjencën Artificiale, projektet e post-produksionit, bashkëprodhimet ndërkombëtare dhe videolojërat.

Sipas draftit, agjencia do të financohet jo vetëm nga buxheti i shtetit, por edhe nga një pjesë e tatimit mbi fitimin të televizioneve, platformave online, operatorëve të internetit dhe kompanive telefonike.

Konkretisht, projektligji parashikon që 5% e tatimfitimit të platformave audiovizuale dhe operatorëve të internetit, si dhe 2% e tatim-fitimit të operatorëve telefonikë, të kalojnë për financimin e sektorit audiovizual.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është krijimi i Komisionit Shqiptar të Filmit, që do të funksionojë si një “one stop shop” për producentët vendas dhe të huaj, duke lehtësuar procedurat për xhirimet në Shqipëri.

Parashikohet edhe krijimi i Regjistrit Kombëtar të Sektorit Kinematografik dhe Audiovizual, ku do të regjistrohen të gjitha kompanitë, producentët dhe profesionistët e industrisë, me synim formalizimin dhe monitorimin e tregut.

Në relacionin shoqërues, qeveria argumenton se reforma synon të modernizojë industrinë kreative shqiptare, të rrisë prodhimet filmike, të krijojë vende të reja pune dhe të sjellë efekte pozitive edhe në turizëm përmes promovimit të Shqipërisë si destinacion filmik.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë