Drafti/ Pas bregdetit në fokus malet, prona shtetërore do shiten për 1 euro te privatët! Kushtet, të jenë posedues faktik të paktën 10 vite dhe një plan biznesi

Të gjithë qytetarët apo bizneset që nga procesi inventarizimit të pronave shtetërore kanë rezultuar si posedues faktikë të tyre, pra i kanë përdorur si të jenë pronarë , do ju jepet e drejta të fitojnë pronësinë ligjërisht të këtyre pasurive. Projektligji i hartuar nga MEKI, ju jep të drejtën këtyre poseduesve faktik të aplikojnë për të blerë këtë pronë me tarifën simbolike 1 euro, me kushtin e vetëm që të vërtetojnë se kanë më shumë se 10 vite që e shfrytëzojnë pronën shtetërore dhe të paraqesin një plan biznesi për ta zhvilluar atë. Kjo nismë vjen pas asaj të investimeve strategjike që u përqendrua kryesisht në hotele e resorte përgjatë vijës bregdetare, ku pronat shtetërore u vunë në dispozicion të privatit.

Në relacion thuhet se kjo nismë ndërmerret për të fuqizuar ekonomikisht zonat malore dhe për të zhvilluar edhe më shumë turizmin. Kjo nismë merret në kuadër të nismës “Investo në tokën tënde’, një thirrje e drejtuar për emigrantët që të kthehen të investojnë në vend. Projektligji i hedhur në konsultim publik “Për shitjen e pasurive të paluajtshme shtetërore poseduesëve faktikë jopronare në zonat me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore”, ka si synim që të shiten pronat shtetërore me rëndësi për zhvillim ekonomik me tarifën simbolike 1 euro.

“Ky ligj ka për objekt përcaktimin e procedurave dhe rregullave të posaçme për kalimin e pronësisë përmes shitjes me tarifën simbolike 1(një) euro të atyre pasurive të paluajtshme shtetërore, të cilat gjatë procesit të përditësimit dhe inventarizimit të pasurive të paluajtshme shtetërore, sipas legjislacionit në fuqi, rezultojnë të jenë në posedim zotërim faktik të posedueseve jopronarë”, thuhet në nenin 2 të projektligjit.

Të gjithë ato qytetarë apo biznese që kanë mbi 10 vite që posedojnë një pasuri të paluajtshme shtetërore, dhe e kanë përdorur atë si pronë të tyre, quhen posedues faktik jopronar. Këta do të kenë mundësi tashmë që përmes një tarife simbolike 1 euro ta blejnë këtë pronë, me qëllim ngritjen e një biznesi.

Në projektligj thuhet se kjo iniciativë po ndërmerret për të garantuar zhvillim ekonomik të qëndrueshëm të sektorëve strategjik, promovim të turizmit malor dhe të ekonomisë bujqësore.

“Iniciativa për këtë projektligj merret në kuadër të “Programit të integruar për zhvillimin rural - Programi i 100 Fshatrave”, dhe më konkretisht, në kuadër të nismës “Investo në Tokën Tënde – Paketa e Maleve”, e cila synon të ofrojë një qasje alternative për tërheqjen e investimeve direkte dhe orientimin e tyre, për zhvillimin e atyre zonave rajonale/lokale të qeverisjes vendore, të identifikuara si zona me përparësi zhvillimin, që kanë nevojë për përdorimin e mekanizmave të veçantë, për zhvillimin ekonomik”, thuhet në relacion.

Më tej theksohet në nenin 5 të draftit, që synohet të krijohet një mjedis i përshtatshëm për ekonominë dhe inovacionin duke nxitur investime vendase dhe të huaja. Këto investime thotë Ministria e Ekonomisë do të bëjnë të mundur uljen e fenomenit të plakjes dhe largimit të popullsisë pasi do të bëhen incentivë për zhvillimin ekonomik. Rritet dhe zhvillohet tregu i punës si dhe promovohet turizmi duke mbrojtur mjedisin, pasuritë natyrore (lumenj, pyje, peizazhe unike) si dhe duhet të ruhet tradita e arkitektura tradicionale e zonave ku do të investohet.

Do të bëhet i mundur konsolidimi i pronës, përmes plotësimit të dokumentacionit të pronësisë sipas ligjeve në fuqi.

Lejohet kalimi i pronësisë të pasurisë së paluajtshme shtetërore:

-vetëm nëse pas përditësimit të inventarizimit rezulton se pasuria e paluajtshme shtetërore ka një posedues jopronar.

-  pasuria e paluajtshme shtetërore nuk është pronë e patjetërsueshme dhe nuk janë pasuri e destinuar për tu përdorur për interes publik.

- mbi pasurinë e paluajtshme shtetërore nuk rëndojnë të drejta të tjera reale të regjistruara apo barrë mbi pasurinë e paluajtshme dhe nuk janë prona private të të tretëve;

-nuk janë objekt i investimeve strategjike,

- nuk janë objekt i ushtrimit të të drejtës së parablerjes nga pronarët e njohur me një vendim të organeve të kohës për kthimin dhe kompensimin e pronave,

- Po ashtu do të mund të shiten edhe ato prona, të cilat kanë një posedues por ky i fundit nuk ka aplikuar për kalimin nga përdorimi në pronësi të tokës bujqësore; për kalimin në pronësi të objekteve pa titull pronësie dhe oborret në përdorim”. për legalizimin e ndërtimit pa leje të të tretëve apo të vetë subjektit kërkues; g) nuk ka instalime dhe objekte të tjera të destinuara për qëllime të mbrojtjes kombëtare, të rendit dhe sigurisë publike me qëllim për të mbrojtur instalimet e mbrojtjes, si strehimet dhe fortifikimet.

Pas vlerësimit të këtyre kritereve Ministria e Ekonomisë do të jetë përgjegjëse për kalimin e pronësisë përmes shitjes me tarifën simbolike 1(një) euro, të të gjithave pasurive të paluajtshme shtetërore me posedues faktik jopronar, të transferuara në pronësi të saj sipas parashikimeve të këtij ligji, pavarësisht zërit kadastral të saj si troje, tokë bujqësore, pyje apo kullota.

Jo në të gjitha pronat shtetërore ku ka një posedues faktik do të ketë shitje të pronës me qëllim ngritjen e një biznesi. Këshilli i Ministrave do të miratojë zonat me përparësi zhvillimi dhe më pas ministria e ekonomisë do të krijojë një strukturë të posaçme për çdo zonë në mënyrë që të bëhen të gjitha procedurat e inventarizimit dhe përditësimit të tyre, si dhe do të mbledhë informacioni e do të bëjë verifikime për të gjithë pronarët posedues në mënyrë që të realizohet më pas procedura e kalimit të pronësisë për 1 euro.

SI DO TË FUNKSIONOJË APLIKIMI PËR TË MARRË PRONËN?
Poseduesi faktik mund të bëjë një kërkesë pranë bashkisë, duke e shoqëruar me vetëdeklarimit si posedues e saj bashkë me planin e investimit. Të gjitha kërkesat do ti vihen në dispozicion Ministrisë së Ekonomisë, e cila do të vendosë më pas nëse do të krijojë strukturën e posaçme për këtë aplikim apo jo.

“Poseduesi faktik jopronar duhet të paraqesë dokumentacionin e mëposhtëm pranë strukturës së shitjes së pronës publike përpara kryerjes së aktit të kalimit të pronësisë: a. Planin e biznesit apo/ose projektin e investimit për zhvillimin e pasurisë së paluajtshme shtetërore të cilin e posedon faktikisht në plotësim të kritereve të vendosura në dokumentin e planifikimit për zonën e përcaktuar; b. vetdeklaron së nuk ka konflikt interesi në zbatim të legjislacionit në fuqi për konfliktin e interesit; c. vërteton së nuk ka konflikte gjyqësore të lidhura me pronën shtetërore të poseduar apo me posedimin faktik nga ana e tij”, thuhet në pikën 2 të nenit 18.

Në nenin 17 thuhet që të gjitha pronat shtetërore që kanë një posedues faktik që do të përdoren për zhvillim do të kalojnë në pronësi të MEKI-t.

“Në rastet kur në zonat e përcaktuara, në përfundim të procesit të inventarizimit dhe përditësimit të plotë apo të pjesshëm, sipas parashikimeve në këtë ligj, pasuritë e paluajtshme në pronësi të pushtetit qendror apo të organeve të vetëqeverisjes vendore figurojnë në posedim faktik të posedueseve jo pronar kryhet transferimi në pronësi të ministrisë përgjegjëse për ekonominë”, thuhet në pikën 1 të nenit 17.

Më pas me kalimin e pasurisë së paluajtshme shtetërore me posedues faktik jopronar në pronësi të ministrisë përgjegjëse, ministri përgjegjës apo personi i autorizuar prej tij kryen aktin e kalimit të pronësisë poseduesit faktik jopronar.  Procedurat e posaçme në zbatim të këtij ligji, zbatohen më 31 dhjetor 2028.

Kliko këtu për dokumentin e plotë

K.T./I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • mark: 02/10/2024 18:47

    NUK E MERITOJME QE TE SHITEN PRONAT KAQ LIRE,,,,RILINDASIT TANE KANE DERDHUR GJAK PER KETO TOKA....

    Përgjigju
  • Mergimtari: 02/10/2024 17:47

    Ka 350vite ne lufte per grabitjen dhe tjetersimin e prones.Pushtetaret e pas 1990-tes kane bere cfar deshen per te mos vajtur prona tek pronaret.Besniket e partive kane pervetesuar edhe duke e marre ne"perdorim",e tani Qeveria kerkon tua shes per nje cope buke.Mjere ky popull ne duart e kujt ra.Edhe turpet skane te sosur.

    Përgjigju
  • Mali: 02/10/2024 15:38

    Po ato qe kane zene,kane blokuar rruget do behen pronare? Po ato qe kane prishur dhe kane nxjerre jasht perdorimit objekte shteterore publike me qellim perfitimi do behen pronare?Si do te veproje ligji,duhet kontroll I rrepte per te shmangur abuzimet.Mos persritet parrulla "toke e xanun ".

    Përgjigju
  • Koli: 02/10/2024 14:05

    Po ishpronaret o legena! Jepuni pronat atyre!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim