Inertet nuk do të depozitohen më nëpër landfille ekzistuese, por në disa venddepozitime të reja që do të ngrihen vetëm për këtë qëllim.

Përmes një projektvendimi të hedhur për konsultim publik, Ministra e Mjedisit synon të zgjidhë problemin e mbetjeve inerte që hidhen në landfillet aktuale të tejmbushura, ose në rastin më të keq në zona të ndryshme në mënyrë të pakontrolluar.

Në venddepozitimet e përkohshme do të hidhet dheu i gërmimeve si dhe materialet që rezultojnë nga prishja e ndërtimeve. Këto zona do të ndërtohen në të gjithë vendin, e do të operojë për jo më shumë se 3 vite, por në raste të veçanta kur i infrastruktura rajonale për trajtimin e tyre nuk është ende funksionale, zgjatet koha jo më shumë se 2 vjet të tjera.

“Në kushtet aktuale, ku infrastruktura rajonale për menaxhimin e mbetjeve inerte mungon ose nuk është ende plotësisht funksionale, depozitimi i pakontrolluar i këtyre mbetjeve përbën një problem të rëndësishëm mjedisor dhe urban”, thuhet në relacion.

Venddepozitimet e përkohshme do të kenë sipërfaqe jo më e vogël se 5,000 metër katror, dhe do të ndërtohen nga subjekte të autorizuara nga Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve.

“Venddepozitimet e përkohshme të mbetjeve inerte konceptohen si vendndodhje të autorizuara, ku depozitimi kryhet në mënyrë të kufizuar në kohë dhe kapacitet, dhe vetëm për mbetje inerte. Ato funksionojnë si infrastrukturë kalimtare brenda sistemit të menaxhimit të integruar të mbetjeve, duke siguruar trajtim të kontrolluar deri në vënien në funksion të landfill-it përkatës”, thuhet në relacion.

Projekt-akti vendos gjithashtu objektiva për rikuperimin dhe riciklimin e mbetjeve, si standard që zbatohet edhe në vendet e Bashkimit Evropian.

“Vendosja e një kuote minimale rikuperimi prej 45% dhe një kufiri maksimal prej 55% për depozitimin final siguron një ndarje të detyrueshme ndërmjet rikuperimit dhe asgjësimit, duke orientuar sistemin drejt përdorimit efikas të burimeve”, vijon më tej relacioni.

Në relacion thuhet se ngritja e këtyre venddepozitimeve nuk do të ketë efekte për buxhetin pasi kostot do të përballohen nga subjektet e autorizuara, përmes mekanizmave të tarifimit të shërbimit.