Pamjet si kjo e transformimit të zonës së Tajvanit në një godinë shumkatëshe me forma “reje” abstrakte, Kryeministri i shërben si shëmbëlltyra të progresit. Kulla të larta, geto luksi, stadiume bizhu, makete me ngjyra vazhdojnë të mbeten vizioni kryesor i qeverisjes për “kryeqytetin e Ballkanit” dhe bregdetin.
Shumëkush ngre me të drejtë shqetësimin e burimit të këtyre investimeve dhe dyshimeve të mëdha për pastrimin e parave të drogës e të korrupsionit në industrinë e ndërtimit. Por le ta lëmë për një moment mënjanë këtë anë të errët. Le të supozojmë një çast, sado hipotezë jorealiste të duket, se të gjitha këto miliarda janë të pastra si qelibari dhe nuk e kriminalizojnë shoqërinë.
Edhe në këtë skenar ideal, pyetja mbetet po e njëjta: Çfarë po ndërtojmë realisht? Qytetin apo Qytetarin?
Baza e një kombi dhe e një qyteti funksional është zhvillimi njerëzor. Nuk formohet një shoqëri e vërtetë nga lartësia dhe luksi i ngrehinave. Mund të krijojë betoni pamje të bukura për kartolina dhe rrjete sociale, por ai mbetet i ftohtë e i zbrazët nëse brenda tij nuk jeton një shoqëri e arsimuar, e emancipuar, me mirëqenie të qëndrueshme. Këto këneta vertikale në çdo hapësirë që ka mbetur e lirë janë një hiç, nëse, prioritet absolut nuk është investimi te NJERIU, te arsimimi dhe edukimi. Më mirë më pak kulla e rezorte për pakicën e më shumë edukatë, qetësi dhe kulturë qytetare për të gjithë.
E kundërta drejt së cilës po rendim, e ka kriminalizuar rëndë shoqërinë, e ka goditur dhe vrarë në palcë moralin e punës. Të rinjtë tanë po shohin se pasurimi, pushteti, statusi shoqëror arrihen përmes rrugëve të shkurtra, korrupsionit apo drogës. Kështu puna e ndershme, profesioni dhe përkushtimi intelektual zhvlerësohen tërësisht. Pse të studiosh e të punosh me ndershmëri kur ‘modeli’ që lartësohet në çdo qoshe të qytetit është ai i parave të pista dhe shkëlqimit pa mund?
Kjo mendësi buron së pari nga formimi i cekët kulturor e politik i vetë Kryeministrit. Këta sarkofagë luksi që po ngrehen qyteteve tona si monumente të zbrazëtisë, bashkë me rendjen e marrë pas shkëlqimit të rremë, janë modeli që ai propagandon çdo ditë. Është një model që ushqehet nga përbuzja ndaj normales, arroganca dhe tallja me vlerat e vërteta, përpjekja për ta shitur paranë e pamerituar si sukses. Këtë model e plotësojnë më së miri edhe njerëzit që ai zgjedh për të drejtuar e bashkëqeverisur, të prerë me të njëjtën gërshërë.
Kulmi i absurdit dhe ironisë është se i thonë vetes socialist dhe udhëheqin një parti “socialiste”. Paradoks më i madh nuk ka se si të ekzistojë! Çfarë ka të bëjë e majta me këtë shkëlqim të rremë karakatinash luksi? Është një komedi e zezë të shohësh se si ideali i socializmit, i cili teorikisht mbron të dobëtin, punëtorin, hapësirën publike, barazinë shoqërore, në Shqipëri ëndërrohet e projektohet me kulla 50-katëshe, rezorte vilaxhinjsh dhe jahte miliarderësh.
Një “majtizëm” që u merr pasuritë publike shtetit dhe qytetarëve për t’ua falur dinastive të biznes-politikës apo pastruesve të parave! Kjo është shpikja më qesharake politike e shekullit.
Gjithsesi, politika e degraduar nuk e do Qytetarin. Ajo i druhet njeriut kritik, të ndërgjegjshëm dhe sovran, sepse ai nuk gënjehet me pasqyra, nuk të bën lajka, atij nuk i jep dot ujë në shoshë. Një popull i paarsimuar është dështim i rëndë. Për pushtetin e mbrapshtë kthehet në strategji. Pse të përballesh me dritën e mendjes së lirë. Është pafundësisht më e lehtë të sundosh mbi terrin e padijes./Gazeta Dita







Komente
Komento