Për Parlamentin Evropian hapja e negociatave për të gjithë kapitujt në vetëm një vit tregon se Shqipëria është në rrugën e duhur për integrimin por sfidat mbeten. Një draft raport i depozituar në Komisionin e Jashtëm të PE, nga raportuesi për Shqipërinë Adreas Schieder thekson se objektivi që vendi të jetë gati për anëtarësim në 2027-t është i mundur.
“Gjatë këtij dhe vitit të ardhshëm, Shqipëria do të duhet të ruajë ritmin për të realizuar objektivin e saj që të jetë gati për anëtarësim në BE deri në fund të vitit 2027. Kjo do t’u mundësonte shteteve anëtare të vijojnë me ratifikimin e traktatit të anëtarësimit, në mënyrë që Shqipëria të hyjë në BE deri në fund të dekadës. Në këtë fazë të re, zbatimi efektiv në terren i reformave të miratuara do të jetë thelbësor”, thuhet në draft raport.
Pavarësisht progresit të arritur, raporti thotë se Shqipëria duhet të kapërcejë polarizimin te brendshëm politik dhe të përmirësojë kulturën politike
“U bën thirrje mazhorancës dhe opozitës që të ndjekin në mënyrë konstruktive dhe gjithëpërfshirëse një reformë të plotë zgjedhore, në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile, dhe të zbatojnë plotësisht rekomandimet e mbetura të ODIHR.
Shpreh shqetësim për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe diskursin konfrontues politik, të cilat minojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin publik dhe funksionimin efektiv të institucioneve demokratike;
Inkurajon forcimin e kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin, rritjen e transparencës në procedurat legjislative dhe konsultime më kuptimplota”, thuhet në draft raport.
Lufta kundër korrupsionit, thotë raporti është thelbësore dhe duhet rezultat për hetimin dhe dënimin e rasteve të korrupsionit të niveleve të larta.
“Korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe se, pavarësisht progresit në kuadrin ligjor dhe institucional, Shqipëria duhet të konsolidojë më tej rezultatet konkrete në hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta”, vijon draft raporti.
Raporti i këtij viti vendos një theks të veçantë edhe te reformat socio-ekonomike dhe përfitimet që duhet të kenë të gjitha segmentet e popullsisë.
“Përshëndet angazhimin e Shqipërisë në zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor; megjithatë, vëren se vazhdojnë të ekzistojnë dobësi strukturore, përfshirë informalitetin, rritjen e kufizuar të produktivitetit dhe një mjedis sfidues biznesi. Vëren me shqetësim vlerësimin e Komisionit se gjatë vitit të kaluar nuk është shënuar progres në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike”, thuhet në draft raport.
Draft-rezoluta, e cila tashmë do të diskutohet në mbledhjet e Komisionit dhe seancës plenare të Parlamentit Evropian është hartuar nga raportuesi për Shqipërinë Adreas Schieder pas vizitës që ai pati muajin e shkuar në vendin tonë, ku zhvilloi takime me përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe politikës.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Lajmi në përditësim....

Në draft-raportin e PE për Shqipërinë vlerësohet progresi në reformën e “administratës publike, përfshirë planifikimin strategjik dhe koordinimin”. Raporti megjithatë thekson “se nevojiten përpjekje të mëtejshme për të garantuar rekrutimin mbi bazë meritore dhe depolitizimin e shërbimit civil”

Në draft raportin e PE për Shqipërinë, të cilin Report Tv e disponon, përshëndetet zbatimi i reformës në drejtësi, ku evidentohet edhe procesi i vettingut, për të cilin thuhet se ka kontribuar në rritjen e llogaridhënies dhe integritetit brenda sistemit gjyqësor. Por, në draft-raport thuhet se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe rekomandohet që Shqipëria të konsolidojë më tej rezultatet konkrete në hetime, ndjekje penale, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta.
Pjesë nga draft-raporti i PE për Shqipërinë
Shteti i së drejtës, gjyqësori dhe lufta kundër korrupsionit
-Përshëndet vijimin e zbatimit të procesit të reformës në drejtësi, përfshirë procesin e rivlerësimit (vetting) të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili ka kontribuar në rritjen e llogaridhënies dhe integritetit brenda sistemit gjyqësor; megjithatë, vëren sfidat e vazhdueshme që lidhen me efikasitetin e gjyqësorit, stokun e lartë të çështjeve të prapambetura, qëndrueshmërinë e praktikës gjyqësore dhe përpjekjet për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm;
-Bën thirrje për forcimin e mëtejshëm të organeve të qeverisjes së sistemit gjyqësor, duke garantuar pavarësinë, transparencën dhe kapacitetin e tyre profesional, si dhe për investime të qëndrueshme në infrastrukturën e gjykatave dhe digjitalizimin e sistemit;
-Thekson se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe se, pavarësisht progresit në kuadrin ligjor dhe institucional, Shqipëria duhet të konsolidojë më tej rezultatet konkrete në hetime, ndjekje penale dhe vendime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta;
-Këmbëngul se korrupsioni duhet adresuar në të gjitha nivelet, në mënyrë që të forcohet besimi i qytetarëve në institucionet shtetërore dhe të krijohet një mjedis biznesi i parashikueshëm;
-Nënvizon rëndësinë e luftës efektive kundër krimit të organizuar, përfshirë rrjetet e pastrimit të parave dhe trafikut të drogës, dhe bën thirrje për intensifikimin e bashkëpunimit me agjencitë e BE-së si Europol dhe Eurojust;

Në draft raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për Shqipërinë thuhet se nuk janë trajtuar rekomandimet e OSBE për Reformën Zgjedhore. Në draft raport, theksohet shqetësimet lidhur me mungesën e barazisë së kushteve, keqpërdorimin e burimeve administrative, pretendimet për blerje votash dhe presionin ndaj votuesve.
“Vëren se Komisioni e vlerëson kuadrin zgjedhor të Shqipërisë si përgjithësisht të përshtatshëm për zhvillimin e zgjedhjeve konkurruese, duke ritheksuar megjithatë shqetësimet lidhur me mungesën e barazisë së kushteve, keqpërdorimin e burimeve administrative, pretendimet për blerje votash dhe presionin ndaj votuesve; për këtë arsye u bën thirrje si shumicës ashtu edhe opozitës që të ndjekin në mënyrë konstruktive dhe përfshirëse një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile, dhe të zbatojnë plotësisht rekomandimet e mbetura të OSBE/ODIHR dhe të Komisionit të Venecias, shumë përpara cikleve të ardhshme zgjedhore”, thuhet nw draft-raport.
Komente












Parlamenti Europian eshte vendi me i korruptuar ne bote. Kush nuk e di qe afer parlamentit ka me mijra studio lobistesh qe merren me korrupsionin e zyretareve te larte te parlamentit europian. Thjesht e quajne lobim dhe marrin shume te majme parash eurodeputet per te avantazhuar kete apo ate kompani.
Përgjigju