Kreu i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi deklaroi një ditë më parë para parlamentit europian se ky institucion financiar i ka bërë të gjitha përpjekjet për të luftuar krizën dyvjeçare të borxhit qeveritar të eurozonës. Por sipas tij të të 17 vendet që përdorin Euron duhet të forcojnë strukturën e eurozonës për të kontrolluar shpenzimet dhe konosliduar ekonominë e dobët të Evropës. Ai tha se mënyra sesi është zhvilluar Eurozona që nga themelimi i saj në vitin 1999 ka treguar se kjo mënyrë nuk mund të vazhdojë më. Zoti Draghi bëri thirrje për një mandat të ri të Eurozonës.
Banka Qendrore Evropiane u ka kërkuar institucioneve financiare kudo në Evropë të mbështesin bankat në Greqi, Spanjë dhe vende të tjera, të cilat janë në vështirësi për shkak të krizës së borxhit. Qindra punonjës hotelesh në Athinë janë në grevë. Ata janë të zemëruar për planet që mund t’u shkurtojnë pagat deri në 40 për qind. Ja ç’thotë Panajotis Kukos."Jeta jonë e përditshme është në kaos. Këto shkurtime do të na shkatërrojnë fare. Mos harroni se 70 për qind e punëtorëve të hotelerisë punojnë vetëm pesë muaj në vit dhe u duhet të mbështesin familjet edhe për pjesën tjetër të vitit."
Greqia po mbahet më këmbë me kreditë ndërkombëtare. Si shkëmbim, grekët duhet të durojnë masat e ashpra shtrënguese dhe rritjen e taksave.
Nëse grekët vendosin në zgjedhjet e qershorit se nuk ia vlen të durojnë më, vendi mund të detyrohet të dalë nga eurozona. Kursimet e tyre do të duhet të konvertohen në monedhën e vjetër, dhrahmi, duke humbur shumë në vlerë.
Disa grekë po i tërheqin paratë nga bankat, shpesh duke i depozituar ato jashtë. Gjatë dy viteve të fundit janë tërhequr rreth një e treta e depozitave bankare.
Në Spanjë, e cila gjithashtu përballet me një barrë të rëndë borxhi, tërheqja e kursimeve ka qenë më pak dramatike - gjatë vitit të kaluar janë tërhequr më pak se 5 për qind e depozitave. Por, nëse ritmet shtohen, efekti do të jetë i madh, sepse bankat e Spanjës janë shumë më të mëdha se ato të Greqisë.
Vetëm tani, katër vjet pas krizës, Spanja ka filluar të pranojë se sa të dobëta janë bankat e saj.
Javën e kaluar, kjo bankë kërkoi 23 miliard dollarë për t’i shpëtuar falimentimit.Kryeministri spanjoll u përpoq të sigurojë tregjet se situata është e qendrueshme.
Por aksionet e bankave kanë rënë mjaft në vlerë. Analisti financiar Enrique Quemada thotë se ka pak besim në sistemin bankar.
"Njerëzit dhe investitorët nuk besojnë se Spanja do të mund të mbajë premtimet për uljen e deficitit, për shkak se në fillim ajo tha se mund të mbulojë një deficit prej 6 për qind, kur doli se deficiti ishte 8.5 dhe pastaj 8.9 përqind."
Chris Roebuck i Shkollës Cass të Londrës për Biznesin, thotë se mungesa e besimit nënkupton se së shpejti mund të vijë koha kur klientët e bankave në vendet e shëndetshme të eurozonës t’i lëvizin depozitat për në vende të tjera.
"Nëse shohin se paniku po përhapet, atëherë ata do të pyesin, a mos po vjen infeksioni edhe tek ne? Nëse shohin se rreziku është i madh dhe gjithçka po rrëzohet, atëhere ata do të humbin arsyen dhe do të hidhen në veprime emocionale." Normat e interesit në eurozonë kurrë nuk kanë qenë ndonjëherë kaq ulëta. Sa më tepër të qëndrojnë interesat të ulëta, aq më tepër njerëzit do të mendojnë se nuk ia vlen të rrezikojnë e t’i mbajnë paratë aty, prandaj mund t’i tërheqin e t’i depozitojnë diku tjetër. (VOA/ns/shqiptarja.com)