Shkrimtari Mihallaq Qilleri: Një rrëfim paskuintash nga Teatri 'Migjeni' i Shkodrës

Shkrimtari Mihallaq Qilleri: Një rrëfim paskuintash nga Teatri 'Migjeni' i Shkodrës

Teatri 'Migjeni' i Shkodrës dhe dramaturgu Mihallaq Qilleri

Mihallaq Qilleri

Sigurisht as sot nuk mund ta quaj veten dramaturg të vërtetë, ndonëse kam vënë në skenat e ndryshme teatrore të vendit  6 drama. Kjo gjini e letërsisë dhe e artit njëherësh ka një specifikë të veçantë, sa të vështirë, aq edhe mjeshtërore së paku jo aq të lehta këto për mua.  Kurrë nuk do mendoja më parë se do të vinte dita të trokitja edhe unë në portat e teatrit, sikur të mos ndodhte një rastësi.

Në vitin 1981 mora papritur një letër nga drejtori i atëkohëshëm i Teatrit  “Migjeni”të Shkodrës, z. Isa Alibali, i cili më ftonte të merrja pjesë në premierën e dramës “Jetë e dashuri “ të poetit dhe gazetarit, - së paku kështu e njihja unë deri atëhere,- Ndue Lazëri. Sigurisht u gëzova shumë.” Jetë dhe dashuri” ishte romani im i parë i botuar në vitin 1979 dhe që kishte patur sukses të merituar, aq sa, shumë lexues të tij u bënë miq të mi. Sigurisht historia e dashurisë e Tomit me Kristinën majëmaleve të Jugut do të bënte që shumë maturante, ( vajza), të atyre viteve të ëndërronin të bëheshin gjeologe, aq interesante u ngjante tashmë jeta e atij profesioni. Kështu mund të kem marr në qafë shumë vajza të reja që shkuan e studjuan për këtë profesion.

Mbaj mend se në Shkodër mbërrita dikur në mesditë. Ishte një qiell i vrejtur dhe qyteti ngjante po aq i zymtë. Kisha vite pa ardhur aty. Drejtori më kishte njoftuar se në Hotel “Rozafa” më ishte rezervuar qysh më parë një dhomë ndaj së pari duhet të shkoja atje. Por duke kaluar përmes sheshit qendror të qytetit, pashë një grumbull njerëzish të mbledhur para disa stendave. Shpejt do të bindesha se ato qenë reklamat  e Teatrit “Migjeni”, pra të shfaqjes “Jetë  e dashuri” që kishte premierën po atë darkë. U përfshiva në atë grumbull njerëzish sigurisht i emocionuar dhe po dëgjoja komentet e tyre. Binte ne sy fotografia e madhe  e aktores së re e të bukur Paskualian Gruda  e cila sikur nisi të më ngjante vërtetë si një Kristinë e romanit tim.

Ishte koha kur mbaronte turni i parë i punës nëpër fabrikat e Shkodrës. Punonjësit kalonin në qendër të qytetit dhe ky ishte një rast për t’u  hedhur  një sy reklamave. Befas dëgjova dikë pas shpine të shqiptonte mbiemrin tim dhe të thoshte.
     - Qilleri…- More po “Intrigë e Dashni “ të Shilerit e kena ndi, po këtë ”Jete e dashni” të Qillerit nuk na e ka zanë veshi..!
    Sigurisht u përpoq ta rrokëzonte mbiemrin tim që të rimonte disi me atë të gjermanit të shquar. Qesha. Përkimi i mbiemrave me Shilerin e madh  ishte aq i afërt, sa i largët qe talenti ynë. Ktheva kokën për ta parë atë fytyrë, ashtu i çuditur me gjetjen..
     - E, mirë them!, - ma ktheu shumë seriozisht pa e ditur se me kë fliste.

Pas një atmosfere të tillë, sigurisht Shkodra dhe humori i saj brilant m’u bë më e dashur. Shfaqja niste në orën 18.  I veshur “zyrtarisht” do të ndodhesha ne teatrin “Migjeni” një orë më parë. U takova me regjisoren simpatike Violeta Sekuj si edhe dramaturgun e romanit tim. Ndue Lazëri  ishte aso kohe  një djalë truplartë, me një kuqëlim të bukur të faqeve, sykaltër e flokëdrejtë. Nuk njiheshim më parë, veç dëgjuar për letërsinë e njeri-tjetrit. Sigurisht isha në një mjedis që më shumë se autor ngjaja me një të ftuar special. Kështu që propozimin për të zenë vend në lozhën e autoriteteve, - ku ishin edhe partiakë e pushtetarë rajonalë,-  nuk e pranova.

Shpejt do të vinte të më takonte një grup gjeologësh të ndërmarrjes së Shkodrës, disa të njohur e disa jo, të cilët nisën të më uronin më së shumti për romanin. U kishte pëlqyer dhe prandaj po vinin të shihnin edhe dramën. Biletat e tyre ishin në lozhën e gjatë, të sipërme dhe unë pranova të shkoja e ta ndiqja shfaqjen me ata. Mes fletë-palosjes mësova emrat e aktorëve të njohur që do të luanin personazhet e mi; Enver Hyseni, në rolin e Viktorit, Ymer Bala në rolin e Tomit, Paskualina Gruda në rolin e Kristinës, Bep Shiroka në rolin e Mistos, Viktor Bruçeti në rolin e Simonit, e të tjerë..

Sigurisht, ashtu siç ndodh edhe në kinematografi, nuk ka gjasa që vepra skenike të jetë më e bukur se vepra letrare ku është mbështetur. Por gjallimi i personazheve të tu, konturimi i tyre sipas një koncepti regjisorial dhe lojës së aktorëve, skenografia, muzika shoqëruese e, mbi të gjitha, frymarrjet e shpeshta që afro 400, apo 500 njerëzve që ndjekin çdo lëvizje në skenë, të krijon një ndjesi të mrekullueshme. Ndue Lazri sigurisht kishte zgjedhur skenat më pikante të romanit, skena që mbartnin doemos dramaticitet, kështu që shfaqja ishte, si të thuash, ajka e romanit. 

Qetësia që mbizotëronte në sallë tregonte më së shumti vëmendjen me të cilët ndiqej dramatizimi. Teatri “ Migjeni” i Shkodrës, sikundër do ta provoja më vonë nëpër teatro të tjera, ka një akustikë të shkëlqyer dhe ndërtimi i tij në formën e një amfitetari e lejon spektatorin të shohi skenën si në pëllëmbë të dorës. Duhej të ishte tabloja e fundit e shfaqjes kur, përmes rreshtave të llozhës së sipërme u ndje të lëvizte një njeri. Ishte errësirë. U thirr emri im. Dallova drejtorin e teatrit të më drejtohej.

    - Duhet të vish poshtë në skenë, - më tha me zë të ulët Isa Alibali.
    - Jo, -ia ktheva zbehtë. – Nuk më takon mua. Autori i veprës skenike është tjetër.
   - Të lutem! – nguli këmbë zyrtari i lartë. – Të lutem! E kemi menduar me kohë..

Ishte e vështirë të debatoja në mes të shfaqjes, në mes të sallës, në mes të qetësisë që zotëronte. U ngrita dhe dola. Koridoreve të teatrit i thashë drejtorit se kjo nuk ishte aspak e drejtë.. Gjithsesi nuk kishte kohë të debatoja. Pak minuta më pas do të ndodhesha në prapaskenat e teatrit, ose pas kuintave, siç thuhet. Nuk kisha patur rastin  kurrë deri atëhere të ndodhesha në një mjedis të errët e të rrëmujshëm. Bota e skenës dhe bota e paskenës janë aq të ndryshme.

Aty, në gjysmëterr, aktori nis e përgatitet për hyrjen tjetër para spektatorit, aty ai flet me vete, aty ai nis e i bën gjimnastikë plastikës së gojës, shqipton rrokje a gërma të çuditshme për të pastruar zërin nga ndonjë gërvishtje. Aty është vendi kur aktori duhet të vendos në zap emocionet dhe drithërimat e tij, aty krijohet serioziteti e komiciteti, aty tiparet njerëzore shndërohen në përfytyrimet e personazhit.

Ishte, pra, tabloja e fundit e dramës. Sikundër po shihja skenografi Agim Kadillari pat krijuar një lëndinë malesh ku po zhvillohej dialogu final midis Kristinës dhe Tomit. Paskualina Gruda  hyri e doli disa herë nga skena në paskuintë, por ishte aq e ngarkuar emocionalisht sa as që vuri re se një figurinë në hije po e ndite nga afër. Kjo qe Kristina ime. Nuk e kisha përfytyruar pikërisht kështu, por gjithësesi ajo aktore e re dhe e talentuar sikur po bëhej njeriu im..
Dhe ja tek po thuheshin dialogët e fundit. Kishte pauza mes tyre. Pauza drithëruese. Pastaj gjithçka heshti për disa sekonda. Heshti e gjithë salla. Gati-gati nuk e kuptova se shfaqja kishte mbaruar.

Promoja e dramës nga Ndrue Lazri në Teatrin "Migjeni", "Jetë dhe dashuri"

Veç  kur të niste një stuhi duartrokitjesh e kuptova. Siklet më të madh nuk kam ndjerë kurrë. Aktorët- personazhe,- do të zbrisnin një e nga një në skenën e madhe. Befas, një dorë më shtyu lehtë nga pas dhe më pëshpëriti se duhej të dilja në platformë. Nuk pata kohë as të ktheja kokën. Ditë më vonë, kur të rikujtoja, si në një film bardh-e-e zi, gjithçka, do të besoja se ajo qe dora e drejtorit të teatrit.

Isha aq i impresionuar sa për pak mund të shkaktoja një komedi të vërtetë; pikërisht atëhere kur duhej respektuar shfaqja me seriozitetin më të madh.. Për shkak të hapave të aktorëve gjatë mizansenave, tapeti jeshil që krijonte lëndinën e maleve ishte rrudhur disi dhe pikërisht në një nga ato rrudha thuajse ngreci maja e këpucës sime. Mezi mbajta ekuilibrin. Por edhe një dorë e sigurtë, - po ajo dorë që më kishte shtyrë disa minuta më parë të hyja, - më mbajti prej shpatullash. Më iku gjaku. Vonë do të nisja të përfytyroja pamjen time mjerane para qindra spektatorëve duke  hapuar siç ndodh me Charli Chaplinin në filmat e tij komikë. Shpëtova paq!

Lozhat e spektatorëve, por edhe e gjithë pamja e sallës së Teatrit “Migjeni” nga skena ngjajnë aq bukur! Njeriu në skenë është i gjithë nën pushtetin e kësaj mase të madhe njerëzore që kanë ardhur aty për të parë diçka përtej të zakonshmes, përtej emrave të përveçëm. Regjisorja Violeta Sekuj më prezantoi. Tha se isha autori i romanit “Jetë dhe dashuri”, përmbajtjen e të cilit sapo e kishin parë në skenë. U duartrokita ngrohtësisht. Po pastaj? Pas meje qe rrjeshtuar e gjithë trupa e aktorëve që durtrokitnin edhe ata.

O, zot, çfarë duhej të bëja tani? Nga duhej të dilja? Nuk mund të mbaja ndonjë fjalim idioti, de! Atëhere u ktheva nga trupa dhe i përshëndeta të gjithë një nga një. Nënvetja më thoshte se po bëja një ato gjestet publike aq të flluskëta, aq mediokre, aq banale e pa shije që kryejnë partiakë të lartë në raste të tilla.. Mbaj mend që Paskualina më përqafoi. Më dha dorën dhe më tërhoqi përsëri në paraskenë.. Vonë do të mësoja se këto ishin veprime të zakonshme në përfundim të shfaqjeve. Por unë ato çaste mund të isha me temperaturë emocionesh..

Ajo darkë, ajo shfaqje, ndonëse, e theksoj, vepër e Ndue Lazërit, do të vuloste një anë tjetër të krijimtarisë time letrare. Depërtimi në botën e paskuintave të teatrit prej nga do të më lindtte dëshira  për të shkruar drama, ndonëse edhe sot mund ta pohoj pa ndojë se nuk arrita kurrë në nivelin artistik të prozës sime..
* * * *
Gjithsesi ishte nata e surprizave..

Pasi spektatorët kishin  zbrazur tashmë jo vetëm sallën, por edhe hollin e teatrit, po aty u mblodhëm disa nga “autorët” e asaj premiere. Mbaj mend se u tha se atë natë ishim të ftuar në shtëpinë e Ndue Lazrit për një darkë midis miqsh, pse jo, edhe familjare. Sigurisht aso kohe nuk kishte makina si sot, madje as drejtori i teatrit nuk posedonte një të tillë. Kështu që për në shtëpinë e Ndues u nisëm në këmbë. Binte një shi i rrëmbyer dhe ne na duhej të strukeshim, herë pas here nën strehëza shtëpish a dyqanesh. Veshja ime “zyrtare” qe një kostum i zi, me stof polak, - siç thuhej, - tepër i shtrenjtë, - të cilin e përdora aq shpesh sa m’u desh ta riçoja te rrobaqepsi për ta kthyer copën nga ana tjetër.

Por dobësia qëndronte te këpucët. Në fabrikën e këpucëve në Gjirokastër kisha blerë kohë më parë, me mik, sigurisht, një palë këpucë lustrina,- pra me lëkurë të shkëlqyer, - të cilat ishin më të mirat që kisha. Shto ecjet nëpër kalldrëmet e qytetit të gurtë, këpucëve u qe holluar sholli i poshtëm e qe bërë si një letër cigareje. Sigurisht nuk e dija se Shkodra do të më priste me shi. Kështu që pa mbërritur ende në shtepinë e mikut tim të ri, ndjeva se çorapet qenë bërë llucë. Nuk ka siklet më të madh sesa të qëndrosh diku mes miqsh me këmbë të lagura. Dhe të mendosh se po bujtja për  herë të parë në atë familje.

Hymë gjithë zhurmë. Sigurisht drejtori dhe miqtë e tjerë njiheshin mirë.. Befas në koridor, duke i zgjatur dorën zonjës së shtëpisë, ngriva. Si ishte e mundur?!! Një fytyrë thuajse fëmijërore po më buzëqeshte butësisht. Kishte sy përshkënditës dhe mua m’u kujtua menjëherë. Ishte zonja Zhaneta Lazëri, e shoqja e Ndues, me të cilin kisha patur rastin të njiheshim  disa vite më parë në një konkurs pranimi në degën e gazetarisë të Universitetit. Unë vija aty si për një sfidë. Ajo direkt nga gjimnazi i Pogradecit..Ndoshta po aty në fakultet ajo qe njohur e më pas martuar me Ndue Lazrin.

Por gjysmë ore më vonë, sa u familjarizova me mjedisin e shtepisë, vendosa të bëja një gjest afiniteti. I thashë Zhanit se çorapet i kisha qull dhe nëse mundesh le të më sillte një palë nga të Ndues do më qetësonte. Brofi me kënaqësi..Gjesti nuk do më lehtësonte aspak gjithë darkës, por mjedisi shoqëror e gatimet e zonjës së shtëpisë e tejkaluan atë gjendje..

Të nesërmen duke marrë autobuzin e Tiranës kisha të drejtë të fantazoja se një meritë të veçantë në këtë rrugëtim për të më çuar në portat e rënda të teatrit mund të kishte edhe Zhaneta Lazëri, e cila, ndoshta, pasi kishte lexuar romanin tim, i qe lutur të shoq ta dramatizonte. Sigurisht kjo është thjesht fantazi. Kurrë nuk pyeta për diçka të tillë...

Isa Alibali dhe Paskualina Gruda

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

GOLAT/ Alen Sherri merr vendin e titullarit, Cagliari del me pikë nga Genoa! Napoli kërkon kreun e Serie A kundër Romës

GOLAT/ Alen Sherri merr vendin e titullarit, Cagliari del me pikë nga Genoa! Napoli kërkon kreun e Serie A kundër Romës