Kemi mëse njëzet vjet që presim, që shpresojmë se diçka do ndryshojë, që dëgjojmë nga shtetarët fjalën reformë, që vetëm zhgënjehemi dhe bëhemi më të ndërgjegjëshëm se jo vetëm nuk po ndryshon, por gjërat me sa duket bëhen dhe më të pazgjidhshme. Deri më sot askush nuk është ulur me këmbë në tokë dhe të shpjegojë se çfarë kuptojnë pushtetarët me fjalën reformë në drejtësi. Mos vallë vetëm ndryshimi i ligjeve apo, bërja e disa ligje të importuara nga jashtë quhet reformë? Ne nuk kemi mangësi ligjore, por kemi moszbatim të ligjit në mënyrën e duhur. Ne kemi përplasje të ligjit ndër institucione, të cilat veprojnë në mënurë të pakoordinuar, pasi vetë ligjet e tyre janë fuqiplotë për institucionin e tyre pavarësisht se bien ndesh me institucionet e tjera. Më e prekshmja në këtë drejtim është ligji për pronën, ku çdo institucion vepron në mënyrë të pavarur nga institucioni tjetër se këtë të drejtë ja jep ligji. Kjo lloj anomalie ka bërë dhe do vazhdojë të bëjë që problem i pronave tek ne të mbetet një plagë e kthyer në gangrenë.
Pas rënies së diktaturës njerëzit dhe sidomos shtresat e persekutuar e atij regjimi që kishte kaluar padrejtësisht vitet e jetës nëpër burgje e internime, ata që pas hyrjes së pushtetit diktatorial humbën çdo pasuri, deri tek e drejta për të votuar mendonte së më sëfundi sistemi demokratik do të bënte një drejtësi reale ku ligji do sundonte mbi gjithshka, se e drejta e mohuar do ju kthehej në mënyrë ligjore. Çuditërisht është po kjo shtresë që po e vuan më shumë këtë mosreformim të drejtësisë. Mos reformimi vjen si pasojë e mentalitetit që ka pushtuar drejtësinë tonë. Vjen si pasojë sepse shumica njerzve që bëjnë drejtësinë janë po ata që ishin dje, se njerzit nuk janë të barabartë para ligjit ashtu siç e jep Kushtetuta e Republikës, kjo si pasojë e atij korrupsioni që e ka kapur drejtësinë për fyti dhe nuk e lëshon në asnjë moment. Natyrshëm lind pyetja. Si mund të kërkosh reformë kur vetë njerzit e sistemit janë të korruptuar? Si mund të kërkosh reformë kur shteti është i pafuqishëm për të ndaluar këtë korrupsion? Si mundet të pretendosh për reformë kur ligjin e lexon Maliqi? Nëse e shohim në këtë këndvështrim gjithkush ka të drejtë të na quaj pesimistë, apo të na quaj vetëm konstatues. Për të mos ngelur vetëm në kuadrin e kritikës e të konstatimit, ne mund të hedhim dhe opsionet se si mundet të bëhet kjo reformë pavarësisht se vetë njerëzve të drejtësisë nuk do ju vij përshtat. Ne shohim se asnjë gjyqtar nuk ka efekt negativ kur vendimet e tij kthehen nga gjykata më e lartë. A do të ishin më të ndërgjegjshëm gjyqtarët në vendimet e tyre sikur ligji të penalizonte çdo gjyqtar të cilit brenda një viti kalendarik t’i prisheshin pesë vendime të marra prej tij, nga gjykata e një shkalle më të lartë. Po sikur ligji të penalizonte çdo gjyqtar që brenda një viti kalendarik t’i ktheheshin tre vendime për proçedurë (gjë që ndodh jo rrallë në gjyqësorin tonë)nga gjykata e një shkalle më të lartë. Çdo të ndodhte sikur i njëjti ligj të vepronte dhe për prokurorinë. Duke qenë të gjithë të barabartë para ligjit, atëherë duhet të ndëshkohet dhe ai që jep një vendim antiligjor. Duke mos pasur sanksione detyrimisht ka dhe abuzime. Këtë e themi pasi jo rrallë janë vendimet e gabuara të gjykatave të cilat bëjnë që njerëzit të futen në një konflikt më të thellë ku, çuditërisht është po kjo gjykatë që ka thelluar me vendimin e saj konfliktin e cila jep dhe masën e dënimit për atë njeri që po vetë e ka futur në konflikt.
Nga të gjitha këto e shumë të tjera që në një shkrim nuk mundemi ti parashtrojmë,tregon qartë se reforma në drejtësi kërkon një vullnet dhe profesionalizën. Nuk kërkon luftë politike. Ndërhyrja e politikës në drejtësi don të thotë se drejtësia nuk mund të dalë nga dara e korrupsionit.


(aq/shqiptarja.com)