Drejtësia skandali i heshtu

Drejtësia skandali i heshtu
U bënë vite që në Shqipëri fjala “reformë’ është bërë e përditshme për qytetarët. Politikanët e hedhin në treg, e shesin vetë, e blejnë vetë, e gatuajnë vetë, por në fund janë shqiptarët që e hanë këtë gjellë të shpifur. Çpo dëgjojmë në këtë fushatën e fundit? Janë tre ligjet, për të cilat sot mund edhe të mblidhet Kuvendi. Janë vizat me Amerikën, njësoj sikur të thuash “në....Amerikë me vapor të Amerikës, agjent Qendro Bukhurdha”, janë reformat në shëndetësi, falas për të gjithë, reformat në arsim, doktoratura edhe për analfabetët, reformat në ekonomi, taksa e sheshtë e taksa e ngritur.

Po për drejtësinë? Asnjë zë. Askush deri tani nuk ka marrë guximin të flaës për drejtësinë, për gjykatësit, për prokurorët, për avokatët, për një system të tërë, i cili prej kaq kohësh luan në kurriz të shqiptarëve, me nervat e shqiptarëve, e që majmet me paret e shqiptarëve. Heshtje. E në këtë heshtje të të gjithë politikës... ose politika e gjithë është e përlyer me sistemin e drejtësisë, ose sistemi i drejtësisë është aq i lidhur mes vedit sa të gjithë kanë ngritur duart lartë.

Avokatët bënë dhe po bëjnë çfarë u deshi qejfi me seancat në Tiranë ndaj Dritan Dajtit. Heshtje. Prokurorisë së krimeve të rënda u ndryshohet brenda pak ditësh akt-ekspertiza për vdekjen e një polici në detyrë, nga vrasje në aksident. Heshtje. Prokurorisë së Përgjithshme i flenë me dhjetëra dosje në sirtarë, të mbartura e të reja. Heshtje. Gjykata jep vendim me gjobë kundër një gazetari , Karlo Bolino, duke ndryshuar gjithçka, duke shkelur çdo ligj, e duke i bërë qejfin ministrit Olldashi.

Heshtje. E kur ky vendim gjykate ndodh ndaj një gazetari të njohur në vend, botues, çfarë mund të ndodhë me një qytetar të thjeshtë, me një që nuk ka mundësi ta tregojë “hallin” e tij në gazetë e në televizion. Me një shqiptar, i cili ka përballë gjithë shtetin, siç e kishte Bolino (e as u munduan të fshihen, avokatë të familjes e gjyqtarë të provuar besnikë edhe në çështje të tjera). Çfarë ndodh me këtë shqiptar të shkretë, i cili të drejtën nuk e gjen dot tek drejtësia, sepse është i padrejti në krahun tjetër që përdor mënyra “të veçanta” për ta marrë për vete të drejtën.

I mbetet vetëm të paguajë, nëse ka mundësi më shumë se krahu tjetër. Tender. Kush jep më shumë ai fiton. Jo fiton të drejtën. Por fiton mbi drejtësinë. Drejtësia është bërë si kaposhi i plakës. Një goditje çekani dhe në vend të verdhushkave të kaposhit, dalin euro, apo dollarë. Një sistem, i cili ka mbytur te ndershmit. I ka lënë ata mënjanë. Ata që duan shtetin, që duan ligjin, që e bëjnë këtë punë sepse e dashurojnë.

Ata që vërtetë përleshen me krimin e me padrejtësinë. Ata duket sikur janë pak, sepse janë të shumta “nderet” që bëjnë të paktët. Janë të shumta padrejtësitë që bëjnë disa individë në drejtësi. E që nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse fijet e tyre diku janë lidhur, sepse vendimin e tyre nuk ke ku ta ankosh, pasi piramida e drejtësisë ka gurë të qelbur nga themelet deri në majë. Për drejtësinë nuk flitet, por bërbëlitet.

E kanë lënë të zërë qelb, duke sëmurur gjithë shoqërinë shqiptare. E si mund të ecësh përpara, apo të rilindësh, kur shtyllën e shtetit e ke të kalbur. Kjo heshtje për drejtësinë dhe e drejtësisë, është skandali më i madh i politikës shqiptare. Një skandal i heshtur, sepse janë të paktë ata që mund të denoncojnë veprimet e këtij sistemi, sepse mund të humbasin jo vetëm çështjen, por dhe të bëjnë armik një me pozitë. Drejtësia në Shqipëri nuk është aspak e verbër, ajo sheh mirë...çka poshtë dosjes.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë