Në një fragment të shkurtër video gjatë vizitës së Kryeministrit Rama në Japoni, pashë kryeministrin e vendit tim që u përpoq t’i puthte dorën kryeministres japoneze. Pasi ajo e shmangu me takt dhe me siklet këtë veprim, kryeministri u largua, por nuk harroi t’i vendoste dorën mbi sup në shenjë afrimiteti.
Kjo nuk është hera e parë që Kryeministri Rama komentohet për sjelljen e tij në takime ndërkombëtare. Shumë njerëz kujtojnë sjelljen tashmë rutinë të tij kur ulet në gjunjë para Kryeministres italiane Giorgia Meloni. Të njohura janë edhe pamjet kur shkon në takim zyrtar me kryeministrin grek i veshur me atlete, pa kollare dhe me veshje sportive, duke e kaluar situatën me shprehjen: “Nuk e dija se do të më prisnit kaq mirë, prandaj erdha i veshur sportiv.” Po ashtu, në shumë raste të tjera, në takime të rëndësishme protokollare ai është paraqitur me atlete të bardha, madje i ka premtuar edhe presidentit francez se do t’i blinte një palë të tilla.
Disa këtë e quajnë humor, të tjerë spontanitet ose shenjë miqësie. Por çështja nuk është se si interpretohet një veprim i tillë. Çështja është se si një kryeministër duhet të sillet si përfaqësues i shtetit.
Fjala “dinjitar” lidhet me dinjitetin. Dinjiteti nuk është vetëm një cilësi personale, por edhe një detyrim publik. Një drejtues shteti duhet të tregojë vetëkontroll dhe të respektojë standardet që kërkon funksioni i tij. Kur merr pjesë në takime zyrtare, ai përfaqëson Republikën e Shqipërisë dhe jo vetëm veten.
Për këtë arsye ekziston protokolli diplomatik. Ai nuk është një grup rregullash të panevojshme. Protokolli ndihmon që marrëdhëniet mes shteteve të zhvillohen me respekt dhe profesionalizëm. Ai përcakton mënyrën e përshëndetjes, sjelljen në takime dhe respektimin e normave kulturore të vendit pritës.
Asnjë vizitë shtetërore nuk organizohet pa përgatitje. Përpara çdo takimi zyrtar, stafet diplomatike informojnë drejtuesit për zakonet, traditat dhe rregullat e vendit ku do të zhvillohet vizita. Një zyrtar i përgatitur duhet të dijë se me kë takohet dhe cilat norma duhet të respektojë.
Të sillesh ashtu si u soll Kryeministri Rama në Japoni do të thotë të mos kesh parë asnjë film japonez, pa lëre më të kesh lexuar diçka për kulturën dhe mënyrën e sjelljes së njerëzve të atij vendi. Shoqëria japoneze i kushton shumë rëndësi formalitetit, respektit dhe hapësirës personale. Kontakti fizik është më i kufizuar sesa në shumë vende të tjera. Puthja e dorës nuk është pjesë e traditës japoneze dhe prekjet e panevojshme gjatë komunikimit nuk konsiderohen të përshtatshme. Përshëndetja tradicionale bëhet me një përkulje të lehtë dhe me respektimin e distancës personale.
Këto janë informacione të njohura dhe lehtësisht të aksesueshme. Nuk kërkojnë njohuri të specializuara diplomatike. Prandaj, kur një drejtues shteti nuk i respekton këto norma, vështirë se mund të flitet për origjinalitet apo stil personal. Më shumë krijohet përshtypja e mungesës së përgatitjes.
Po aq problematik është edhe reagimi që shpesh pason në Shqipëri. Analistë që shpesh mahniten me “gjyshen veneciane të kryeministrit” i paraqesin këto sjellje si karizëm, ndërsa shkeljen e normave si modernitet ose autenticitet. Në realitet, respektimi i rregullave nuk e ul personalitetin e askujt. Përkundrazi, tregon profesionalizëm dhe seriozitet.
Diplomacia bazohet te respekti reciprok. Respekti fitohet kur njeh kulturën e vendit ku ndodhesh dhe kur tregon konsideratë për njerëzit me të cilët komunikon.
Për këtë arsye, shumë shtete investojnë në trajnimin e drejtuesve dhe diplomatëve të tyre. Ata mësojnë për historinë, kulturën dhe ndjeshmëritë e vendeve partnere. Kjo bëhet sepse marrëdhëniet e mira ndërkombëtare kërkojnë njohje dhe respekt.
Kur një kryeministër duket i papërgatitur përballë kulturave të tjera, pasojat nuk kufizohen vetëm tek ai si individ. Në arenën ndërkombëtare, ai identifikohet me shtetin që përfaqëson. Sjellja e tij ndikon në mënyrën se si perceptohet vendi.
Nga mënyra se si Kryeministri Rama e përshkroi vetë vizitën në Japoni, krijohej përshtypja se vendi pritës kishte bërë përjashtime të veçanta vetëm për të. Sikur protokolli japonez, i njohur për përpikërinë dhe formalitetin e tij, të ishte rishkruar për një ditë të vetme. E dëgjoje dhe mendoje se në Tokio ishin mbledhur zyrtarët më të lartë të shtetit për të diskutuar jo çështjet e marrëdhënieve dypalëshe, por mënyrën më të përshtatshme për të pritur mysafirin nga Tirana.
Në të vërtetë, japonezët bënë atë që bëjnë gjithmonë: respektuan protokollin, treguan mirësjellje dhe kryen detyrat e tyre me korrektësi. Por nga rrëfimi i kryeministrit, të dukej sikur Japonia kishte zbuluar një fenomen aq të rrallë, sa duhej të linte mënjanë traditat e saj shekullore për t’i bërë vend një përvoje krejtësisht të re.
Por kryeministri ynë modest nuk e mbajti gjithë meritën për vete, duke thënë se pritja e shkëlqyer ndaj tij tregonte respekt për Shqipërinë dhe se vizita e tij në Japoni dëshmonte se sa lart ishte ngritur Shqipëria në botë.
Megjithatë, një gjë e arrijnë sjellje të tilla: të mos flitet për rezultatet konkrete të një vizite apo aktiviteti, por të merremi me puthjet, përunjësitë, përqafimet, atletet dhe shallvaret. Nëse ky është qëllimi, atëherë vizita në Japoni ishte vërtet shumë e suksesshme.
Komente












Mendoj qe ato cka shkrimi trajton qendrojne !! Edi duhet ti menjanoje veprimet dhe "xhestet" individuale ! Kur teprohen vetem humbet pike ! Tironci
Përgjigju