Drejt gjeneratës së pagesave të shpejta! Banka e Shqipërisë e përcakton si prioritet në fushën e pagesave

Drejt gjeneratës së pagesave të shpejta! Banka e Shqipërisë e përcakton si prioritet në fushën e pagesave

Foto ilustruese

Banka e Shqipërisë e ka përcaktuar projektin e pagesave të shpejta (instant payments) si një nga prioritetet e afërta në fushën e pagesave. Çfarë janë pagesat e shpejta, pse janë të rëndësishme dhe cilat janë variantet që po merr në konsideratë Banka e Shqipërisë për realizimin e tyre?

Një individ i ri që shkon në një kafene apo restorant dhe paguan shërbimin, duke skanuar një bar-kod me telefonin e tij celular, është sot një lloj imazhi simbol i zhvillimit të shpejtë të teknologjisë së pagesave edhe në pikat fundore. Sot pagesa elektronike nuk është më ekskluzivisht e lidhur me instrumentin klasik të kartës së pagesës, por teknologjia mundëson që funksionin e kartës ta kryejë telefoni celular apo pajisje të tjera që mbahen në trup (wearables).

Teknologjia gjithashtu mundëson që finalizimi i transaksionit dhe kalimi i fondeve nga llogaria e blerësit në atë të shitësit të bëhet pothuajse në kohë reale. Pagesat e shpejta përfaqësojnë evolucionin e pagesave në pikën e shitjes drejt konceptit nga llogaria në llogari (a2a), duke shmangur kartën e pagesës, si instrument dhe infrastrukturën e ndërmjetësimit të lidhur me të.

Një nga projektet më të rëndësishëm të Bankës së Shqipërisë në sektorin e pagesave është ai i pagesave të shpejta apo të çastit (instant payments). Sipas përkufizimit të Bankës së Shqipërisë, e tillë quhet ajo pagesë, në të cilën transmetimi i mesazhit të pagesës dhe disponueshmëria e fondeve për përfituesin e pagesës realizohet në kohë reale, ose pothuajse në kohë reale. Banka e Shqipërisë po e vlerëson me përparësi këtë projekt për disa arsye.

Ngritja e një sistemi të pagesave të shpejta përmirëson efikasitetin e sistemit financiar, duke zhbllokuar fondet, zvogëlon rrezikun sistemik, duke siguruar akses të menjëhershëm të fondeve si dhe ndihmon në formalizimin e ekonomisë, i përgjigjet kërkesës së përdoruesit fundor, duke qenë e disponueshme në çdo kohë, zvogëlon pasigurinë dhe rrit disponueshmërinë e kapitalit qarkullues, zvogëlon koston krahasuar me sistemet e pagesave në formë letër, ndihmon në nxitjen e përfshirjes financiare, zvogëlon varësinë nga paraja e gatshme për transaksionet me vlerë të ulët, si dhe ndihmon inovacionin.

Avantazhet e pagesave të shpejta

Sipas prezantimit të Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e fundit të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, një transaksion instant payment ndjek një cikël si më poshtë. Paguesi i një malli apo shërbimi inicion nga llogaria e tij bankare (ose llogari e pagesës në një institucion tjetër financiar) një pagesë të shpejtë për një përfitues nga llogaria. Banka e urdhëruesit të pagesës kontrollon limitet, rezervon vlerën përkatëse në llogari dhe dërgon pagesën në sistemin e pagesave të shpejta.

Sistemi i pagesave të shpejta validon dhe rezervon pagesën në llogarinë e bankës paguese. Më tej, sistemi i pagesave dërgon pagesën te banka përfituese. Në këtë moment, banka përfituese validon pagesën dhe konfirmon pranimin në sistemin e pagesave të shpejta, ndërsa njëkohësisht lajmëron përfituesin e pagesës për marrjen e fondeve.

Sistemi i pagesave të shpejta dërgon konfirmimin e pranimit te banka e paguesit, që e informon këtë të fundit për ekzekutimin e suksesshëm të pagesave. I gjithë ky cikël funksionon në mënyrë automatike dhe në një kohë shumë të shkurtër, disa sekonda. Vlerësohet se pagesat e shpejta kanë disa avantazhe në raport me opsionet ekzistuese të produkteve dhe shërbimeve të pagesave elektronike. Për shembull, shërbimi internet banking është mjaft i dobishëm për kryerjen e transfertave ose shlyerjen e faturave, por ai nuk mund të përdoret në tregtinë elektronike ose për blerje në dyqan.

Gjithashtu, nëpërmjet internet banking nuk mund të kryhen pagesa ndërbankare përtej orareve të punës së sistemeve të pagesave të Bankës së Shqipërisë. Instrumenti i dytë i pagesave elektronike janë kartat e pagesave. Ato mundësojnë kryerjen e pagesave në të gjitha pikat e shitjes që disponojnë një terminal POS, por megjithatë ato kanë kufizimet e tyre. Pagesat me kartë kanë shumë aktorë të përfshirë në procesim, gjë e cila imponon kosto dhe kohë. Nga ana tjetër, transaksionet me kartë kanë disa kufizime në vlerë dhe me to nuk mund të paguhen shuma të mëdha parash.

Në teori, pagesat e shpejta mundësojnë zgjidhjen e problemeve të mësipërme, duke iu dhënë shitësve dhe blerësve akses në pagesa pa kufizime në kohë, vlerë dhe me kosto më të ulëta krahasuar me kartat.Nga këndv ështrimi i konsumatorit, kjo teknologji mundëson pagesa person me person (P2P) në mënyrë shumë të lehtë nëpërmjet celularit dhe përdorim për blerje në internet dhe në dyqan lehtë dhe për çdo shumë. Nga këndvështrimi i biznesit, ai është një opsion më i lirë se kartat dhe mundëson administrim më të mirë të likuiditetit, pasi paratë transferohen në kohë reale.

Ai mundëson edhe shitje në vlera të mëdha në kohë reale, duke qenë një alternativë e disponueshme 24 orë në ditë, pa ndërprerje. Sistemi sjell përfitime edhe për Qeverinë, sepse nxit përfshirjen financiare të popullsisë dhe uljen e informalitetit në transaksionet ekonomike.

Katër variante për zbatimin

Mundësimi i pagesave të shpejta kërkon ngritjen e një sistemi të dedikuar për procesimin e tyre. Vende të ndryshme kanë adoptuar praktika të ndryshme për ngritjen e këtyre sistemeve. Për shembull, në Serbi dhe Hungari, sistemet e instant payments janë ngritur nga bankat qendrore dhe përdorimi i tyre është i detyrueshëm për bankat tregtare. Vende të tjera, si Sllovenia, kanë përdorur një qasje më të segmentuar dhe shërbimi ofrohet nga aktorë të ndryshëm privatë.

Bazuar në diskutimet e kryera në mbledhjen e fundit të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, Banka e Shqipërisë aktualisht po konsideron katër variante të mundshme për zbatimin e projektit të pagesave të shpejta. Varianti i parë është përshtatja (upgrade) e sistemit aktual ndërbankar të pagesave me vlerë të madhe (AIPS). Ai parashikon integrimin e funksionit të shlyerjes së pagesave të shpejta me funksionin e shlyerjes në AIPS, ku Banka e Shqipërisë është pronare dhe operator i sistemit.

Varianti i dytë është përshtatja e sistemit aktual të klerimit të pagesave me vlerë të vogël (AECH). Teknikisht, kjo do të kërkonte lidhjen e core banking të bankave me AECH dhe më tej, integrimin e funksionit të shlyerjes së pagesave të shpejta me funksionin e shlyerjes në AIPS. Edhe në këtë rast, Banka e Shqipërisë është pronare dhe operatore e sistemit. Ajo mund të konsiderojë realizimin e shlyerjes në kohë reale, por, si në variantin e parë, ashtu edhe në të dytin, Banka e Shqipërisë do t’u kërkojë pjesëmarrësve të sistemit të mbajnë rezerva likuiditeti (liquidity pools).

Varianti i tretë është ndërtimi i një sistemi të ri të pavarur të pagesave të shpejta, të prokuruar dhe të ndërtuar nga Banka e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë mund të jetë enti pronar dhe operator i sistemit të ri për vitet e para dhe më pas, kur sistemi të sigurojë përfitueshmëri, pronësia mund t’u kalohet bankave. Varianti i katërt është ofrimi i shërbimit nga një kompani fintech lokale ose rajonale. Kompania fintech shlyen pozicionet multilaterale neto të pjesëmarrësve nëpërmjet AIPS, ndërkohë që do të jetë detyrë e saj të krijojë dhe mekanizma për administrimin e rrezikut të likuiditetit dhe kreditit.

Banka e Shqipërisë ka kryer një analizë paraprake të implikimeve për aktorët e përfshirë në secilin prej varianteve, si kapaciteti organizativ e strukturor, kapaciteti operacional, investimi fillestar dhe mbulimi i kostos, lehtësia e zbatimit dhe tërheqja e klientëve të rinj, familjarizimi i klientëve, etj. Banka e Shqipërisë ka arritur në përfundimin se varianti i katërt, që parashikon ofrimin e shërbimit nga operatorë privatë, është opsioni më i përshtatshëm në fazën aktuale të zhvillimit të tregut.

Pse pagesat e shpejta janë të lidhura ngushtë me bankingun e hapur

Burime nga tregu bëjnë të ditur se, në fakt, shërbimi i instant payments teknikisht mund të ofrohet nga shumë prej institucioneve fintech që operojnë sot në treg. Por, ata shprehen skeptikë lidhur me mundësinë e ngritjes së një sistemi të tillë mbi baza vullnetare, nga bankat dhe operatorët e tjerë të pagesave. Sfida në këtë rast do të jetë ndërlidhja dhe këmbimi i informacionit mes llogarive në banka të ndryshme nga operatorë të ndryshëm të ofrimit të shërbimit. Deri tani, bankat nuk janë shfaqur shumë bashkëpunuese me njëra-tjetrën, siç ishte rasti i projektit të switch kombëtar, ose me institucionet e reja të pagesave fintech.

Rrjedhimisht, ekspertët mendojnë se ngritja e një skeme kombëtare të instant payments, pa një sistem qendror, mundësisht të ngritur dhe operuar nga Banka Qendrore, do të jetë e vështirë. Një element shumë i rëndësishëm i lidhur me instant payments do të jetë edhe banking i hapur (open banking). Banka e Shqipërisë iu ka lënë afat bankave deri në fillim të vitit 2024 për t’i dhënë akses njëra-tjetrës dhe operatorëve të tjerë të pagesave në llogaritë e klientëve (gjithmonë me miratimin paraprak të klientit), me qëllim kryerjen e transaksioneve të pagesave nga llogaritë përkatëse.

Ekspertët mendojnë se, nëse koncepti i open banking do të bëhet operacional, kjo do ta lehtësonte edhe kryerjen e instant payments, sepse çdo ofrues shërbimi do të kishte akses në llogaritë bankare të urdhëruesit dhe përfituesit të pagesës. Bankat dhe institucionet e tjera financiare do të kenë afat deri në vitin 2024 për të përmbushur të gjitha kërkesat që parashikon rregullorja e posaçme e Bankës së Shqipërisë. Nëse open banking do të bëhet funksional brenda afateve të vendosura nga Banka Qendrore, gjasat për të pasur një zhvillim të instant payments të mbështetur në nismën e tregut janë më të mëdha.

Rregullimi i tregut po transformohet

Që prej vitit 2021, kur hyri në fuqi ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”, Banka e Shqipërisë ka nisur rishikimin rrënjësor të kuadrit rregullator të lidhur me institucionet financiare të pagesave. Ndryshimet që mbështeten kryesisht në kuadrin rregullator të BE-së tentojnë të nxisin rritjen dhe modernizimin e tregut të pagesave, duke rritur transparencën, konkurrencën dhe sigurinë në ofrimin e këtyre shërbimeve. Rregullorja “Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit” u jep mundësinë ofruesve të shërbimeve të pagesave dhe klientëve të tyre që të përdorin të njëjtat shërbime dhe standarde të krijuara nga ofruesit e shërbimeve të pagesave në vendet e BE-së.

Autentifikimi i thelluar i klientit është një nga kërkesat e Direktivës Europiane të Pagesave (PSD2), të transpozuar në ligjin 55/2020 “Për shërbimet e pagesave”, që synon të rrisë sigurinë dhe të minimizojë rrezikun e mashtrimit kryesisht në fushën e pagesave elektronike. Procesi bazohet në përdorimin e dy ose më shumë elementeve të kategorizuara si njohuri, posedim dhe qenësi, të cilët, duke qenë të pavarur, sigurojnë që shkelja e njërit prej elementeve nuk komprometon besueshmërinë e elementeve të tjera, si dhe sigurojnë mbrojtje të konfidencialitetit të të dhënave të autentifikimit të klientit.

Rregullorja është e lidhur ngushtë edhe me konceptin e bankingut të hapur, që është një ndër risitë kryesore të ligjit të ri. Ajo mundëson që klientët të realizojnë shërbime pagesash nga llogaria e tyre bankare, edhe nëpërmjet institucioneve të tjera financiare dhe jo domosdoshmërisht nëpërmjet bankës ku kanë llogarinë. Mbi këtë bazë, çdo zotërues i një llogarie bankare mund të marrë informacion mbi gjendjen e llogarisë dhe të iniciojë pagesa edhe nga një institucion financiar i ndryshëm nga banka, i licencuar për këto shërbime.

Rregullorja parashikon që ofruesit e shërbimeve të pagesave të disponojnë mekanizma të monitorimit të transaksioneve, që u mundësojnë atyre zbulimin, apo identifikimin e transaksioneve të pagesave të paautorizuara, ose me qëllime mashtrimi. Këto mekanizma do të bazohen në analizën e transaksioneve të pagesave, duke marrë parasysh elementet që janë tipikë te përdoruesit e shërbimeve të pagesave në rrethanat e një përdorimi normal të kredencialeve të personalizuara të sigurisë.

Zbatimi i masave të sigurisë të parashikuara duhet të dokumentohet, testohet periodikisht, vlerësohet dhe auditohet nga kontrolli i brendshëm ose auditorë të jashtëm, me ekspertizë në sigurinë e teknologjisë së informacionit dhe pagesave, të cilët janë të pavarur nga pikëpamja operacionale brenda ofruesit, ose nga ofruesi i shërbimeve të pagesave. Rregullorja përcakton se autentifikimi i thelluar duhet të bazohet në dy ose më shumë elemente të pavarura.

Kodi i autentifikimit duhet të pranohet vetëm një herë nga ofruesi i shërbimeve të pagesave, në rastet kur paguesi përdor kodin e autentifikimit për të hyrë në llogarinë e tij të pagesës online, për të iniciuar një transaksion elektronik pagese. Ofruesit e shërbimeve të pagesave duhet të zbatojnë masa sigurie, të cilat sigurojnë që kodi i autentifikimit nuk mund të falsifikohet dhe të mos jetë e mundur të gjenerohet një kod i ri autentifikimi, bazuar në njohurinë e ndonjë kodi tjetër autentifikimi të gjeneruar më parë.

Numri i tentativave të dështuara të autentifikimit që mund të ndodhin njëra pas tjetrës, pas të cilave bllokohet përkohësisht ose përgjithmonë aksesi, nuk duhet të jetë më shumë se pesë, brenda një periudhe të caktuar kohore. Pasi përdoruesi të jetë autentifikuar për të aksesuar online në llogarinë e tij të pagesës, koha maksimale pa aktivitet nuk duhet të kalojë pesë minuta.

Nga ana tjetër, rregullorja parashikon edhe disa raste kur ofruesit e shërbimeve të pagesave mund të mos zbatojnë autentifikimin e thelluar të klientit. Raste të tilla mund të jenë kur paguesi inicion një transaksion pagese elektronike pa kontakt, nëse shuma individuale e transaksionit të pagesës elektronike pa kontakt nuk tejkalon 3 mijë lekë, kur shuma e transaksioneve të mëparshme të pagesave elektronike pa kontakt nga data e zbatimit të fundit të autentifikimit të thelluar të klientit nuk tejkalon 10 mijë lekë, ose kur numri i transaksioneve të njëpasnjëshme të pagesave elektronike pa kontakt që nga zbatimi i fundit i autentifikimit të thelluar të klientit nuk është më i lartë se pesë.

Përjashtim nga autentifikimi i thelluar mund të bëhet edhe në rastet kur paguesi inicion një transaksion pagese elektronike në distancë me vlerë deri në dy mijë lekë, kur shuma kumulative e transaksioneve të mëparshme të pagesave elektronike të iniciuara nga paguesi, që nga zbatimi i fundit i autentifikimit të thelluar të klientit, nuk tejkalon gjashtë mijë lekë, ose kur numri nuk i kalon pesë transaksione individuale të njëpasnjëshme. Përjashtim tjetër nga autentifikimi i thelluar i klientit mund të bëhet kur paguesi inicion një transaksion pagese elektronike në një terminal pagese të pambikëqyrur, për shembull, për qëllime të pagimit të një pagese transporti ose një tarife parkimi.

Gjithashtu, ofruesit e shërbimeve të pagesave mund të mos zbatojnë autentifikimin e thelluar të klientit, në rastet kur paguesi kryen një transaksion pagese dhe përfituesi përfshihet në një listë të përfituesve të besuar të krijuar më parë nga paguesi. Përjashtimet nga autentifikimi i thelluar i klientit, në shumicën e rasteve, janë në funksion të shërbimeve të pagesave të shpejta, të llojit instant payments.

Llogaritë do të mund të transferohen mes institucioneve të pagesave

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi në fund të vitit 2022 edhe rregulloren “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe për shërbimin e transferimit të llogarive të pagesave. Kjo rregullore synon të lehtësojë krahasimin e tarifave të shërbimeve të pagesave mes institucioneve të ndryshme financiare dhe njëkohësisht të mundësojë transferimin e llogarive midis institucioneve të ndryshme të pagesave. Sipas rregullores, ofruesit e shërbimeve të pagesave duhet të mundësojnë shërbimin e transferimit midis llogarive të pagesave të mbajtura në të njëjtën monedhë, për të gjithë konsumatorët që hapin ose mbajnë një llogari pagese.

Shërbimi do të kryhet nga subjekti marrës i shërbimit të pagesës, pas marrjes së autorizimit nga konsumatori. Në rastin kur llogaria zotërohet nga dy ose më shumë persona, autorizimi duhet të merret nga secili prej tyre. Procesi do të funksionojë në mënyrë të ngjashme me bartjen e numrit në shërbimet e komunikimit, kur klienti i drejtohet vetëm subjektit marrës dhe është ky i fundit që kryen procedurat me subjektin dhënës. Subjekti marrës i shërbimit të pagesës, brenda dy ditëve të punës nga marrja e autorizimit të konsumatorit i kërkon ofruesit transferues të shërbimit të pagesës të dërgojë një listë të urdhërpagesave periodike për transferta krediti dhe informacionin e disponueshëm për mandatet e debitimit direkt që janë transferuar.

Subjekti transferues duhet të ndalojë pranimin e debitimeve direkte dhe transfertave të kreditit në mbërritje, me efekt nga data e specifikuar në autorizimin e nënshkruar nga konsumatori: kjo në rastet kur ofruesi transferues i shërbimit të pagesës nuk siguron një sistem për ridrejtimin e automatizuar të transfertave të kreditit në mbërritje dhe debitimeve direkte në llogarinë e pagesës të mbajtur nga konsumatori me ofruesin marrës të shërbimit të pagesës.

Gjithashtu, ofruesi transferues i shërbimit të pagesave duhet të anulojë urdhërpagesat periodike, me efekt nga data e specifikuar në autorizim, të transferojë çdo balancë kreditore të mbetur drejt llogarisë së pagesës që konsumatori ka me ofruesin marrës të shërbimit të pagesës dhe të mbyllë llogarinë e pagesës në datën e specifikuar nga konsumatori. Ofruesi transferues (dhënës) i shërbimit të pagesës ka afat pesë ditë pune për të kryer të gjitha procedurat e mësipërme.

Rregullorja parashikon gjithashtu që të gjitha tarifat që i ngarkohen konsumatorit në këtë proces, qoftë nga subjekti marrës apo transferues, duhet të jenë të arsyeshme dhe të orientuara drejt kostove. Tarifat dhe të gjitha kushtet e tjera të lidhura me shërbimin e transferimit të llogarive të pagesës duhet të jenë të publikuara dhe të disponueshme në çdo kohë, nga të gjitha subjektet e licencuara për shërbime të pagesave. Sipas rregullores, Banka e Shqipërisë do të hartojë dhe do të publikojë një listë me të paktën 10 dhe jo më shumë se 20 shërbimet më përfaqësuese të lidhura me një llogari pagese, të cilat janë subjekt i një tarife.

Banka e Shqipërisë, për hartimin e listës, do të marrë në konsideratë shërbimet që përdoren më shpesh nga konsumatorët në lidhje me llogarinë e tyre të pagesës dhe gjenerojnë kostot më të larta për ta. Ofruesit e shërbimeve të pagesave do të raportojnë pranë Bankës së Shqipërisë raporte tremujore mbi tarifat e aplikuara për shërbimet e përfshira në listë. Në rast të ndonjë ndryshimi të tarifave, ose hedhjes në treg të produkteve të reja përpara tremujorit raportues në vijim, ofruesit e shërbimit të pagesave duhet të raportojnë menjëherë në Bankën e Shqipërisë tarifat e reja.

Ofruesit e shërbimeve të pagesave duhet t’i vendosin në dispozicion konsumatorit përpara lidhjes së kontratës për një llogari pagese, një dokument që përmban informacion mbi tarifat përkatëse dhe që përfshin termat e standardizuara në listën e shërbimeve më përfaqësuese të hartuar nga Banka e Shqipërisë. Ofruesit e shërbimeve të pagesave duhet të dokumentojnë nënshkrimin e dokumentit nga konsumatori dhe datën e nënshkrimit të tij. Ofruesit e shërbimeve të pagesave duhet t’i paraqesin konsumatorit, të paktën çdo vit dhe pa pagesë, një pasqyrë mbi të gjitha tarifat e aplikuara, në format të ngjashëm me një faturë analitike.

Pasqyra mbi tarifat e aplikuara duhet të përmbajë tarifën për njësi, të aplikuar për secilin shërbim dhe numrin e rasteve që shërbimi është përdorur gjatë periudhës përkatëse; shumën totale të tarifave të aplikuara gjatë periudhës përkatëse për secilin shërbim, secilën paketë të shërbimeve të ofruara dhe shërbimet që tejkalojnë sasinë e mbuluar nga tarifat e paketës; normën e interesit të kredisë kufi (overdraftit) të aplikuar për llogarinë e pagesës dhe shumën totale të interesit të aplikuar në lidhje me overdraftin; normën e interesit kreditor të aplikuar për llogarinë e pagesës dhe shumën totale të interesit të fituar gjatë periudhës; shumën totale të tarifave të aplikuara për të gjitha shërbimet e ofruara gjatë periudhës.

Pagesat elektronike po rriten me ritme të shpejta

Projekti i pagesave të shpejta ka kryesisht qëllim të lehtësojë pagesat elektronike të konsumatorëve, kryesisht pagesat në pikat e shitjes të produkteve apo shërbimeve. Në sektorin bankar shqiptar ka një tentativë nga Raiffeisen Bank për të sjellë modelin e pagesave të shpejta nga llogaria, duke përdorur telefonin celular. Megjithatë, ky shërbim është i kufizuar vetëm për klientët e bankës në fjalë dhe vetëm në biznese të veçanta. Për momentin, alternativa kryesore e kryerjes së pagesave elektronike në pikat e shitjes janë kartat bankare.

Modeli i instant payments, në fakt, tenton ta anashkalojë kartën si instrument dhe është i konceptuar si një sistem për kryerjen e transfertave nga llogaria në llogari, duke përdorur si instrument pagese zakonisht telefonin celular dhe aplikacionin e internet banking të instaluar në të. Megjithëse analizat krahasuese tregojnë se Shqipëria është ndër vendet me përdorimin më të ulët të pagesave me kartë në Europë, në vitet e fundit këto pagesa po rriten me ritme të shpejta.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për vitin 2021, pagesat me kartë në terminalet POS arritën vlerën e 34.9 miliardë lekëve, në rritje me 37% krahasuar me një vit më parë. Të dhënat e deritanishme tregojnë se edhe viti 2022 është i destinuar të mbyllet me rritje të lartë. Deri në fund të 11-mujorit 2022, pagesat me kartë në terminalet POS arritën vlerën e 45.4 miliardë lekëve, ose 30.2% më shumë krahasuar me volumin e vitit të plotë 2021.

Rezultatet e vitit 2021 janë tejkaluar edhe në numër transaksionesh. Në 11 muajt e vitit 2022, klientët e sektorit bankar kanë kryer rreth 9.6 milionë pagesa me kartë, shifër kjo 21.9% më e lartë krahasuar me vitin e plotë 2021.Pesha e veprimeve me kartë në terminalet POS për 11-mujorin 2022 përbënte rreth 13.9% të totalit të veprimeve me karta bankare, nga 11.5% që ishte ky raport në vitin 2021. Megjithëse veprimet me karta bankare vazhdojnë të dominohen nga tërheqjet cash në bankomate, pesha e pagesave elektronike në vitet e fundit është në rritje dhe për 11-mujorin 2022 ka prekur nivelin më të lartë historik.

Sipas ekspertëve, një nga faktorët që frenon pranimin e pagesave elektronike nga bizneset janë kostot. Për çdo pagesë të kryer me kartë, banka që ofron shërbimin mban si komision një përqindje të caktuar të transaksionit. Për këtë arsye, shumë biznese nuk preferojnë të pranojnë pagesa me kartë, ose i pranojnë ato sipër një vlere dysheme të blerjes. Për të adresuar këtë problem, prej vitesh në Komitetin e Sistemit të Pagesave u diskutua projekti i një skeme kombëtare të shlyerjes së pagesave me kartë (national card switch).

Skema do të ulte ndjeshëm kostot e transaksioneve kombëtare me kartë, të cilat, në një pjesë të madhe, u detyrohen tarifave që ngarkojnë aktorët e mëdhenj globalë të pagesave, si Visa apo Mastercard. Por, ky projekt nuk gjeti mbështetjen e sektorit bankar. Sistemi i pagesave të shpejta do të ketë kosto të procesimit të pagesave ndjeshëm më të ulëta krahasuar me skemat aktuale të pagesave me kartë. Kjo pritet të lehtësojë më shumë pranimin e pagesave elektronike nga bizneset.

Megjithatë, Shqipëria ngelet ende një treg sfidues për zhvillimin e pagesave të shpejta, kryesisht për shkak të informalitetit të lartë, sidomos mes bizneseve të vogla, por edhe kulturës ende të dobët financiare. Kuadri i ri ligjor dhe rregullator, që reflekton risitë e Direktivës së dytë Europiane të Pagesave (PSD 2), ka tërhequr një numër në rritje të aktorëve në tregun e pagesave. Në dy vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka licencuar pesë institucione të reja të emetimit të parasë elektronike.

Numri i përgjithshëm i institucioneve të parasë elektronike ka arritur në tetë, përveç bankave dhe institucioneve të tjera që ofrojnë gjithashtu shërbime të pagesave./Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja tha garantohet

Kushtetuesja tha garantohet "vota parapëlyese në 2/3 e listës", shifrat e sondazhit: Mbi 80% e ligjvënësve zgjidhen nga krerët e partive