Drejt Punës/ Manuela Kalemi: Si
të bëhesh një instruktore aerobie

Drejt Punës/ Manuela Kalemi: Si<br />të bëhesh një instruktore aerobie
TIRANE- Ajo ishte vetëm 6 vjeçe kur ka nisur ushtrimet e para gjimnastikore, por sot na shfaqet një instruktore profesioniste. Kjo është Manuela Kalemi, gjimnastja e kombëtares shqiptare, vajza e  cila ka përfaqësuar Shqipërinë në shumë evente sportive ndërkombëtare.

Në një intervistë për “Shqiptarja.Com”, ajo nuk ndalet vetëm tek pasioni i saj dhe mundësitë që i ka ofruar ky profesion, por tregon disa detaje të rëndësishme që secili nga ne duhet ti ndjek. “E mira është që një person të merret me aktivitet fizik që në vogëli dhe me kalimin e moshës të shtohet dhe aktiviteti fizik”, tregon Manuela. Edhe pse ajo karrierën e saj e ka nisur si instruktore në palestra të ndryshme, falë pasionit dhe përkushtimit për sportin ajo sot drejton një qendër aerobie e cila më së shumti frekuentohet nga femrat, sidomos gratë shtatzëna.

“Fillimet e mija i kam pasur në palestra të ndryshme, deri në momentin që arrita të hap palestrën time”, thekson instruktorja. Edhe pse ajo i mëshon faktit se aktiviteti fizik është arma më e fortë për të luftuar çdo sëmundje, instruktorja thekson se palestra nuk përmbush vetëm dëshirën për të pasur një trup perfekt, por ndikon dhe në shëndetin psikologjik. “Palestra nuk është vetëm për të pasur një trup të mirë me strukturë muskulore të dëshiruar ose për të pasur një trup në formë, por, edhe për të qenë sa më të shëndetshëm fizikisht dhe psikologjikisht në çdo ditë që jetojmë”.
 

Prej vitesh ushtroni profesionin e instruktores së aerobisë dhe aqua gym. Si ka lindur ky pasion për ju?
Aerobi kam 7 vite që bëj, ndërsa me sportin jam marrë që në moshën 7 vjeçare. Unë përdor një strukturë të veçantë do të thosha sepse nuk është aerobi e mirëfilltë. Për shkak të sportit që kam bërë e cila është gjimnastika artistike, më tepër fus ushtrime gjimnastikore. Që do të thotë se, aerobia e cila në gjithë palestrat zgjat 45 minuta, unë e bëj 2 orë. Nuk mund të krahasosh efektin që japin veglat me forcën e trupit, çdo gjë e realizon vete nuk ke stimulant. 
 
Si të lindi ideja të hapje një qendër aerobie. Është një nisëm e vështirë?
Në fakt, duke qenë se kam shumë besim tek vetja dhe pasioni më ndjek në çdo moment deri më sot ja kam dalë. Fillimet e mija i kam pasur në palestra të ndryshme, deri në momentin që arrita të hap palestrën time.
 
Cila është mosha më e përshtatshme për të filluar palestrën?
Mosha më e përshtatshme për të filluar aktivitetin sportiv është që 5 vjeç, realisht jo palestër, por lojëra sportive pasi i japin formim të gjithanshëm fëmijës dhe e ndihmon shumë në zhvillimin e cilësive fizike. Pra, e mira është që një person të merret me aktivitet fizik që në vogëli dhe me kalimin e moshës të shtohet dhe aktiviteti fizik.
 
Sa herë në javë këshillohet të frekuentohet palestra për fillestarët, po për personat që kanë kohë që bëjnë palestër?
Për fillestarët në qoftë se janë mbipeshë e mira është të bëjnë palestër 4 herë në javë, ndërsa për ata që ndjekin rregullisht palestrën mjaftojnë 3 herë në javë për të mbajtur format trupore.
       
Kur fillojnë të shfaqen rezultatet e para të aktivitetit fizik?
Personalisht, në palestrën time që në muajin e parë kam parë ndryshime, por pas 3 muajsh shfaqen rezultatet tepër të kënaqshme. Palestra nuk është vetëm për të pasur një trup të mirë me strukturë muskulore të dëshiruar ose për të pasur një trup në formë, por, edhe për të qenë sa më të shëndetshëm fizikisht dhe psikologjikisht.
 
A janë të këshillueshme suplementet që përdoren për shtim të masës muskulare?
Suplementet janë tepër të dëmshme pavarësisht reklamave që i bëjnë. Suplementët që përdoren për masë muskulare nuk ia rekomandojë askujt.
 
Çfarë efektesh kanë shkëputjet në periudha të gjata nga palestra?
Shkëputjet me kohëzgjatje të madhe, përveçse anën trupore që ndikojnë dhe në psikologjinë e individëve, pasi aerobia është antistres dhe liron gjithë energjitë negative dhe gjithë kimikatet e trupit.
 
Si ka ndryshuar raporti mes djemve e vajzave që e frekuentojnë palestrën? A vihet re një numër në rritje i vajzave që merren me aktivitet fizik?
Unë shikoj një raport në rritje përsa i përket aktivitetit fizik, sidomos për aerobin vë re një mobilizim goxha të madh përsa i përket femrave(mosha të ndryshme).


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Vuani nga rënia e flokëve? Ushqimet që duhet të konsumoni

Vuani nga rënia e flokëve? Ushqimet që duhet të konsumoni