Drejt Punës/ Pezana: Zdrukthtaria
 çelësi i aftësive të mia si arkitekte

Drejt Punës/ Pezana: Zdrukthtaria<br /> çelësi i aftësive të mia si arkitekte
TIRANE- Mes qindra paletave dhe tek-tuk vegla që jemi mësuar ti shikojmë vetëm në një zdruthktari i gjejmë në duart e holla të një femre. Kjo është arkitekja Pezana Rexha e cila nuk e ka fare problem të bëj çdo lloj pune, madje ajo na tregon se në këtë punishte është ‘dashuria’ që ajo ka që në fëmijëri.

Përmes këtij rrugëtimi ndër vite, Pezana na tregon kjo nuk ishte diçka e rastësishme, ajo këtë dhunti dhe dashuri ndaj drurit e ka të gdhendur nga babi i saj, i cili sot është dhe mjeshtri që iu qëndron në kokë djemëve të rinjë të punishtes “Design by Pana”. Edhe pse ne mund të flasim shumë për punën e veçantë të saj, ne po ju ofrojmë një rrëfim ndryshe nga herët e tjera, madje një nismë socila të rrallë që pak herë e kemi parë në Shqipëri, për të mos thënë fare.
 
Të shikosh një arkitekte femër që bën punën e marangozit, është pak e çuditshme në tregun shqiptarë. Si ka ndodhur me ju, si jeni afruar drejt këtij profesioni?
Disa gjëra që na ndodhin gjatë fëmijërisë nuk arrijmë ti kuptojmë se pse apo si do influencojnë tek ne. Babi ka qenë gjithnjë shumë i dhënë pas shtëpisë dhe çdo gjë që kemi patur ka qenë e bërë vetëm prej duarve të tij. Unë si ‘djali’ i shtëpisë rrija gjithë kohën pas tij dhe me dashje pa dashje dija të përdorja shumë vegla e të realizoja gjera te ndryshme. Gjatë gjithë jetës time se kam menduar kurrë që do vinte dita që t’i përdorja këto aftësi si profesioni im i dytë e mbi të gjitha pasion.

Sa i përket arkitekturës dhe marangozit ose drupunuesit, mendoj se jam me fat që kam atë profesion pasi çdo objekt e ndërtoj më parë në mendjen time për të parë mundësitë e realizimit konkrete. Çuditërisht jeta më ka çuar në shtigje që në një mënyrë apo tjetër lidhen shumë mirë dhe bukur midis tyre. Është kënaqësi të punosh e të ndërthuresh profesionin me pasionin, çdo gjë bëhet dhe më e lehtë.
 
Edhe pse studimet tuaja janë për arkitekturë, ju keni zgjedhur një mënyrë interaktive për tu vetpunësuar. Është kjo një zgjedhje frytdhënëse?
Të jesh arkitekt s’do të thotë detyrimisht që s’ke aftësi sipërmarrje. Gjithnjë jam karakterizuar nga guximi për të bërë gjëra të reja dhe të pavarura dhe me kalimin e viteve kjo aftësi nuk është se u zhduk përkundrazi në çdo sekond përpiqem të gjej alternativa që të jem e pavarur kundrejt njerëzve apo dhe familjes.

‘Design by Pana’ është thesar për mua, në të janë përfshirë të gjitha gjërat që unë dua dhe me të cilat dua të merrem. Në të ka nga pak nga të gjitha, dashuri, përkushtim, miqësi, psikologji, arkitekturë, art dru, përpunim, vështirësi dhe shumë e shumë ndjesi të tjera që në pjesën më të madhe të rasteve miksohen duke shkaktuar shpesh dhe lodhje të tejskajshme, por kur sheh rezultatin në fund ndjen një lehtësim të menjëhershëm.

Mendoj se askush s’duhet të pres thjesht për një vend pune, gjithsecili ka çdo lloj mundësie dhe kapaciteti për t’ia dal mban i vetëm pa qenë nevoja të kërkoj ndihmë apo thjesht një pozicion pune. S’mendoj se shoqëria dhe rinia e sotme duhet të kërkoj kaq pak, por duhet të luftoj tërë kohën për një të ardhme më të mirë për veten e tyre e cila paralelisht sjell dhe një mirëqenie në komunitet.
 
Çfarë ju lidh me zdrukthtarinë sepse pamë që zbritët bashkë me një çantë me vegla pune...?
Po tani më lidh çdo gjë praktikisht. Më parë si arkitekte shihja gjithnjë vështirësi për të gjetur mobilje apo objetke të ndryshme me një dizajne të caktuar dhe mendoja si ka mundësi të kesh dëshirë të bësh diçka ndryshe, por ndërkohë të kesh dhe pamundësi për të gjetur, pa hyrë më pas tek pjesa e çmimit për sa kohë kërkon diçka të personalizuar.

Tani praktikisht çdo ditë mendoj si të bëj element të rinjë që mund të pëlqehen e gjithësecili të ketë mundësine t’i ketë në shtëpi apo ambjente të tjera. Zdrukthtaria është kthyer në çelsin e të treguarit të aftësive të mija si arkitekte. Shihja pamundësi për të bërë interiere sipas filozofisë time, tashmë kam në dorë çdo gjë, më mjafton druri dhe disa vegla dhe çdo gjë që kam në mendje mund të realizohet lehtësisht.
 
Si nisi ideja për të çelur këtë punishte që sot ka mbi 12 punëtorë, një nismë kjo që premton akoma dhe më shumë?
Po si çdo gjë tjetër në jetën time dhe kjo ishte shumë rastësore. Siç e thashë dhe më parë si fillim erdhi si nevojë personale dhe profesionale për të patur mundësinë e blerjes së gjërave dhe elementeve unik. Më pas, na u desh të mobilonim një shtëpi me qera që sigurisht si çift i ri s’mund t’ia lejonim vetes të shpenzonim shumë, duke kërkuar menduam që të përdornim paletat e kështu realizuam diçka shumë unike me një kosto shumë të vogël.

Një njoftim në “facebook” na zgjoj kureshtjen që gjithë këtë potencial që ishte aty, por askush spo e përdorte ta vinim në jetë duke mundësuar punësimin e personave që realisht kanë nevoj për një profesion dhe një vend për të fituar pak dinjitet dhe në të njëjtën kohë një jetesë normale.

Kështu lindi aventura jonë e cila për pak bëhet dy vjeç dhe ne shpresojmë që kjo rrugë të mos ndaloj, përkundrazi të kalojmë në stade të tjera dhe të arrijmë tu shërbejmë shumë më shumë klientëve që përkthehet edhe në më shumë të punësuar. Ky është vetëm fillimi, mendo ç’mund të bëj bebi "Design by Pana" kur të jetë adoleshentë.
 
Sot, është e vështirë që të përpunosh drurin dhe mobiljet e vjetra. Është dizanji themeli i këtij suksesi që ju keni me klientët?
Kjo është pjesa më kyçe e të gjithë asaj ç’ka ne bëjmë dhe po përpiqemi të bëjmë. Fantazia duhet të jetë gjithnjë në punë për të gjetur zgjidhje dhe për t’i ardhur në ndihmë secilit nga klientëve/miqëve tanë. Është një rrugëtim që nëse përfshihesh në të asgjë tjetër nuk ka më kuptim, mendja, trupi dhe çdo shqipe punon vetëm për të gjetur zgjidhje.

Tashmë truri im punon me elementë dhe që para se të bëhen vizatimet mendoj se si mund të shkojmë tek vizatimet me elementët që ne disponojmë. Është shumë kreative e s’të lë kurrë të jesh në gjumë. Unë, mundohem që çdo element nga mobiljet deri tek dekoracionet të realizohen vetëm përmes objekteve apo elemenetëve që kemi grumbulluar, në të kundërt i gjithe koncepti jeshil i këtij biznesi bie poshtë.

Shpesh na duhet të refuzojmë dhe klientë të cilët kanë dëshirë të përdorin dru të ri apo element të tjerë zëvendësues, por kjo është kundër parimit dhe asaj per çka është nisur i gjithë ky biznes social. Mendoj se do na duhet pak kohëë në Shqipëri që kushdo të vlerësoj ashtu siç duhet punën që ne bëjmë, fal Zotit kemi durim.
 
Si arrini ta përpunoni dhe ta transformoni në diçka të re?
Tani jo të gjitha sekretet thuhen (qesh)! Përgjithësisht çdo gjë shkepet më parë e më pas ribashkohet për kërkesat e porosisë së radhës. Koha e punës është 3 herë më e madhe se krijimi i diçkaje nga elementë tërësisht të rinj.

Shpesh klientët këtë pjesë se kuptojnë dhe shfaqin padurim i cili sigurisht shuhet sapo shohin porosinë e tyre. Ne kemi marrë përsipër një iniciativë realisht pak të komplikuar e të vështirë, por mbase këtu qëndron dhe pjesa më e bukur.
 
Kush janë klientët tuaj më besnik?
Në rreth 70% të punes e kemi me bizneset, baret, restorantet dhe zyrat. Por, realisht ato që preferoj janë çiftet e reja me aq shumë fantazi dhe liri për të bërë aventura në shtëpitë e tyre. Janë të qetë dhe mbi të gjitha 90% janë miqtë tanë më të mirë.

Shpesh nuk arrij të ndaj miqtë nga klientët, pasi rrethi im shoqëror është shtuar për shkak të të gjithë njerëzve që njoh përmes "Design by Pana"-s. Mendoj se kushdo që afrohet tek ne ka diçka unike dhe mbase kjo është dhe arsyeja e miqësive të reja që lindin.
 
Po punët tuaja më të veçanta?
I dua të gjitha punët(sigurisht e kritikoj veten pas çdo pune dhe mundohem të rikuperoj në punën e radhës), por pavarësisht mangësive apo gabimeve që mund të bëjmë, prapë kam shumë dashuri për secilën prej tyre. Të mendosh mundin, lodhjen dhe dashurinë që është hedhur në secilën prej tyre s’ka se si mos ti duash. Nga objektet është një simbol që kemi bërë si dhuratë për Ministrinë e Mirëqenies Social nga Ambasada Hollandeze, simbol për të drejtat e njeriut.

Ndërsa, nga baret parapëlqej ‘Ëoodstok’, shpesh thonë që kam hedhur e realizuar gjithë qënien time aty. Di të them që në çdo objekt që ne realizojmë rreth 70% është nga unë pjesa tjetër duhet se s’bën të përfaqësoj personin që do e shfrytëzoj ambjentin, në të kundërt do isha qenie shumë egoiste, edhe pse s’mund ta mohoj që ne arkitektët jemi shumë.
 
Ju theksuat se mund të mobiloni një shtëpi me çdo orendi druri me një kosto shumë të lirë. Është ky një trend i kohës sotme. Si po orientohet masa, duke parë se secilii nga ne do të jetoj eko?
Të qenit e lirë dhe eko janë dy element që duhen veçuar shumë. Nëse produktet tona do të shiteshin në një vend të komunitetit europian si produkte eko do kishin një vlerë rreth 10 herë më të shtrenjta se produktet e tjera të të njëjtës kategori.

Ne jemi të lirë, jo sepse jemi eko, por sepse ne kemi pjesën sociale që s’ka të bëj vetëm me personat e punësuar, por dhe me klientët tanë. Eko dhe produktet eko duhet realisht të jenë të shtrenjta për shkak të gjithë mundit dhe vështirësisë që paraqesin.
 
Veç punës, tashmë ju jeni bërë pjesë edhe e shumë konkurseve dhe vlerësimeve në mbarë Europën për riciklimin e drurit apo paletave të vjetëruara. Do ta vazhdoni akoma rrugëtimin tuaj?
Di t’ju them që është vetëm fillimi. Ndonjëherë më vjen mirë nga vlerësimet e huaja, por më pas më kap një melankoli pasi shoh se sa të vështirë e kam këtu për të arritur qëllimet. Dua që kjo iniciativë të vlerësohet këtu, pasi feedbackun nga të huajt kam kohë që e marr.
 
Cilat janë projektet që do t’iu identifikojnë në vazhdim?
Këto janë surpriza, por di t’iu them që diçka po gatuajmë mbase për disa është gjë e vogël, e për disa të tjerë e madhe, por unë di të them që për 'Design by Pana’ do të jetë kalimi nga çerdhe për në kopësht ose shkollë, varet. Të shohim se si do të shkoj çdo gjë...s’do ju lemë pa ua treguar.
pezana rexha




















Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 26 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Këshilltarët e Doshit bëhen bashkë me Rithemelimin në Dibër, kërkojnë informacion për hidrocentralin e Skavicës! Dështon mbledhja e Këshillit Bashkiak

Këshilltarët e Doshit bëhen bashkë me Rithemelimin në Dibër, kërkojnë informacion për hidrocentralin e Skavicës! Dështon mbledhja e Këshillit Bashkiak