Drejtësi apo shpagim për Mateon?

Drejtësi apo shpagim për Mateon?

Klodian Çalamani

I kuptoj familjarët  e 8 vjeçarit që u godit në kokë me lopatë nga një 38 vjeçar dhe pastaj,  për t’ia hedhur paq me shoqërinë dhe drejtësinë, u gropos shpejt e shpejt në baltën përbri shtëpisë.

I kuptoj kur kërkojnë dënim me vdekje për monstrën. Ta kesh fëmijën mirë e tu mirë, të gjallë, të bukur e të pafajshëm si qëngj dhe në çast të përfundojë i groposur në baltë! Përballë këtij absurdi makabër të erren sytë dhe thuajse instiktivisht kërkon shpagim.

Por e ke vështirë të kuptosh qytetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile që thërrasin ‘Drejtësi për Mateon’ dhe e ngushtojnë këtë tek dënimi me vdekje për vrasësin. Natyrisht dënimi është pjesë e rëndësishme e drejtësisë, por marrë i veçuar dhe i parë si qëllim final tjetersohet e bëhet hakmarrje e thjeshtë dhe mbase edhe primitive.

Drejtësia për Mateon dhe gjithë minorenët që nëpërkëmben, diskriminohen dhe hera herës përdhunohen, madje edhe vriten është shumë më e gjerë e më komplekse sesa një ekzekutim.

Nesër do kemi prapë Mateo të vrarë nëse organet e rendit dhe të drejtësisë nuk do punojnë me rrënjë e me themel kundër keqbërësve, kriminelëve e psikopatëve; per t’i ndeshkuar por edhe për t’i reabilituar. Jo thjesht të bëjnë sikur i gjykojnë e dënojnë dhe sa hap e mbyll sytë t’i lirojnë për arsye që s’dihen por merren me mend.

Nesër do kemi prapë fëmijë viktima nëse komunitetet, në fshat a qytet qofshin, do mbyllin sy perpara individëve problemorë dhe do mendojnë se i takon policit t’i ketë nën mbykqyrje. Pa bashkëpunimin me komunitetin s’ka instrument shtetror që ia del të zbulojë e të parandalojë krimet e paudhesitë.

Nesër do të kemi prap fëmijë të rrezikuar e të deformuar nëse prindërit nuk do t’i ndergjegjesojmë dhe edukojmë të kujdesen për fëmijët në çdo aspekt, duke nisur nga siguria fizike e mirëushqyerja e duke ardhur tek arsimimi dhe edukimi qytetar.

Drejtësia për Mateot do të jetë e vertetë dhe gjithpërfshirëse kur të mos mbetet thjesht dëshirë për shpagim, por të synojë të kthehet në drejtësi sociale që i siguron çdokujt akses të barabartë në të drejtat ekonomike, politike e sociale.

Thellimi galopant i dallimeve mes të kamurve dhe të varfërve, mes qytetit dhe fshatit, mes parisë politike dhe qytetarëve është shenjë se nesër bashkë me Mateot mund të vriten, priten e shperbëhen edhe indet që na mbajnë lidhur si popull e si shoqëri.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Spektakël në 'Friuli', Udinese dhe Torino barazojnë 2-2

VIDEO/ Spektakël në 'Friuli', Udinese dhe Torino barazojnë 2-2