"Drejtësia", Halimi: Shumica s'ka
vullnet, mund të votohej që në shtator 

Bashkëkryetari demokrat i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, Eduard Halimi rrëfen për “5 pyetje nga babaramo” në Report Tv se marrëveshja e kësaj të hëne për draftin e reformës në drejtësi mund të ishte kryer që në shtatorin e vitit të shkuar.
 
Sipas tij, ka munguar vullneti i mazhorancës në këtë proces. 
 
Eduart Halimi sqaron në këtë intervistë edhe mënyrën se si do të funksionojë Byroja Kombëtare e Hetimit, si një njësi që do të hetojë çdo rast korruptiv, ku një Gjykatë speciale do të vendosë për çdo rast në hetim.

"Byroja nuk mund të ishte kurrsesi në varësi të Ministrisë së Brendshme", shprehet Halimi.
 
Z.Halimi, pse u vonua kaq shumë ky vendim i komisionit? Çfarë ndryshoi dje?
Vendimin e sotëm nuk do ta quaj aq glorofik, pasi ai vendim mund të ishte marrë edhe më përpara. Mund të ishte marrë që në shtator të vitit të kaluar. Që në atë kohë, PD, që në korrik të 2015-ës ka shprehur vullnetin e saj politik për të qenë konstruktiv në të gjithë procesin. Ekspertët e opozitës kanë qenë të përfshirë të përfshirë drejtpërdrejt duke hartuar platformën. Ndërsa në shtator, mazhoranca në mënyrë të njëanshme paraqiti një draft, pa praninë e opozitës. Ne kërkuam që të bënim draftin bashkë, jo me dy drafte për të shkuar në Venecia. Nëse do të ishim ulur bashkë që në atë kohë, do të kishim miratuar në parim shumë e shumë gjëra. Ky vendim mund të ishte marrë që në shtator, nëse mazhoranca me egoizëm s'do të kishte thënë do eci e vetme. Në këtë mungesë bashkëpunimi, ne iu drejtuam Venecia dhe ne edhe në atë kohë i kërkuam mazhorancës hajde të ulemi. Dhe po në Janar, mazhoranca e dërgoi sërish e vetme në Komisionin e Venecias. Edhe kur erdhi vendimi final i Venecias ne kemi kërkuar dialog politik nga muaji mars deri në muajin prill. Mazhoranca refuzonte. Me ndërhyrjen e SHBA-BE, në 18 mars u arritën disa marrëveshje.
 
Me vendimin e sotëm mazhoranca ka rënë dakord që të ketë dialog politik?
Është rënë dakord që të diskutohet nën për nen për çështje teknike. Për çështje politike, ne për mazhorancën nuk dakordësohemi dhe për këto çështje duhet të vijojë dialogu politik. Vota pro e opozitës, është votë pro për zhvillimin e procedurave për hartimin e amendamenteve, por jo për çështje politike. Ky proces i sotëm i hap rrugë diskutimeve nen për nen, ndërsa për çështjet politike do të diskutohet edhe në ditët në vijim.
 
Sa ka ndikuar ambasadorët e BE e SHBA në vendimin e sotëm?
Momenti i rëndësishëm i reformës në drejtësi do të miratimi në tërësi, bashkë me ligjet që e shoqërojnë atë. Për këtë moment duhet të shqetësohemi të gjithë. Momenti i sotëm vjen pas një procesi konsultimesh. Drafti i EURALIUS e OPDAT ka rreth 36 ndryshime nga drafti i mëparshëm. Prania e ambasadorëve në këtë proces është jetike për arritjen e një marrëveshje të vendosur nga dialogu politik. Kontributi i ekspertëve të huaj ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm. Në vit më parë, nëse nuk do të ishin përpjekjet e ambasadorëve për pjesëmarrjen paritare të opozitës në komision dhe për vendosjen e Venecias si arbitër, ne akoma do të ishim sot në nivelet e retorikës politike nëse e do njëri reformën, apo e do tjetri. Ishte këmbëngulja e tyre dhe qëndrimi racional për të bërë një produkt që të ishte brenda standardeve të Komisionit të Venecias.   
 
Deklarata e Lu në komision ishte e paprecedentë...
Nuk ka asnjë qëndrim të PD sot nga tre ditë më parë. Kur ne kërkuam kohë që të njiheshim me draftin, para se të shpreheshim për votimin, ishte një qëndrim i matur. Çdo deputet i Kuvendit duhet të lexojë një projekt përpara se ta votojë. Pjesa tjetër, apo qëndrimi i PS që u mbajt në komision që ta votojmë pa e lexuar, ky ishte një qëndrim populist. Ishte irracional. Ndaj dhe këtij qëndrimi të matur të opozitës, i erdhi më pas një qëndrim zyrtar me 10 faqe ku analizoheshin çështjet, teknike, politike, në parim dhe nen për nen.
 
Do zhvillohen mbledhjet me ambasadorët?
Nuk kam ndonjë informacion. Di vetëm faktin që ambasadorët javën e kaluar kishin planifikuar tre takime. Takimi i parë me PS në orën 14:00 me PS, 15:00 me PD dhe në orën 16:00 me grupin parlamentar të LSI-së. I pari që e anuloi ishte PS dhe më pas kur u anulua nga ana e PS, nuk mund të vijohej me takimet e tjera. Kjo ishte arsyeja. Nëse do të ketë apo jo takime me ambasadorët, nuk e di.
 
Ju duket normale ky takim me ambasadorët?
Të gjitha këto do t'i shohim me qetësi e maturi. Ne kemi zhvilluar edhe takime të tjera me ambasadorët. Nuk ka asgjë për tu keqkuptuar. Ka dhe kolegë në parlament apo analistë që e kanë cilësuar një lëvizje jo normale. mendoj se nuk ka asnjë problem  që ambasadorët të marrin pjesë në një mbledhje grupi. Nuk shoh ndonjë problem deri në këtë pjesë, përsa kohë ambasadorët marrin pjesë dhe në takime të ndryshme. Duhet parë si një proces dashamirës për shqiptarët për të ecur përpara me këtë reformë. Shqiptarët presin një produkt që të japë efekte të menjëhershme.
 
Është ndoshta ndërhyrja më e madhe në legjislacion që nga viti '92. Dimë që do të ngrihet një strukturë për të hetuar korrupsionin e politikës dhe një pjesë tjetër të reformës për të pastruar drejtësinë nga të korruptuarit...
Unë dot a shihja në dy pjesë. E para ka të bëjë me luftën ndaj korrupsionit dhe këtu ka të bëjë lufta ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë dhe kjo do të japë impaktin e vet nëpërmjet vettingut, kontrollit të gjyqtarëve e prokurorëve. Kjo ka ndodhur edhe në vendet e tjera. Elementi i parë ka të bëjë me justifikimin e pasurisë së gjyqtarëve ILDKP kontrollon një pjesë të madhe të gjyqtarëve por për të kryer hetime është shumë e kufizuar, ndaj duhet një strukturë që të hetojë nivelin e të ardhurave me pasurinë e tyre. Do të ngrihet një komision i cili do të bëjë të gjithë kontrollin. Ky komision do të emërohet nga parlamenti duke u zgjedhur njerëz që kanë kontribute dhe janë juristë. Do kontrollojë performancën e gjyqtarëve. Këto dy komponentë do të bëhen nëpërmjet një komisioni të posaçëm që do të quhet komisioni i kualifikimeve.
 
Në draftin final, është më klauzola që kush gjyqtar vetëlargohet nuk i hyn "gjemb në këmbë"?
Kjo klauzolë vazhdon të jetë. Ne e kemi cilësuar të papranueshme që në shtator këtë klauzolë. Nëse ke kryer një vepër penale, nëse ke abuzuar duhet të përballesh me ligjin. Do të jetë një nga çështje që do të debatohet edhe gjatë diskutimit nen për nen. Element tjetër ka të bëjë me strukturën e posaçme antikorrupsion. Këta do të hetojnë edhe gjyqtarët e prokurorët. Ky proces ishte parashikuar të zgjaste 12 vjet, por ne e kemi kundërshtuar dhe Venecia ka propozuar 3-5 vite që procesi i Vettingut do të përfundojë dhe qytetarët do të dinë sesa nga 365 gjyqtarët janë të aftë dhe sa të paaftë.
 
Ju thoni se do gjykohet edhe performanca e tyre. Si do funksionojë?
Vlerësimi ka nisur edhe më përpara. Por ecuria e gjyqtarëve edhe për shkak të numrit të vogël të inspektorëve,m nuk ka arritur të japë produktin e vet. Skanimi do të nisë nga numri i dosjeve të një gjyqtari. Sa vendime i janë prishur e sa i janë lënë në fuqi.
 
Kush e merr vendimin?
Komisioni i Kualifikimit do të vlerësojë performancën sipas vendimeve gjyqësore të rrëzuara. Kriteret do të jenë të përcaktuara në ligj.
 
Me këtë formulë KLD del jashtë funksionit?
Ky do të jetë një proces i përkohshëm 3-5 vjet. Do të vendosë në skanim dhe karantinë gjyqtarët dhe prokurorët. Pas 3 vitesh këto komeptenca do t'i kalojnë KLGJ-së ku do të ngrihet një komision për ta vijuar procesin.
 
Z.Halimi, si do të jetë e organizuar Prokuroria Speciale?
Sot ne kemi një Prokurori të çentralizuar. Kemi dhe strukturën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e Gjykatën e Krimeve të rënda. Me ligjin e vjetër, çështjet e korrupsionit trajtohen nga gjykata e krimeve të rënda. Sot kemi një model të ri. Modeli i cili ka të bëjë me një luftë efiçente ndaj korrupsionit dhe më një rishikim të komponentit të hetimit. Për këtë gjë, ka dy elementë për të bërë një reformë të thellë në hetimin penal. Është ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit e cila do të jetë në varësi të Prokurorisë. Për ne ka qenë e paimagjinueshme që të jetë në varësi të MB ose KM. Byroja që do të merret me hetimin e ministrave nuk mund të jetë në varësinë e ministrive.
 
Është thënë modeli i FBI, por FBI në varësi të administratës...
Prokurori i Përgjithshëm atje ka të njëjtin funksion si Ministri i Drejtësisë. Pra, është ministër drejtësie e prokuror të përgjithshëm. Por atje është tjetër sistem, është sistemi presidencial. Ne kemi tjetër sistem.
 
Çfarë kompentencash shtesë ka kjo strukturë?
Kjo do të merret specifikisht vetëm me çështjet e korrupsionit. Sot kemi struktura të korrupsionit e krimeve të rënda, por nuk janë të fokusuara vetë në këtë gjë. Shqipëria ka probleme me korrupsionin në sistemin gjyqësor. Një strukturë e pavarur do të jetë efiçente në hetimin e zyrtarëve të lartë. Qeveria ka ngulur këmbë që ta ketë byronë nën vete. Akoma ka një draft nga Kryeministri që e kërkon Byronë në varësi. Byroja do të merret me pjesën e hetimit, ndërsa Prokuroria Speciale që do të jetë autonome nga Prokurori i Përgjithshëm, do të hetojnë një më çështjet. Ndërsa këto çështje nuk do të kalojnë në Gjykatën e Lartë, por në Gjykatën Speciale. Pra, Byro-Njësi që do të hetojnë dhe Prokuroria Speciale që do të shqyrtojë e do të ngrejë akuzën. Për dosjen hetimore që do të ketë prokurori nuk i jep llogari askujt, përveç sistemit gjyqësor. Gjykata e Posaçme do të jetë Gjykata Speciale. Gjyqtarët e Gjykatës së Krimeve të Rënda nëse e kalojnë procesin e Vettingut do të jenë gjyqtarë të Gjykatës Speciale për çështjet e antikorrupsionit.   
 
Është bërë debat 24 orët e fundit, për një nen të veçantë atë 25, që amniston disa ish ministra...
Pjesa e amnistisë është sajesë e medias. Ky nen ekziston. Por, është ajo që thash dhe më herët, kur deputetët e PD thanë se duhet ta lexojmë këtë draft. Duhet të investigojmë se kush e ka bërë këtë parashikim. Një nen i tillë në Kushtetutë është absurd për sot dhe të ardhmen. Është vënë për të provokuar opozitën nga Rama, apo elementë të tjerë, këtë gjë opozita do ta kërkojë gjatë diskutimit nen për nen se kush ka qenë. Projekti u prezantua në komision ditën e enjte nga ekspertët e EURALIUS e OPDAT. Do t'i pyesim se kush e ka vendosur. Ekspertët e opozitës as e kanë deklaruar ndonjëherë një gjë të tillë. Për ne është e pa-imagjinueshme që të vendosen të tilla kufizime në kohë. Korrupsionin, kush ka bërë do të ndëshkohet sado kohë të kalojë. Se kush e nxiti, PD do ta shohë me hollësi.
 
Kjo njësi e posaçme hetimi sa e ka mandatin?
Do të jetë e përhershme. S'do të ketë lidhje me qeverinë. Prokuroria do të ketë 10 prokurorë dhe rreth 10-15 gjyqtarë dhe Byroja do të jetë në varësi të punës. Ligji që do të rregullojë Byronë Kombëtare të hetimit do të jetë pjesë e amendamenteve kushtetuese që do të ngrihen e do të funksionojnë vitin e ardhshëm.
 
Kush i zgjedh Prokurorët?

I zgjedh Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Nuk do të jenë Prokurorë të zgjedhur nga politika.
 
Po Këshillin e Lartë të Prokurorisë kush e zgjedh?
Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të përbëhet nga 6 Prokurorë dhe nga 5 jo prokurorë. Këta 5 jo prokurorë do të emërohen nga Parlamenti. Dhe këtu është shqetësimi nëse do të kapen nga mazhoranca. Ne e kemi kundërshtuar që në fillim që 5 anëtarët nuk do të zgjidhen me shumicë 3/5, por me një pjesëmarrje të opozitës së sotme dhe të opozitës që do të jetë nesër. Kjo trupë, që do të emërojë Prokurorët Specialë, duhet të jetë larg politikës. Prokurorët do të trajnohen nga FBI. Është shumë e rëndësishme që kjo strukturë të jetë e pavarur e larg politikës.
 
Objekti i kësaj strukture është jo më shumë se 60 veta? Kush do të jenë?
S'besoj se është 60 veta. Ka patur një kërkesë nga Venecia që thotë se përsa kohë ju ngrini një institucion kushtetues, atëherë edhe kompetencat e këtij institucioni duhet të jenë të përcaktuara në Kushtetutë. Limiti i ish zyrtarëve është pafund. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale