Shikoj që ka plot njerëz të frustruar edhe brenda PD që grindën me Berishën pse ka “vetëpërjashtuar” Salianjin. E gjitha buron nga keqkuptimi që kanë për fuqinë reale të Berishës.
Ervin Salianji ka një fat që s’e ka pasur asnjë paraardhës si tij me kritika ndaj Berishës. Për të fituar pikë në PD, për të punon Berisha, kurse për të fituar PD punon drejtësia.
Ai vetëm duhet të lutet çdo ditë që Berisha të dalë në takime me demokratë dhe të bëjë këto që bën: ta shpallë atë armik, ta lidhë me fantazinë e tij me gjithë grupet kriminale apo me njerëz të pushtetit dhe të nxjerrë budallenj nëpër takime.
Vetë është mirë që herë pas here të mos lodhet shumë të bëjë takime të veta. Sado të mira t’i bëjë, sado mirë të flasë, sado teza intelektuale apo politike të hedhë, sado frymëzim për ndryshim të ngjallë, asgjë nga ato nuk e kalon dot fuqinë e degradimit që përcjell Sali Berisha nëpër këto takime që i japin të drejtë çdo kujt që i del përballë.
Ajo që ndodhi me Orbanin disa ditë më parë, kur e djathta hungareze i hoqi stolin ku qëndronte ulur katër vite, ka pasur qindra herë më pak motive se sa ka e djathta shqiptare kur i shfaqet si shpresë Sali Berisha.
Mendoni sot, për shembull, cili është halli i Sali Berishës dhe cili është halli i Salianjit. Sali Berisha sot ka pasur gjyq bashkë me dhëndrin e vet dhe janë nën akuzë për kapje shteti dhe favorizim me dyshime dhe grabitje prone. Pra shpresa e PD sot është që ndoshta Berishën nuk e dënojnë, ndoshta Shkëlzeni paguan ndonjë lek dhe ia zbusin dënimin, ndoshta këta gjykatësit tremben se i shan me libër shtëpie dhe falin, ndoshta, ndoshta… dhe s’ka faj. Kaq është e gjitha çfarë ëndërron PD sot kur bie fjala që ajo do udhëhiqet nga Sali Berisha.
Nuk e di saktë se ç’mendojnë për Salianjin, por e sigurt është që nëse bëjnë të njëjtën analizë për të si për Berishën, së paku thonë: ky s’ka asnjë hall.
Tani nuk e di se si mund të shkojë kjo parti në zgjedhje bashkiake vitin tjetër , apo pas tre vitesh për parlament, kur nuk është e sigurt a do ta ketë të lirë apo të dënuar kryetarin e partisë, për të mos thënë a do ta ketë gjallë për shkak të moshës.
Një njeri që është në dy procese penale, nga të cilat njëra për vrasje politike e tjetra për kapje shteti, tani merr bastunin e shkon qytet më qytet duke u mbushur mendjen demokratëve se ata që kërkojnë të konkurrojnë përballë tij janë pjesë e mafias apo pjesë e pushtetit.
Në fakt, Edi Rama, i cili pas katër mandatesh në pushtet ka normal kostot e veta dhe po përballet në mënyrë masive me drejtësinë, nuk ka ndonjë hall personal deri tani. Nuk dimë sa i mërzitur është për Veliajn, Ballukun, Beqen, Ahmetajn apo të tjerë, por të jeni të sigurt se i vetmi dëm që mund t’i bëhet seriozisht është nëse i arrestojnë Sali Berishën. Aty e marrin më qafë. Të tjerët i ka të zëvendësueshëm. Atë nuk e zëvendëson dot, pasi nuk mund të ketë rast të dytë në botë kur një 82-vjeçar, me dy procese penale në kurriz, me mijëra mëkate që ia njeh çdo shqiptar, nuk shkulet nga karrigia e opozitës false, duke i bërë kryeministrit nderin e jetës.
E vetmja forcë madhore, përveç Zotit, që mund t’i prishë punë Edi Ramës në këtë pikë është vetëm drejtësia. Prandaj Salianji nuk ka asnjë arsye të ndjehet i sulmuar nga Berisha. Ai, nëse Berisha vazhdon kështu duke degraduar shpresat për një PD në pushtet, vetëm sa i rriten pikët për shkak të Berishës, pa ndonjë meritë të tij, dhe nëse drejtësia bën punën e saj me Berishën, vetëm sa i prish punë Ramës po ashtu pa meritë të tij. Është duke dal i fituar pa hedhur asnjë pushkë./TemA
Komente











