Më ndryshimet e 27 janarit të kaluar, me 85 vota pro dhe 9 kundër të Kuvendit, mes 50 neneve të Kodit Penal, kaloi pa shumë vëmendje edhe shfuqizimi i një neni që në thelb ka ‘privilegjet’ e të ‘penduarit’ të drejtësisë nga radhët e krimit të organizuar.

U shfuqizua paragrafi i 7-të i nenit 28 të Kodit Penal që citonte se “Pjesëtari i organizatës kriminale, organizatës terroriste, bandës së armatosur ose i grupit të strukturuar  kriminal, përfiton përjashtimin nga dënimi ose uljen e tij, kur jep ndihmesë, që gjykohet vendimtare për  njohjen e veprimtarisë së tyre, të bashkëpunëtorëve të tjerë, pasurive të zotëruara drejtpërdrejt ose jo prej tyre,  si dhe për veprimtaritë hetimore, që zhvillohen ndaj organizatave kriminale, organizatave terroriste, bandave  të armatosura dhe grupeve të strukturuara kriminale”. 


Paragrafi 7 i neni 28 të Kodit Penal që shfuqizohet

Shfuqizimi që vjen në një moment delikat në luftën që sidomos SPAK po bën kundër krimit të organizuar, është zëvendësuar me një ndryshim të nenit 52/a të Kodit Penal që flet për përjashtimin nga dënimi.

Paragrafit të tretë të nenit që ishte “Personi që ka kryer njërën nga veprat penale që kanë lidhje me trafikun e narkotikëve, armëve apo  municioneve, trafikimin e personave ose për vepra penale të kryera nga organizata kriminale, që bashkëpunon  dhe ndihmon organet e ndjekjes penale në luftën kundër tyre ose, sipas rastit, në zbulimin e personave të tjerë, që kryejnë krime të tilla, nuk mund të dënohet më tepër se gjysma e dënimit të parashikuar për veprën e kryer prej tij. Në raste të veçanta, kur konkurrojnë edhe rrethana lehtësuese në favor të tij, ky person mund të  përjashtohet nga dënimi” i bëhen këto ndryshime “Në fjalinë e parë pas fjalës “kriminale” shtohen fjalët “që heq dorë nga veprimtaria kriminale” dhe pas fjalës “tyre” shtohen fjalët “u siguron autoriteteve administrative ose gjyqësore informacione, të cilat përndryshe ata nuk do të kishin qenë në gjendje t’i siguronin”.

Sipas po këtyre ndryshime të miratuara në fund të janarit nuk mund të përfitojnë nga përjashtimi i dënimit “personat që kanë kryer njërën nga veprat penale që kanë lidhje me trafikun e lëndëve narkotike dhe psikotrope”


Ndryshimet në nenin 52/a

Pra në thelb ndryshimi përjashton ‘të penduar të drejtësisë” dhe zmbraps këdo që vendos të bashkëpunojë me drejtësinë për vepra penale që nuk përfshihen me trafikun e drogës dhe organizatën kriminale. Ky ndryshim nga shumë figura është parë si një goditje direkte ndaj vetë frymës së bashkëpunimit me drejtësinë, që dekurajon bashkëpunimin, pasi pa dispozitën e parashikuar në paragrafin 7 të neni 28 të Kodit Penal bashkëpunëtori i drejtësisë mbetet pa një status dhe pa garanci ligjore për fatin e tij juridik.

Por në një përgjigje kërkesës për informacion të Report Tv, ministria e Drejtësisë thotë se shqetësimet janë të pabaza dhe thelbi i ndryshimeve ligjore janë një proces i detyrueshëm i përafrimit të legjislacionit shqiptar me aktet e Bashkimit Evropian. Ky proces ka përfshirë konsultime me institucionet kyçe të hetimit.

Shfuqizimi i paragrafit 7 të nenit 28 për Ministrinë e Drejtësisë synon qartësinë e strukturës së Kodit Penal.

“Neni 28 është i vendosur në Kreun IV të Pjesës së Përgjithshme të Kodit Penal që rregullon institutin e bashkëpunimit të personave për kryerjen e veprës penale. Ky nen parashikon format e veçanta të bashkëpunimit duke dhënë përkufizimin përkatës për secilën prej tyre në kuadër të kuptimit që i jepet këtij instituti. Ndërsa çështjet që lidhen me individualizimin e dënimit, përfshirë rastet për përjashtimin ose uljen e dënimit përcaktohen në Kreun VI të Pjesës së Përgjithshme të Kodit Penal mbi caktimin e dënimit, që përmban nenet 47 – 57. Në këto kushte, kjo çështje është rregulluar në nenin 52/a mbi përjashtimin ose uljen e dënimit për bashkëpunëtorët e drejtësisë dhe viktimat”, thuhet në përgjigje.

Ekzekutivi thotë se nuk mund të ketë matematikë automatikë në llogaritjen e “privilegjeve” për bashkëpunëtorët e drejtësisë.

“Aktet e BE-së të përafruara përmes ndryshimeve të kryera në Kodin Penal, në nenet e tyre përkatëse i referohen individit/subjektit konkret. Për të përfituar uljen e dënimit, ky individ duhet të plotësojë kumulativisht kushtet: Të ketë kryer veprën penale përkatëse; Të ketë hequr dorë nga veprimtaria kriminale; dhe të bashkëpunojë e ndihmojë organet e ndjekjes penale sipas përcaktimeve në Kodin Penal.  Ndërkohë në raste të veçanta personi (përveç atij që ka kryer njërën nga veprat penale që kanë lidhje me trafikun e lëndëve narkotike dhe psikotrope) mund të përjashtohet nga dënimi, kur konkurrojnë edhe rrethana lehtësuese në favor të tij. Në këtë kuptim, ulja e dënimit ose përjashtimi nga dënimi, nuk është një veprim thjesht matematikor apo automatik, por një vendim të cilin gjykata e merr duke vlerësuar në mënyrë tërësore e të gjithanshme rrethanat, provat dhe faktet që të çojnë në përfundimin se janë përmbushur kushtet e mësipërme”

Pyetjes se si është argumentuar përjashtimi nga dënimi të atyre që kanë kryer vepra penale që kanë lidhje me trafikimin e lëndëve narkotike, Ministria i përgjigjet “Nenet 4 dhe 5 të Vendimit Kuadër të Këshillit 2004/757/JHA i 25 tetorit 2004, që përcakton dispozitat minimale mbi elementet përbërëse të veprave penale dhe dënimet në fushën e trafikimit të paligjshëm të drogës, i lënë diskrecion shteteve që të ndërmarrin ose jo masa efektive vetëm për uljen e dënimit dhe jo për përjashtimin nga dënimi. Prandaj, shtimi i togfjalëshit “përveç personit që ka kryer njërën nga veprat penale që kanë lidhje me trafikun e lëndëve narkotike dhe psikotrope”, në fjalinë e dytë, të paragrafit të tretë të nenit 52/a, lidhet me përafrimin me dispozitat e sipërcituara duke parashikuar vetëm uljen e dënimit të autorëve e veprave penale që lidhen me trafikun e lëndëve narkotike dhe psikotrope dhe jo përjashtimin e tyre nga dënimi”

Por ndryshe mendon Prokuroria e Përgjithshme. Ombrella e organit të akuzës së juridiksionit të përgjithshëm thotë se në përgjigjen për Report Tv se gjatë gjatë procesit të konsultimit, është shprehur kundër shfuqizimit të paragrafit të shtatë të nenit 28 të Kodit Penal

“Kjo dispozitë ndryshe nga neni 52/a, ka në qendër bashkëpunimin me anëtarin e çdo strukture kriminale të organizuar në të gjitha format e veçanta të bashkëpunimit të parashikuara në Kodin Penal, si grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, banda e armatosur dhe organizata terroriste, me qëllim njohjen e bashkëpunëtorëve, hierarkisë, pasurive dhe aktivitetit të tyre. Nëse parashikimi i këtij paragrafi, vlerësohet më i përshtatshëm në dispozitat që lidhen me caktimin e dënimit, mund të rishikohet përfshirja në to, por në çdo rast pa cenuar përmbajtjen”, thotë Prokuroria e Përgjithshme.

Lidhur me ndryshimin e nenit 52/a, Prokuroria e Përgjithshme thotë se është e domosdoshme rishikimi tërësor.

“Dispozita krijon shumë konfuzion i cili do të bënte të pazbatueshëm në praktikë një instrument që ka treguar se i shërben veprimtarisë hetimore. Kështu, lidhur me paragrafin e tretë, në drejtim të ndërtimit të normës, gjykojmë se është i mbingarkuar, i paorganizuar sintaksisht dhe pa strukturë të qartë logjike. Në aspektin substancial, problematikat janë të shumta ku mund të përmenden: kushti "që heq dorë nga veprimtaria kriminale", në praktikë mund të interpretohet si një akt vullnetar pa mekanizëm verifikimi. Gjithashtu, nuk është në përputhshmëri me termat teknikë që njeh Kodi Penal për heqjen dorë nga kryerja e veprës penale; zgjerohet bashkëpunimi përveçse me organet e ndjekjes penale edhe me autoritetet administrative dhe gjyqësore, ndërkohë që nuk qartësohet si u shërben këtyre organeve informacioni që jepet në shkëmbim të përfitimit nga përjashtimi ose ulja e dënimit: sipas propozimit mjafton të kalojë pragun e "i vështirë për t'u siguruar" pa përcaktuar rëndësinë e tij, siç parashikohet për shembull në paragrafin e shtatë të nenit 28, "ndihmesë që gjykohet vendimtare"

Prokuroria e Përgjithshme evidenton se nuk është dhënë asnjë argument se përse vetëm veprat që lidhen me trafikun e lëndëve narkotike konsiderohen të një shkalle të tillë rrezikshmërie sa autori i tyre të mos përjashtohet nga dënimi.

“Ndërkohë që vepra po aq apo më të rënda, që përfshijnë trafikimin e qenieve njerëzore dhe vepra të tjera objekt të organizatave kriminale si vrasje, rrëmbime, etj, nuk konsiderohen të tilla. Për më tepër, në praktikën shqiptare veprat penale të lidhura me narkotikët kanë peshën kryesore në veprimtarinë e krimit të organizuar. Heqja e këtij mekanizmi "ndihmë për përfitim", u heq mundësinë autoriteteve për hetimin e plotë e të gjithanshëm me qëllim zbulimin tërësor të veprimtarisë dhe bashkëpunëtorëve”, vijon përgjigja.

Në kundërshtim nga institucioni më i rëndësishëm i akuzës së juridiksionit të përgjithshëm, një tjetër prokurori, ajo e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizimit nuk sheh të njëjtin shqetësim. Në përgjigjen për Report Tv SPAK thotë se është kontaktuar nga Ministria e Drejtësisë për të dhënë komente, dhe pasi ka studiuar projektligjin dhe relacionin shoqërues, “nuk ka paraqitur kundërshtime lidhur me ndryshimet e propozuara në të”

Përgjigja e SPAK për Report Tv

Report Tv pyeti për këtë debat edhe një prej ish prokurorëve më të njohur në vend, aktualisht avokat, Eugen Becin. Ish magjistrati nuk shikon ndonjë problematikë me ndryshimet e reja, që më së shumti i quan teknike.

“Unë e kam dëgjuar këtë shqetësim edhe nga disa juristë të tjerë. Kam përshtypjen se kjo nuk është drejtpërdrejt e lidhur më dëmtimin e punës së bashkëpunëtorëve të drejtësisë me sa i përket mënyrës së si hetohen çështjet penale. Korpusi ligjor që përcakton statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë është i përcaktuar edhe në nene të tjera të Kodit të Procedurës Penale, në neni të tjera të Kodit Penal; neni 37/a i KPP në mënyrë të veçantë. Mbase ka qenë një teknikë legjislative, ku legjislatori me të drejtë ka ndërhyrë pasi në një nen të Kodit Penal nuk mund të kesh një dispozitë procedurale. Asnjë paragjykim për sa i përket statusit dhe Institutit të bashkëpunëtorit të drejtësisë. Për mendimin tim Instituti i bashkëpunëtorëve të drejtësisë nuk cenohet nga legjislacioni që është në fuqi dhe për rrjedhojë absolutisht nuk dëmton as punën e prokurorisë së posaccme apo të ccdo lloj prokurorie tjetër”, tha Beci.

"Të penduarit e drejtësisë" (bashkëpunëtorët) kanë ndihmuar organet ligjzbatuese në Shqipëri të shkatërrojnë bandat kriminale më të rrezikshme në vend, në këto 35 vite post komunizëm. Duke filluar nga Enkeked Agai që rrëzoi “Hakmarrjen për Drejtësi”, e deri te Nuredin Dumani dhe Erjon Alibej që me dëshmitë e tyre kanë shkatërruar organizatat kriminale, sidomos në qytetin e Elbasanit. Jo vetëm në pjesën e krimit të organizuar por SPAK ka tentuar herë pas herë që edhe në hetimet që lidhen me zyrtarët e lartë të “rekrutojë” të penduar, siç është rasti i financiares Adela Kondakçiu, në dosjen e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.