Ndërsa lufta mes Izraelit dhe Hamasit përshkallëzohet, ekspertë të të drejtave të njeriut thonë se veprimet e të dyja palëve - përfshirë sulmet ndaj civilëve, marrjen e pengjeve dhe shënjestrimin e spitaleve - mund të shkelin ligjin ndërkombëtar.
Në Izrael, militantët e Hamasit - grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera - kanë masakruar civilë, kanë përdhunuar gra, kanë marrë pengje dhe kanë hedhur breshëri raketash, prej se kanë nisur sulmin e befasishëm më 7 tetor.
Në Gazë, Izraeli ka vrarë mijëra civilë, ka rrafshuar lagje të tëra dhe ka urdhëruar “rrethimin e plotë” të territorit, duke i kufizuar qasjen në ujë, ushqime dhe rrymë.
Shënjestrimi i qëllimshëm i civilëve është i ndaluar me Konventat e Gjenevës të vitit 1949. Neni 3 i Konventës së Tretë të Gjenevës “ndalon dhunën ndaj jetës dhe personit, në veçanti vrasjet e të gjitha llojeve, gjymtimin, trajtimin mizor dhe torturimin e njerëzve që nuk marrin pjesë aktive në armiqësi”.
Zyra e Komisionarit të Lartë për të Drejta të Njeriut në Kombet e Bashkuara ka njoftuar tashmë se është duke mbledhur prova për krime të dyshuara të luftës, të kryera nga të gjitha palët në konfliktin aktual. Komisionari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, i ka cilësuar sulmet e Hamasit si “mizori”, duke thënë se ato dhe mbajtja e pengjeve përbëjnë krime lufte.
Sipas Kombeve të Bashkuara, termi “krime mizore” u referohet krimeve të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, siç përcaktohen nga traktatet ndërkombëtare.
Turk ka thënë se ndëshkimi kolektiv i palestinezëve nga Izraeli përbën, po ashtu, krim lufte, ashtu si edhe evakuimi i detyrueshëm i civilëve.
“Situata katastrofike që shohim në Rripin e Gazës, ka qenë plotësisht e parashikueshme dhe e parandalueshme. Kolegët e mi humanitarë e kanë përshkruar atë si apokaliptike. Në këto rrethana, ekziston një rrezik i shtuar për krime mizore”, ka thënë Turk.
Grupet për të drejtat e njeriut, si Human Rights Watch, Amnesty International dhe Këshilli Norvegjez i Refugjatëve, e kanë kritikuar si Hamasin, ashtu edhe Izraelin për shkelje të pajustifikueshme të ligjit ndërkombëtar dhe kanë kërkuar përgjegjësi.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se akuzat se Izraeli po kryen krime lufte në Gazë janë “dërdëllitje”. Sipas tij, civilët, “sikurse në çdo luftë legjitime”, janë nganjëherë “dëm kolateral”.
“Lufta vazhdon me forcë të plotë, në veri dhe jug të Gazës, për arritjen e të gjitha qëllimeve tona: eliminimin e Hamasit, kthimin e pengjeve dhe pengimin e Gazës për t’u shndërruar në kërcënim për Izraelin”, ka thënë Netanyahu.
Për të përcaktuar nëse janë shkelur ose jo ligjet e luftës, duhen hetime dhe prova të thella. Për disa ekspertë, veprimet e Hamasit janë shkelje e pamohueshme e ligjeve të luftës.
“Hamasi, definitivisht, ka kryer krime lufte”, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë koloneli në pension, Geoffrey Corn, ish-këshilltar i Ushtrisë amerikane për çështjet e ligjeve të luftës.
“Sulmet e 7 tetorit janë të padiskutueshme. Vrasja e civilëve dhe marrja e pengjeve janë qartazi krime lufte. Sa herë që hedh raketa në Izrael, Hamasi bën krim lufte, sepse nuk përpiqet të sulmojë një shënjestër ushtarake. Ai, thjesht, sulmon në përpjekje për të vrarë civilë. Ai, po ashtu, ka thënë se do t’i vendosë pengjet pranë shënjestrave, për t’i parandaluar sulmet e Izraelit. Kjo është mburojë njerëzore dhe krim lufte”, shton Corn.
Përgjigjja e Izraelit ndaj sulmeve të Hamasit ka çuar në akuza për krime lufte sidomos kur bëhet fjalë për vrasjen e civilëve, përfshirë gra e fëmijë. Ministria e Shëndetësisë në Gazë, e udhëhequr nga Hamasi, thotë se rreth 19.000 njerëz janë vrarë që nga 7 tetori, ndërsa mbi 50.000 të tjerë janë plagosur.
Por, Corn, tani në Shkollën e Drejtësisë të Universitetit të Teksasit, beson se është shumë herët të thuhet se Izraeli po shkel ligjet e luftës.
“Nuk duhet t’i shikoni vetëm viktimat civile dhe të thoni krim lufte. Ju duhet të shikoni se pse ka ndodhur sulmi, si ka ndodhur sulmi dhe cila ka qenë vlera e objektivit. Sa i përket Izraelit, shumica e viktimave civile nuk janë rezultat i një qëllimi për të sulmuar civilë. Ato janë dëme kolaterale ose lëndime të rastësishme”.
“Me fjalë të tjera, ju po sulmoni një objektiv të ligjshëm. Për shembull, nëse sulmoni një tunel që kalon nën një ndërtesë, hedhja në erë e tunelit do të çojë në shkatërrimin e ndërtesës. Ndërtesa nuk është shënjestër, tuneli është shënjestër. Por, ju nuk mund ta shkatërroni tunelin pa e shkatërruar ndërtesën civile. Ky është dëm kolateral. Dhe ligji nuk e ndalon dëmin kolateral”, thotë Corn.
Ai shton se strategjia e Izraelit është e ngjashme me atë të ushtrisë amerikane kur vendos për të kryer një sulm ushtarak. Sipas tij, gjëja e parë që një komandant pyet, është nëse bëhet fjalë për një objektiv legjitim ushtarak.
Por, Kenneth Roth, ish-drejtor ekzekutiv i organizatës Human Rights Watch, thotë se janë disa faktorë që duhet të konsiderohen përpara se të kryhet një sulm ushtarak. Roth thirret në Konventat e Gjenevës: “Në luftë, ju mund t’i qëlloni sulmuesit në anën e kundërt, por nuk mund t’i shënjestroni civilët, nuk mund të qëlloni pa dallim në zonat civile dhe nuk mund të shënjestroni as objektiva ushtarake nëse ndikimi mbi civilët do të jetë joproporcional”.
Ushtria izraelite këmbëngul se i përmbahet ligjit ndërkombëtar, sepse, para se të sulmojë, thotë se u dërgon paralajmërime dhe mesazhe njerëzve në Gazë që të largohen nga zona. Por, Roth thotë se ata duhet të kenë një zonë të sigurt ku mund të shkojnë.
“Izraeli e ka vendosur [Gazën] nën rrethim, duke i bllokuar ushqimet, ujin, karburantet, rrymën. Kjo është një formë e ndëshkimit kolektiv të të gjithë popullsisë palestineze në Gazë”, thotë Roth.
Atëherë, kush mund të konstatojë nëse janë duke u kryer krime lufte nga cilado palë? Një përgjigje e shpejtë është Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Me seli në Hagë, ajo është themeluar qysh në vitin 2002, për të hetuar individë të akuzuar për kryerjen e krimeve më të rënda, siç janë krimet e luftës. Ajo ndërhyn kur qeveritë nuk janë në gjendje ose nuk duan t’i hetojnë krimet e supozuara në tokën e tyre.
Kjo gjykatë ka juridiksion mbi gjithçka që ndodh në Gazë, si rezultat i pranimit të Palestinës në radhët e saj, por Izraeli nuk është anëtar i saj dhe, rrjedhimisht, e kundërshton juridiksionin e saj.
Për më tepër, gjykata nuk ka forcë policore për të ekzekutuar urdhërarreste.
Prokurori aktual i gjykatës, Karim Khan, ka thënë se aktet e kryera nga Hamasi më 7 tetor, nëse vërtetohen, “janë shkelje serioze e së drejtës ndërkombëtare humanitare”.
Por, Khan ka thënë se Izraeli ka po ashtu “detyrime në luftën e tij me Hamasin. Jo vetëm detyrime morale, por detyrime ligjore… Janë aty në Konventat e Gjenevës. Janë aty - bardh e zi”, ka thënë Khan.
Edhe pse Gjykata Ndërkombëtare Penale është e vetmja gjykatë e përhershme ndërkombëtare, e krijuar për t’i ndjekur penalisht krimet e luftës, gjykatat e tjera ndërkombëtare, përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, mund të shqyrtojnë po ashtu raste që lidhen me shkeljet e supozuara. Ngjashëm edhe gjykatat në Izrael apo gjetiu.
Corn nuk është optimist se drejtësia e plotë do të vihet ndonjëherë në vend.
“Kur keni udhëheqës të një organizate si Hamasi, që jetojnë në vende si Katari ose Turqia, dalin në televizion dhe mburren se do të kryejnë sërish ‘7 tetore’ derisa të gjithë hebrenjtë të dëbohen nga toka e shenjtë, kjo tregon se ata besojnë se veprojnë pa u ndëshkuar. Ajo që mendoj se do të ndodhë, është se do të ngrihen akuza kundër individëve të caktuar. Por, nëse ata do ta shohin sallën e gjyqit, është çështje tjetër”, thotë Corn.
Siç e dëshmon edhe lufta e Rusisë në Ukrainë, perspektiva e ndjekjes penale të krimeve të luftës në konfliktin aktual duket e largët. Megjithatë, shkeljet e ligjit ndërkombëtar mund të ndëshkohen edhe me sanksione, të tilla si ato që Perëndimi i ka vendosur shtetit rus për shkak të pushtimit të Ukrainës. Në raste të rralla, shkeljet e tilla nxisin ndërhyrje ushtarake të autorizuar nga Kombet e Bashkuara./REL