Deputeti socialist Ardit Bido ka publikuar një deklaratë të drejtoreshës së BIRN Albania, Kristina Vokos, e cila kërkon që televizioni publik dhe disa televizione të tjera kombëtare të transmetojnë përmbajtje në gjuhën e pakicave minoritare.

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Voko kërkon që të ketë edicione lajmesh në gjuhën e minoriteteve dhe emisione të dedikuara.

“Ne kemi shumë strategji dhe ligje të tjera që detyrojnë televizionin publik dhe një pjesë të tv kombëtare për të përmbushur detyrimet e tyre siç është jo vetëm aksesi ose ofrimi i informacionit të duhur për pakicat. Ende televizioni vazhdon me një program shumë të reduktuar, vetëm te RTSH 2 për sa i përket edicioneve të lajmeve në gjuhën e minoriteteve dhe në rastet kur kjo ndodh, ato janë një reduktim i lajmeve qendrore të RTSH, pa u fokusuar në interesat ose dinamikat e raportimit për sa u përket këtyre minoriteteve. E njëjta gjë ndodh me mosvëmendje të shtuar për sa i përket argëtimit ose mbulimit të minoriteteve pavarësisht gjuhës dhe emisione të bëra për ta, me ta. Ky mbetet i rëndësishëm, nuk e shikoj në vitet e fundit të theksuar mjaftueshëm në rezoluta”, thotë ajo.

Bido e quan drejtoreshën e BIRN një promotore të sulmit ndaj projektit të Zvërnecit që ndërkohë bën edhe kërkesa të tilla. Ai thekson se ligji s’parashikon asnjë detyrim të tillë, përveçse për Radio Televizionin Shqiptar.

Më tej, deputeti shton se platforma s’e ka aspak mendjen te problemet e gazetarëve, por te “ëndrrat e Kristinës” për të pasur veçanërisht gjuhën greke ngado, gjë për të cilën ai do të jetë gjithnjë kundër.

“Kjo është drejtoresha e BIRN Albania. Kristina, greke, promotorja kryesore e sulmit ndaj projektit të Zvërnecit, pasdite shan projektin e paradite na kërkon që mediat shtetërore dhe private shqiptare të japin emisione në greqisht. Për këdo që nuk e di e për këdo që, si unë, beson te mbrojtja e të drejtave të pakicave: nuk ka ASNJË detyrim nga legjislacioni kombëtar a ndërkombëtar për programe në gjuhën e pakicave nga televizionet kombëtare jopublike. Ka detyrim vetëm për RTSH, e unë jam krenar që ky vend nga viti 1946 në Radio Gjirokastra e nga viti 2014 në RTSH2 ka programe për pakicat. BIRN, që “mbron gazetarinë”, hallin nuk e ka te 1000 hallet e gazetarëve, por te ëndrrat e Kristinës për të pasur gjuhët e pakicave, veçanërisht të asaj më të madhe (greqishten) kudo e ngado! Sa keni këta në krah, më keni KUNDËR!”, shprehet Bido.

P.J/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 6 Qershor, 21:08

    A e mbështesni protestën kundër investimit në Zvërnec?