Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Klevis Qose ka takuar të Dërguarin Special të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Partneritetin Global, Ambasadorin Paolo Zampolli.
Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe kontributi dhe ekspertiza e partnerëve amerikanë në fushën e inteligjencës dhe sigurisë.
“I dërguari i posaçëm përcolli qëndrimin e Presidentit Donald Trump, i cili që prej vitit 2017 e ka cilësuar fentanilin si një nga drogat më të rrezikshme dhe një kërcënim serioz për jetën e njerëzve, për shkak të pasojave të rënda dhe vdekjeve në masë që shkakton.
Në këtë drejtim, theksuam rëndësinë e parandalimit, shkëmbimit të informacionit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shqiptare dhe partnerëve amerikanë”, bën me dije kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe për ardhjen e Ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, duke e konsideruar këtë një mundësi për të thelluar më tej bashkëpunimin dhe koordinimin mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e sigurisë.
“Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara mbeten partnerë të rëndësishëm dhe të besueshëm, të bashkuar nga një marrëdhënie strategjike dhe një angazhim i përbashkët për forcimin e sigurisë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës”, thuhet në njoftimin e Agjensisë së Mbikqyrjes Policore.











Komente
Komento