Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, juristi Romeo Kara, analisti Arben Meçe, analisti Marlind Laçi dhe zyrtari i PS, Alfred Muharremi, diskutuan mbrëmjen e sotme mbi ‘projektin’ për krijimin e Shtetit Bektashi në Shqipëri dhe vizitën në Tiranë të Këshilltarit Special të Presidentit të SHBA-ve për Partneritetin Global, Paolo Zampolli.

Në fokus të diskutimit ishin karakteri i ‘projektit’ për Shtetin Bektashi, roli i SHBA-ve, qëndrimi i forcave politike shqiptare dhe mundësia që çështja të vendoset përmes referendumit.

Juristi Romeo Kara u ndal te kronologjia e idesë, duke kujtuar se plani u deklarua publikisht në shtator të vitit 2024, kur kryeministri Edi Rama ndodhej në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Ky projekt u anonçua besoj, mund të ketë qenë shtatori i para dy viteve. Ka qenë tjetër President në SHBA. Ka qenë në OKB Rama kur u anonçua projekti”, deklaroi Kara.

Sipas tij, nisma për krijimin e Shtetit Bektashi nuk ishte një zhvillim që mund të realizohej thjesht përmes vendimmarrjes së brendshme politike.

“Një ditë të bukur ra si shkrepëtimë që ne do të ngremë Shtetin Bektashi. Sado ekspertë të jenë këta, kjo punë nuk bëhet nëse ka ardhur një emisar amerikan, pra i dërguar special i Presidentit”, u shpreh ai.

Kara tha se Zampolli ka ardhur në Shqipëri dhe ka zhvilluar komunikime me të dyja forcat politike për Shtetin Bektashi. Sipas juristit Kara, marrë shkas nga deklarata e të dërguarit të Trump, duket se vendimin final për Shtetin Bektashi do e marrin qytetarët.

“Ai ka ardhur dhe ka folur me të dyja forcat politike. Ai ka folur, ka vlerësuar këtë projekt dhe ka hedhur dorashkën që të vendosë populli shqiptar”, tha juristi.

Duke e lidhur këtë me zhvillimet e fundit, Kara hodhi idenë se Shqipëria mund të vendosë me referendum për Shtetin Bektashi.

“Unë mendoj se po shkojnë drejt referendumit”, deklaroi ai, ndërsa kritikoi mënyrën se si, sipas tij, vendi është trajtuar politikisht deri më tani. “Ky vend nuk mundet të trajtohet më politikisht vetëm nga 2 grupime që përfaqësojnë 42.7% të votave të shqiptarëve”, shtoi Kara.

Në të njëjtën linjë për rëndësinë e faktorëve ndërkombëtarë, por me një interpretim tjetër, analisti Arben Meçe e cilësoi projektin e Shtetit Bektashi si një çështje me karakter të fortë gjeopolitik. Ai kujtoi se “projekti i Shtetit Bektashi është deklaruar në shtator 2024 në OKB nga Rama” dhe argumentoi se në thelb nuk bëhet fjalë vetëm për një projekt fetar, por për një projekt gjeopolitik që do të lidhë linjën islamike dhe atë kristiane.

“Është një projekt që në thelb është gjeopolitik, jo fetar. Do të jetë ura e lidhjes mes linjës islamike në një krah dhe linjës kristiane në krahun tjetër”, deklaroi Meçe.

Ai tha se modeli i këtij shteti ende nuk është përcaktuar përfundimisht dhe se rreth tij ka shumë debate.

Sipas Meçes, pavarësisht modelit që do të zgjidhet, në fund do të duhet të krijohet një bazë kushtetuese për funksionimin e tij.

“Të gjitha modelet do të prodhojnë një normë kushtetuese. Iniciatorët e projektit janë amerikanët”, u shpreh ai.

Analisti u ndal edhe te deklarata e të dërguarit të Trump se për projektin mund të vendoset nga populli, duke theksuar se ajo nuk bëhet fjalë për referendum. “Kur ai tha do ta votojë populli, ai nuk tha që do dalim në referendum. Por kur bëhen lëvizje të kësaj natyre, lëviz diplomacia dhe i merr të dy palët”, tha Meçe.

Ai komentoi edhe kohën e vizitës së Zampollit në Tiranë dhe takimet e zhvilluara në kuadër të saj, duke argumentuar se prania e tij duhet parë edhe në raport me zhvillimet politike në Shqipëri. “Pse nuk erdhi 3 ditë para? Sepse SHBA qartësisht nuk duan partneritet me Berishën”, tha Meçe, duke shtuar se sipas tij PD dhe kryetari i Grupit Parlamentar janë partnerë me këtë projekt. Pra sipas Meçes, i dërguari i Trump erdhi sot në Shqipëri, me qëllim që të shmangte takimin me Berishën.

“Gjithë lëvizja është në rrafshin parlamentar”, përfundoi ai.

Një qëndrim dukshëm më kritik ndaj nismës mbajti analisti Marlind Laçi, i cili bëri një interpretim krejt tjetër të origjinës dhe qëllimeve të Shtetit Bektashi. Shteti Bektashi është një projekt ndërkombëtar sionist”, deklaroi Laçi, duke e vendosur nismën në një kuadër më të gjerë të zhvillimeve gjeostrategjike në rajon.

Në deklaratën e tij, Laçi përmendi edhe Paolo Zampollin, të cilin e akuzoi për lidhjet dhe rolin e tij në qarqe të caktuara amerikane. “Zampolli është një nga personat më eminent të lobit sionist në SHBA”, tha ai, duke vijuar me pretendime të tjera për figura dhe rrjete ndërkombëtare. Ai tha gjithashtu se Zampolli ka qenë i lidhur edhe me Jefrey Epstein.

Laçi argumentoi se, sipas tij, projekti duhet parë në kuadrin e përpjekjeve të Izraelit për ndikim në Mesdheun Lindor. “Në kuadrin gjeostrategjik vjen si pasojë e kërkimit të sionizmit ndërkombëtar të një pushteti në Mesdheun Lindor”, u shpreh ai.

Duke vijuar argumentin e tij, Laçi përmendi disa vende të rajonit dhe tha se “kemi Qipron, që është nën kolonializim total të lobit zionist, kemi Greqinë, kemi Shqipërinë, kemi edhe tentativë në Itali”. Ai kritikoi gjithashtu qëndrimin e komuniteteve fetare në Shqipëri, duke deklaruar se ato, sipas tij, nuk kanë reaguar ndaj zhvillimeve.

“KMSH nuk përfaqëson myslimanët shqiptarë, por përfaqëson interesat e një grupimi që është shpallur terrorist në shumë vende të botës”, tha Laçi, ndërsa më tej deklaroi se edhe Komuniteti Bektashi dhe Baba Mondi janë bërë pjesë e këtij projekti.

Sipas tij, qëndrimi i komuniteteve të tjera fetare është gjithashtu problematik. “Komunitetet e tjera duken të painteresuara me këtë cënim sovraniteti që po i bëhet Shqipërisë”, deklaroi Laçi, duke shtuar se projekti, sipas tij, mund ta kthente Shqipërinë në një arenë të përplasjes diplomatike mes Turqisë dhe Shqipërisë.

Nga ana tjetër, këshilltari i PS në Bashkinë Tiranë, Alfred Muharremi, mbajti një qëndrim më të moderuar, duke e parë projektin në kuadrin e një shteti laik dhe duke kërkuar që vendimmarrja të kalojë te qytetarët. “Unë jam i mendimit se ne kemi të bëjmë me një shtet laik, ku nuk ka përplasje fetare”, deklaroi Muharremi.

Ai iu referua gjithashtu komunikimit të të dërguarit të Presidentit Trump, duke thënë se nga ky komunikim projekti ishte konsideruar i pëlqyeshëm. “Nga komunikimi që tha i dërguari i Trump, u shpreh se është një projekt i pëlqyeshëm. Do të doja që të vlerësohej ky lloj projekti”, tha Muharremi.

Megjithatë, edhe ai theksoi nevojën për konsultim me qytetarët. “Por unë jam i mendimit që të bëhet me një formë referendumi te qytetarët. Të pyeten nëse qytetarët janë dakord për krijimin e këtij lloji sovraniteti”, u shpreh zyrtari i PS-së.

Muharremi shtoi se nuk sheh domosdoshmërisht problem në krijimin e një shteti të tillë, nëse nuk cenon themelet e shtetit shqiptar. “Por nuk mendoj se do të ketë ndonjë gjë të keqe, nëse nuk preket sovraniteti ose të drejtat e qytetarëve”, deklaroi ai.