Procedurat për pajisjen me pasaportë shqiptare të talenteve të rinj të lindur jashtë Shqipërisë që synojnë të veshin fanellën kuqezi janë kthyer në 'mollë sherri' mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe presidentit Bajram Begaj.

 Shkëndija e debatit është ndezur nga një postim në rrjetet sociale i Tefik Osmanit, përgjegjës për skautizmin në FSHF. Osmani i është drejtuar publikisht Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke ngritur pikëpyetje mbi ritmin e procedurave për pajisjen me pasaportë shqiptare të futbollistëve që mund të jenë pjesë e Kombëtares.

 Madje në reagimin e tij, Osmani vë në dukje se procedurat duket se janë përshpejtuar në raste të caktuara me futbollistë nga Kosova, duke përmendur si shembull sulmuesin Albion Rrahmani, ndërsa sipas tij, e njëjta qasje nuk po ndiqet për talentet me origjinë shqiptare që synojnë të përfaqësojnë kuqezinjtë.

 Por në fakt, duket se drejtori I FSHF-së, ka gabuar adresë. Ndryshimet në ligjin “Për shtetësinë” të majit të këtij viti, kanë parashikuar procedura tërësisht të reja, sipas të cilave kërkesa nuk kalon më direkt te Kreu i shtetit, por i nënshtrohen më parë vlerësimit të institucioneve të tjera.

Nëni 9 i ligjit, që me ndryshimet e fundit titullohet “Natyralizimi për interes shtetëror”, është ai që parashikon dhe rastin e kërkesave për futbollistët, të cilat trajtohen në mënyrë të diferencuar nga kërkesat normale. Pika 1/1 e këtij neni saktëson se “Interesi i posaçëm shtetëror identifikohet, mbështetet dhe garantohet përpara Presidentit të Republikës nga ministri që mbulon fushën përkatëse. Nuk pranohen aplikime sipas këtij neni pa dokumentacionin mbështetës-garantues nga këto autoritete”.

Ndërsa pika 2 e nenit përcakton dhe hallkat e tjera që përfshihen në proces. Me vendim të qeverisë ngrihet një agjenci shtetërore e posaçme në varësi të ministrit të Brendshëm “e cila ka kompetencë shqyrtimin, verifikimin dhe vlerësimin e aplikimeve, si dhe të rrethanave që formojnë interes shtetëror për dhënien e shtetësisë sipas këtij neni”.

Më pas, pika 2/1 e nenit parashikon se “Kërkesat e vlerësuara si të ligjshme i përcillen, me propozimin për dhënien e shtetësisë, Presidentit të Republikës nga ministri përgjegjës për punët e brendshme”.

Në 4 vitet e fundit FSHF-ja ka kërkuar dhënien e shtetësisë për mbi 70 sportistë, thuajse sa gati 7 skuadra futbolli.

Një vit më parë, me ndërhyrjen e kryeministrit Rama, Edon Zhegrova u pajis në kohë rekord me pasaportën shqiptare, çka i hapi rrugën atij që të kalonte më lehtë te Juventusi. Tefik Osmani në reagimin e tij nuk ka asgjë kundër futbollistëve shqiptarë të Kosovës që pajisen me pasaportë shqiptare, por kërkon që procedura të jetë e shpejtë edhe për dhjetë djem dhe vajza që janë në pritje për të veshur fanellën kuqezi.  

Postimi i Tefik Osmanit:

Zoti President i Republikës,

Po ju drejtohem publikisht, jo për një favor, por për një përgjigje që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e futbollit shqiptar.

FSHF-ja ka dorëzuar dokumentacionin për rreth 10 djem dhe vajza me potencial të madh, të cilët mund të përfaqësojnë Shqipërinë në ekipet kombëtare të moshave. Përgjigjja që marrim është se ka ndryshuar ligji dhe duhet të presim VKM-në.

Dua të jem shumë i qartë: ne si FSHF jemi plotësisht pro që lojtarët me origjinë nga Kosova të pajisen me pasaportë shqiptare. Madje kemi punuar dhe kemi bërë marrëveshje me Italinë pikërisht që lojtarët shqiptarë të mos konsiderohen ekstrakomunitarë.

Por pikërisht për këtë arsye, lind një pyetje e fortë:

Si është e mundur që procedurat për një lojtar të Përfaqësueses së Kosovës, si Albion Rrahmani, mund të ecin dhe të përfundojnë, ndërkohë që dokumentacioni i lojtarëve dhe lojtareve që FSHF-ja po përpiqet t’i afrojë me Kombëtaret e Shqipërisë qëndron gjithmonë në pritje?

Nuk kemi asgjë kundër Rrahmanit apo lojtarëve të Kosovës. Përkundrazi, kjo është një çështje që ne e mbështesim. Por kërkojmë që i njëjti seriozitet, e njëjta shpejtësi dhe e njëjta vëmendje t’u kushtohet edhe talenteve që mund të veshin fanellën kuqezi.

Sepse këtu nuk po flasim për dokumente që mund të presin pafundësisht. Po flasim për fëmijë dhe të rinj që kanë një moshë, një cikël kombëtareje dhe një moment të caktuar në zhvillimin e tyre.

Nëse shteti mund të gjejë një zgjidhje kur bëhet fjalë për një lojtar që përfaqëson Kosovën, pse nuk mund të gjendet një zgjidhje me të njëjtën urgjencë për lojtarët që presin të përfaqësojnë Shqipërinë?

Sepse në fund, rrezikojmë diçka shumë më të madhe se një dosje të vonuar, rrezikojmë të humbasim talente që Shqipëria i ka gjetur, i ka ndjekur dhe i dëshiron.

Dhe do të ishte paradoksale që talentin ta humbnim jo në fushën e futbollit, por në pritje të një procedure administrative.

Me respekt

Tefik Osmani

Postimi i Tefik Osmanit