TIRANE- Komisioni i Ligjeve miratoi vetëm me votat e mazhorancës propozimin e grupit Parlamentar të PD-së për anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vendin vakant të anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi.

Për vendin e lënë vakant nga Lefterie Lleshi, tashmë kryetare e KQZ,PD ka rënë dakord që ta zërë Lulzim Lelçaj, i cili aktualisht është dhe drejtor në Drejtorinë Juridike të Kuvendit. Opozita e kundërshton këtë kandidaturë. “Kandidatura e Lelçaj është politike, nuk e votojmë për në KLD”- tha Majko.

Pas shqyrtimit dhe miratimit në komisionin përgjegjës kandidatura do të kalojë për votim në seancën plenare. Në përbërjen e tij, KLD përbëhet nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë, 3 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe 9 gjyqtarë, të të gjitha niveleve, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare.

(sg/shqiptarja.com)