Edhe pse do të duhej të vuanin dënimin të izoluar, për disa të burgosur në Rrogozhinë e Reç komunikimi me botën e jashtme nuk ka qenë aspak problem deri ditën e sotme. Orë, androidë të modifikuar në kuti kartoni për të komunikuar e shumë pajisje të tjera janë gjetur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në disa qeli në këto dy burgje këtë të diel.

Tetë grupe të Forcave Operacione zhvilluan kontrolle të befasishme nga ora 17:00 deri në orën 20:55 këtë të diel, ku u kontrolluan 8 qeli, ndërsa u konstatuan pajisje elektronike si televizorë, aparatura digitalbi, të cilave të burgosurit  i kishin të cenuar elementët e sigurisë “vulat”.

Po ashtu u gjet edhe një orë dore e modifikuar që dyshohet se përdorej si pajisje komunikimi.

Ndërkohë në burgun e Reçit është gjetur një pajisje komunikimi Android e modifikuar në një kuti kartoni, e cila e lidhur me televizorin mund të realizojë ndërveprim në rrjetet sociale.

Po ashtu gjatë kontrollit u gjetën edhe një thikë e improvizuar, një radio dore e modifikuar me dalje USB dhe Antenë etj.

Kujtojmë se më 1 shkurt në burgjet në vend u zhvillua një superoperacion që vuri në pranga 28 persona, zyrtarë, policë burgjesh, biznesmenë dhe të burgosur që e kishin kthyer aktivitetin kriminal brenda qelive. Superoperacioni i Policisë zbuloi se të dënuarit për vepra të rënda penale kanë vijuar aktivitetin e tyre kriminal edhe brenda qelisë duke krijuar një grup të strukturuar kriminal. Policët e burgjeve, jo vetëm që nuk kanë ndërhyrë për të shkatërruar këtë grup, por kanë bashkëpunuar me ta duke mundësuar futjen e qeli të drogës dhe sendeve të paligjshme dhe transportin e saj nga njëri burg në tjetrin, duke komunikuar lehtësisht. Droga transportohej në trinomin burg i Peqinit-burgu i Drenovës- paraburgimi i Elbasanit dhe të gjitha këto veprime kryheshin kundrejt përfitimeve, ku si rezultat i këtij operacioni i sekuestruan 4 mln lekë brenda në burg.