Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon se i dënuari me burgim të përjetshëm, Miklovan Parubi, është transferuar nga burgu i Peqinit në burgun e Burrelit. 

Burime për Report Tv bëjnë me dije se vendimi për transferimin e Parubit ka ardhur pasi ka patur informacione se po përgatitej një ngjarje kriminale në burgun e Peqinit, ngjarje në të cilën pritej që "protagonist" të ishte i burgosuri përjetë.

Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në momentin e pranimit në burgun e Burrelit, në materialet personale të Miklovan Parubit është gjetur e fshehur në një çorape, një qese e vogël e dyshuar si lëndë narkotike.

Parubi është dënuar me burg përjetë si autor i një vrasje të dyfishtë të ndodhur në tetor të 2016 në Dajç.

Njoftimi i "Burgjeve":

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon se, bazuar në informacionet paraprake të marra në rrugë operative nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (ShKBB), me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Adriatik Kupi për arsye sigurie është kryer transferimi i të dënuarit me burgim të përjetshëm, me iniciale M.P., nga IEVP Peqin në IEVP Burrel.

Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në momentin e pranimit në IEVP Burrel, në materialet personale të të dënuarit është konstatuar, e fshehur në një çorape, një qese e vogël e dyshuar si lëndë narkotike.

Menjëherë janë njoftuar drejtuesit e institucionit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve si dhe Komisariati i Policisë Burrel, i cili ka marrë në dorëzim materialin për kryerjen e ekspertizës përkatëse.

Ngjarja po ndiqet sipas procedurave ligjore në fuqi. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e angazhuar në një luftë pa kompromis ndaj çdo paligjshmërie brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.

Ngjarja e rëndë e vrasjes së Arjet Saitit dhe Gacalin Kopshti ka ndodhur në 3 tetor 2016 ku rreth orës 22:40 në një bar-kafe të quajtur “Shqiponja” në fshatin Dajç të Shkodrës, janë dëgjuar disa breshëri kallashnikovi. Autori i krimit Miklovan Parubi,ka hyrë në lokal dhe ka qëlluar pa asnjë paralajmërim me breshëri mes grupit të djemve që qëndronin në një tavolinë në lokal.