Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon se i dënuari me burgim të përjetshëm, Miklovan Parubi, është transferuar nga burgu i Peqinit në burgun e Burrelit.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se vendimi për transferimin e Parubit ka ardhur pasi ka patur informacione se po përgatitej një ngjarje kriminale në burgun e Peqinit, ngjarje në të cilën pritej që "protagonist" të ishte i burgosuri përjetë.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në momentin e pranimit në burgun e Burrelit, në materialet personale të Miklovan Parubit është gjetur e fshehur në një çorape, një qese e vogël e dyshuar si lëndë narkotike.
Parubi është dënuar me burg përjetë si autor i një vrasje të dyfishtë të ndodhur në tetor të 2016 në Dajç.
Njoftimi i "Burgjeve":
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon se, bazuar në informacionet paraprake të marra në rrugë operative nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (ShKBB), me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Adriatik Kupi për arsye sigurie është kryer transferimi i të dënuarit me burgim të përjetshëm, me iniciale M.P., nga IEVP Peqin në IEVP Burrel.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në momentin e pranimit në IEVP Burrel, në materialet personale të të dënuarit është konstatuar, e fshehur në një çorape, një qese e vogël e dyshuar si lëndë narkotike.
Menjëherë janë njoftuar drejtuesit e institucionit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve si dhe Komisariati i Policisë Burrel, i cili ka marrë në dorëzim materialin për kryerjen e ekspertizës përkatëse.
Ngjarja po ndiqet sipas procedurave ligjore në fuqi. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e angazhuar në një luftë pa kompromis ndaj çdo paligjshmërie brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.
Ngjarja e rëndë e vrasjes së Arjet Saitit dhe Gacalin Kopshti ka ndodhur në 3 tetor 2016 ku rreth orës 22:40 në një bar-kafe të quajtur “Shqiponja” në fshatin Dajç të Shkodrës, janë dëgjuar disa breshëri kallashnikovi. Autori i krimit Miklovan Parubi,ka hyrë në lokal dhe ka qëlluar pa asnjë paralajmërim me breshëri mes grupit të djemve që qëndronin në një tavolinë në lokal.
Komente










Sa djali ri humi jeten me per burgje.
Përgjigju