Në kuadër të riorganizimit, mirëfunksionimit të organit të akuzës, rritjes së performancës dhe besueshmërisë së publikut, Arta Marku vendosi ndryshimin e drejtuesve të Elbasanit, Kukësit, Durrësit dhe Fierit. Por burime për Report Tv pohojnë se pas prokurorit të Elbasanit dhe ai i Durrësit nuk pranoi që të largohej.
”Nuk jap dorëheqjen, nuk jam i komanduar jam i emëruar”, mësohet se është shprehur kreu i prokurorisë së Durrësit Agron Gjanaj para kryeprokurores gjatë takimit sot paradite ne Prokurorinë e Përgjithshme, pavarësisht se e vërteta është tjetër dhe prokurorët, si ai i Elbasanit ashtu edhe i Durrësit kanë qenë të komanduar nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla.
Por, pavarësisht refuzimit, ish-prokurori i Durrësit Agron Gjana është transferuar prokuror i thjesht në Pukë. Ndërsa përsa i përket prokurorit të Elbasanit, Dritan Gina në një prononcim për mediat, ai e ka cilësuar si të paligjshëm urdhrin, ndërsa refuzon që të largohet.
Për vendimin e largimit nga detyra ai thotë se ka pasur ndikim politik, ndërsa ka sjellë në vëmendje takimin e Markut me ministrin Xhafaj. Dritan Gina ka paralajmëruar se pas njohjes me vendimin do të ketë një kallëzim penal ndaj kryeprokurores Arta Marku, që sipas tij po bën qoka politike me largimin nga detyra. ‘Unë nuk jam i komanduar. Unë jam i caktuar i përkohshëm dhe për këto persona, Marku nuk ka asnjë tagër për lëvizjen nga detyra. Vendimi mund të ndryshohet vetëm nga Këshilli i Prokurorisë, i cili ende nuk është mbledhur. Vendimi i kryeprokurores është i paligjshëm. Lëvizja është e nxitur nga qarqe të caktuara politike.
Autorët e ngjarjes në Elbasan nuk janë zbardhur, pasi policia nuk ka mbledhur provat. Vendimmarrja nuk bazohet në asnjë analizë. Kryeprokurorja nuk ka bërë asnjë mbledhje dhe nuk ka kërkuar asnjë analizë. Kryeprokurorja pas kontakteve politike ka nxjerrë vendimin për largimin tim nga detyra. Në aspektin personal nuk e kam aspak problem të largohem.
Jam i nderuar që jam emëruar në Tiranë, por nuk mund të braktis detyrën, refuzoj ta zbatoj vendimin, pasi vendimi është i paligjshëm. U bëj thirrje edhe kolegëve që të mos lejojnë që pozicioni i tyre të shërbejë për qoka. Unë nuk mund të bëj kallëzim kur nuk kam aktin. Ky reagim mori shkak nga kontakti me zyrën e personalit, pasi njohjes me vendimin do të bëj edhe kallëzim penal”, deklaroi ai.
Dritan Gina ka lëshuar akuza të forta në drejtim të Policisë së Shtetit për disa nga ngjarjet e bujshme që kanë tronditur qytetin e Elbasanit vitin e kaluar. “Elbasani vitin e kaluar është përballur me situata kriminale, këto ngjarje nuk janë zbardhur. Autorët, pavarësisht se njihen nga policia nuk janë siguruar prova nga hetimet, duke u konstatuar shkelje të rëndë.
Kjo nuk është neglizhencë e policisë, me të cilën kemi raporte korrekte. Ju e kujtoni situatën e verës së kaluar kur kërkuam ndihmë nga policia, që nuk erdhi asnjëherë dhe për fat të keq hetimi dështoi. Por kjo histori nuk përfundoi këtu, pasi ka nisur një fushatë kundër drejtuesit të prokurorisë së Elbasanit. Policia nuk bashkëpunoi kur ne kërkuam ndihmën e saj, por ndihma nuk erdhi me pretendimin se punonjësit ishin në plazh dhe ky hetim dështoi.
Rasti më i fundit është i ngjarjes te hotel ‘Univers’, ku kam kërkuar ndihmë nga prokuroria e përgjithshme nga shefi i IT për të kryer veprime pranë serverave të bashkisë pasi ka dyshime që persona të paautorizuar kane akses dhe kjo lëvizje vjen pas kërkesës sime”, deklaroi.
Dritan Gina akuzoi se policia nuk ka ndihmuar në zbardhjen e ngjarjeve kriminale në Elbasan, ndërsa Ministria e Brendshme pa pasur një fushatë kundër tij. “Nga Ministria e Brendshme ka nisur një fushatë ndaj drejtuesit të Elbasanit duke shfrytëzuar një prokurore, naivitetin e saj për një histori humbjesh dosjesh.
Kallëzimi është sajesë, injorancë profesionale. Një nga dosjet është dërguar për gjykim, në hetim janë edhe dy të tjerat. Situata precipitoi derisa sa policia ushtroi kontroll në prokuroi për të justifikuar procesin denigrues. Ju garantoj që situata të tilla nuk do të tolerohen më.
Nuk do të lejojmë policinë që të ushtrojë presion. Pas disa tentativa u gjet mënyra për të larguar prokurorin e Elbasanit. Ku është mesazh që ata që hetojnë grupet kriminale mund ta pësojnë”, deklaroi ai.
Duke u ndaluar te akuzat për dekonspirimin e rastit të patentave të Saimir Tahirit ai u shpreh se ‘Nëse ka dyshime për mua le të bëhen hetime, por nuk kanë dalë nga prokuroria e Elbasanit. Ndërsa ndaj Kreshnik Ajazit, prokuroria e Elbasanit e gjendur përballë një fakti të rëndë regjistroi procedimin dhe e dërgoi në Tiranë.
Ne kemi disa cështje në hetim, por heqja ime është në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës. Nëse Marku kërkon të bëhet prokurore e përhershme nuk mund të bëjë qoka. Ajo nuk ka tagër për të më ndërprerë mandatin mua”, përfundoi ai.
- Z. Dritan Gina, Drejtues i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, i ndërpritet komandimi dhe kthehet si prokuror në Prokurorinë ku është i emëruar;
- Drejtues i Përkohshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, caktohet prokurori, z.Ardjan Nezha.
- Z. Pali Deçolli, Drejtues i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, i ndërpritet komandimi dhe kthehet si prokuror në Prokurorinë ku është i emëruar;
- Drejtues i Përkohshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, caktohet prokurori, z.Fatmir Lushi.
- Z. Artur Ismailukaj, Drejtues i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, i ndërpritet komandimi dhe kthehet si prokuror në Prokurorinë ku është i emëruar;
- Drejtues i Përkohshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, caktohet prokurori, zj.Alketa Nushi.
- Në Durrës në vendin e Agron Gjanajt emërohet Donika Prenga
d.b/shqiptarja.com

VIDEO










