Dren Abazi, mbreti i natës që
shkon në Hollywood

Dren Abazi, mbreti i natës që<br />shkon në Hollywood
TIRANE- Kantautori i cili tashmë bën diferencën në muzikën shqiptare, vjen përmes një rrëfimi mbi lidhjen e tij me muzikën, trofetë dhe sukseset që ka prekur deri më tani. Bëhet fjalë për Dren Abazin, këngëtarin i cili prej vitesh ka sjell origjinalitet nën tingujt e muzikës. Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, Dreni tregon emocionet e trofeut të vitit të çmimeve “Kult”, mesazhin e klipit “Mbreti natës”, një këngë që u diskutua shumë në media për atë çka solli, si dhe suksesin e madh të krijimtarisë së tij artistike, ku kënga “Natën” tashmë është bërë kolona zanore e filmit “Let's Be Cops”.
 
Edhe pse ka kaluar gati një vit që nga dalja e albumit "Afterparty", ky album  muzikor ju dhuroi dhe trofeun në ndarjen e çmimeve “Kult” në Tiranë. Si ndjeheni?
Vlerësimi që iu bë albumit tim "Afterparty" nga Akademia Kult është shumë domethënës për mua, për gjithë punën që është bërë për realizimin e këtij projekti dhe për gjithë njerëzit që në një mënyrë apo tjetër kanë ndihmuar në gjithë punën 3 vjeçare që ky album të marr formën më të mirë të tijën. Për mua personalisht, është një vlerësim por, mbi të gjithë një shtytje shumë e madhe në punën që do vij pas këtij albumi.
 
Tregu muzikor tashmë është mbushur me orkestra por, ndryshe nga këta “Zig Zag Orkestra” ka rrëmbyer rrethin e tij artistik që ju ndjek gjatë gjithë kohës. Mendoni se krijimtaria juaj tashmë është në rrugën e duhur?
Nuk e shoh si diçka konkuruese faktin që në njëfarë mënyre kam ndikuar sadopak në shijen dhe drejtimin që mund të kenë marrë disa nga artistët e rinj. Për më tepër më duket pozitive idea që konceptin që kam unë për muzikën ta vazhdojnë edhe të tjerë, pse jo. Secili bën artin e vet në mënyrën se si e sheh më të arsyeshme personalisht dhe në mënyrën që artisti ndjehet më rehat me atë që bën. Koncepti i rrugës së duhur është shumë subjektiv dhe relativ.
 
Veç çmimeve dhe trofeve këtë kohë sollët dhe klipin “Mbreti i natës”. Një klip që është pëlqyer dhe komentuar në të njëtën kohë. Çfarë persefikon “Mbreti i natës” për ju si kantautor?
“Mbreti natës” në dallim nga shumica e këngëve tjera, është më shumë një këngë me një antagonizëm në vete, këtë e them duke pasur parasysh edhe tekstin më shumë, që nuk është romantik, nuk ka një protagonist romantik, por është një këngë që flet për një degjenerim të shoqërisë, për një injorancë e egoizëm karshi një karakteri që në video personifikohet me bendin që është normal në një mjedis të shthurrur me tym cigareje e alkool.
 
Në çfarë stadi është muzika shqiptare, a mendoni se po i jepet fund muzikës komerciale?
Për realitetin ku ndodhet sot muzika shqiptare fajtor kryesor është gjithmonë media. Në këtë rast televizioni dhe media e shkruar që i japin hapësirë dhe vëmendje të jashtzakonshme gjithçkaje të pavlerë! Televizioni ka rolin e edukimit të masës dhe te ne kjo nga shumica e Tv bëhet si mos më keq. Çdo ditë,  televizioni është burim i prodhimit të çfardo personazhi pa edhe më të voglin kriter.
 
Një tjetër suprizë gjatë këtij viti artistik ishte dhe kontrata me një prej produksioneve të Hollivudit ku një prej këngëve tuaja do të bëhet kolonë zanore në filmin “Let's Be Cops”...?
Kjo është diçka që normalisht mund të quhet si një sukses i madh, ndoshta jo edhe vetëm për mua. Njëra ndër kompanitë filmike më të mëdha në “Hollywood” bleu një nga këngët e mia në mesin e shumë këngëve të tjera, për kolonën zanore të filmit “Let's be cops” dhe normalisht që kjo më bën të ndjehem krenar. Me informatat që kam filmi është xhiruar dhe këto ditë do filloj të shfaqet, fillimisht në kinematë amerikane e pastaj edhe në evropë. Më pëlqen fakti që njëri nga aktorët në këtë film është Andy Garcia, një nga aktorët e mi të preferuar.
 
Je një ndër artistët më joshës në lidhje me femrat, ky një konstatim i bërë jo vetëm nga unë. Ndihesh ndopak i priveligjuar dhe si është raporti juaj me femrat?
Nuk më bën të ndjehem keq aspak, perkundrazi! Sidoqoftë e kam thënë shumë herë dhe vazhdoj ta them, që në radhë të parë unë jam muzikant, bëj muzikën, shkruaj tekstet, këndoj...pastaj vijnë të tjerat. Raportin me femrat e kam gjithmonë shumë të mirë.
 
Cila është femra e jetës së Drenit?
Ndoshta akoma s'ka ardhur!
 
Kush është pika e dobët për ju?
Pika e dobët për mua, sigurisht që është familja.
 
Po projektet tuaja gjatë kësaj vere cilat janë?
Momentalisht jam duke punuar në muzikën e një filmi shqiptaro-francez “The return”, një film që sapo ka mbyllur xhirimet dhe është në fazën e fundit të postproduksionit. Kjo është hera e parë që punoj në film të metrazhit të gjatë pasi kam bërë muzikën për disa filma të shkurtër deri më tani... Kjo normalisht është prioritet i momentit për mua, por pa lënë anash asnjëherë edhe krijimet e këngët e mia të radhës.
 
Po përsa i përket koncerteve, cila është axhenda juaj jeni të ngarkuar?
Normalisht që vera zakonisht është më e nxehtë. Do kem koncerte kryesisht brenda vendit, domethënë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Pjesën tjetër uroj të jem diku në jug, është urimi më i mirë që mund ti bëj vetes në këto ditë të nxehta vere. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike