“Nga të gjitha dashuritë ajo politike e ka jetën më të shkurtër”. E thënë nga Dahrendorf në mesin e viteve ’90, gjetja e tij duket se i përshtatet tërësisht edhe realitetit politik shqiptar. Kjo është marrëveshja e 16 zgjedhore midis PD-PS në 21 vjet, nga të cilat vetëm 1 është zbatuar, ajo e vitit 1992. Atëherë pritej rotacion pushteti, kishim një qeveri teknike, zgjedhjet thuajse organizoheshin nga institucionet ndërkombëtare, qytetarët masivisht mbështesnin ndryshimin dhe diferenca e mbështetjes midis palëve ishte ekstremist e madhe. Që atëherë çdo marrëveshje ka dështuar përpara ose pas-zgjedhjeve, dhe gjithnjë, ka nisur puna për një marrëveshje të re. Kjo e kësaj jave është më e reja.
“Reformë” do të thotë ndryshim, përmirësim, zgjidhje afatgjatë, por në rastin konkret megjithëse kemi ndonjë përmirësim nuk kemi ndryshim dhe as siguri për jetëgjatësinë e marrëveshjes së ofruar. Më shumë se reformë kemi të bëjmë me pafuqi konsensuale për bërjen e reformës. Më shumë sesa rrugë për zgjidhje afatgjata ligjore e kushtetuese, palët kanë menduar sesi t’i ofrojnë zgjidhje kërkesave dhe pakënaqësive të njëra tjetrës. Dhe rezultati flet qartë: do të ketë veto të dy anëtarëve për hapjen e kutive të votimit (lëshim për PS), kjo ndodh vetëm në raste specifike (lëshim për PD), do ndryshojë kreu i KQZ (lëshim për PS), pasuesi i tij zgjidhet me shumicë votash parlamentare (lëshim për PD), do të ketë test të numërimit elektronik (lëshim për PS), do aplikohet vetëm në Fier (lëshim për PD), do të ketë test elektronik për kartat (lëshim për PS), do aplikohet vetëm në Tiranë (lëshim për PD), do të ketë penalizim më të madh për abuzimet e komisionerëve (lëshim për PS), ata do të zëvendësohen nëse nuk zbatojnë vendimet e shumicës (lëshim për PD), do të ketë reduktim të reklamave qeveritare (lëshim për PS), nuk do të ketë dorëheqje nga postet publike të kandidatëve (lëshim për PD), etj, etj. Mbi të gjitha nuk do të ketë korrektim kombëtar të sistemit (interes madhor i PD-PS), nuk do të ketë votë për kandidatin por vetëm për partinë, nuk do të ketë votë të emigrantëve dhe as depolitizim të administratës zgjedhore (interes madhor i PD-PS).
Siç del nga bilanci krahasues kompromisi i radhës i ngjan më shumë një marrëveshjeje interesash dypartiake, një pazari politik në tavolinë, sesa një zgjidhje përfshirëse, të qëndrueshme, efektive dhe afatgjatë. Jashtë marrëveshjes janë lënë interesat dhe kërkesat e partive të treta (korrektimi, depolitizimi, përfaqësimi, etj), kërkesat e grupeve civile (kuotat gjinore, depolitizimi i administratës, siguria e votës dhe transparenca financiare), u la publiku (asnjë konsultim publik, asnjë pyetësor, pranim sugjerimesh apo testim të kërkesave për standarde më të larta demokracie), si dhe në thelb detyrimi kushtetues për barazinë e një vote dhe për zgjedhje të ndershme.
Në thelb marrëveshja përbën një retushim të qëndrimeve dhe interesave të dy palëve, me kompromis mbi disa detaje teknike. Në politikë shpesh thuhet se “në detaje fshihet djalli” dhe detajet e reformës së vitit 2012 me siguri do të kenë të njëjtin produkt më 2013. Forcat politike do të detyrohen të rreshtohen në koalicione të mëdha, votat e partive të treta do ti kalojnë PD-PS, tek e djathta pasojat më të mëdha do të jenë mbi PR, PLL, PDIU votat e të cilëve do të kalojnë mandate për LSI, kurse tek PS pasojat do të rëndojnë mbi PDS, G99, etj, votat e të cilave do i kalojnë PSD. Bie modeli i partive kombëtare dhe do marrin jetë interesat dhe partitë lokale. Vlerat dhe karriera politike nuk do të përcaktohet nga vota, por nga respekti, besnikëria dhe bindja e verbër ndaj liderit partiak. Shanset për koalicione jashtë PD-PS kufizohen edhe pse dy palët në tri zgjedhjet e fundit fitojnë vetëm 45-65% të votave elektorale. Kush i përfaqëson të tjerët, rreth një milion vota jashtë PD-PS, mijëra të rinj që votojnë për herë të parë, mijëra emigrantë që u lanë edhe njëherë jashtë votimit, apo të gjithë ata që mendojnë se ky vend nuk është pronë e dy pashallarëve të qendrës së Tiranës? Me “konsensus” ata mbeten jashtë. Në emër të tyre do të flasin dhe marrin vendime të tjerët. Dhe kështu, “reforma” e fundit i detyron shqiptarët të vijojnë të zgjedhin midis të keqes më të madhe dhe asaj më të vogël, me pak shanse për alternativa pozitive, - një zhvillim ky i ndryshëm me proceset e fundit elektorale në Poloni, Rumani, Slloveni, Kroaci apo Greqi.
Çfarë do të sjellë 2013? Nëse i besojmë dashurisë në kohën e krizës, hare dhe ndarje të barabartë të pushtetit. Nëse i besojmë traditës dhe real-politikës, - një riciklim të krizave post-zgjedhore. Nëse i besojmë modeleve të demokracisë, - ecje edhe më tej me standardet minimale, mbetje edhe më tej si demokraci e brishtë, humbje edhe më tej e energjive pozitive dhe shanseve politike, - zgjatje edhe më tej e procesit të tranzicionit drejt demokracisë funksionale. Si profesionist që merrem prej vitesh me çështjet zgjedhore e politike treguesit e tanishëm nuk më lejojnë të jem optimist. Si qytetar, si zyrtar dhe votues do të doja që paralajmërimi im të jetë i gabuar. Në këtë fazë nuk kemi mekanizëm tjetër verifikimi e ballafaqimi përveç pritjes dhe shpresës utopike, një zgjidhje përrallash, e cila, gjithsesi, rrallë ndodh në politikë.