“Kohë e pamjaftueshme” e Helena Kadaresë është një nga librat më të bukur që na ka ofruar një shkrimtare shqiptare, jo vetëm për kujtimet e kësaj gruaje të vecantë, bashkëshorte e shkrimtarit tonë më të njohur e vlerësuar, Ismail Kadare, por edhe për stilin e shtruar, të pjekur, elegant, të paqtë, të sinqertë, të pazakontë për traditën e letërsisë sonë. Siç e zbuloi vetë në një intervistë të fundit, një shtëpi prodhuese filmash franceze ka blerë të drejtat e këtij libri për të realizuar një film. Do të ishte një dhuratë e madhe për të gjithë ne.
Bëhen 10 vite që nga botimi i “Kohë e pamjaftueshme”, siç me 28 janar 2021 Ismail Kadare mbush 85 vjeç. Do të ishte një kohë e mjaftueshme për çiftin më interesant të trojeve mbarëshqiptare për të thënë shumë gjëra, për t’u shprehur, takuar, ndikuar, orientuar, për të ofruar në të gjitha mënyrat talentin, dëshmitë dhe përvojën e tyre për shqiptarët e sotëm dhe të nesërm. Jam e bindur se librave të Ismail Kadaresë dhe të Helenës shqiptarët do t’iu kthehen e rikthehen sic kemi bërë me autorë të rilindjes; do të hapen e rihapen sic kemi bërë me librat më të mirë të letërsisë botërore, ku përherë habitemi, magjepsemi, mahnitemi për kuptimin e një fjalie që vite më parë nuk e kishim kuptuar.
Por ndërkohë, ata dalin dhe flasin pak. Në situata ekskluzive dhe sidomos me njerëz që njohim mirë dhe kanë besim. Edhe në këto rrethana nuk janë të qetë dhe të sigurtë se pas asaj që thonë dhe si e thonë nuk do të ngjallin reagime ekstreme: simpatinë apo urrejtjen me pasoja të paparashikueshme. Sepse ne kemi mbetur kështu, esktremë në ndjenja dhe në fjalë, jemi bërë të papërballueshëm, sidomos në kohë rrjetesh sociale dhe portalesh.
Mendojmë se fjala e rëndë nuk bën efekt. E hedhim ashtu si gur, madje disa, e keni vënë re, përzgjedhin fjalën më përbuzëse apo të shëmtuar për të lënduar. Sic e kemi vënë re në kuvendimet publike sesa disa e ndezin këtë, e duan, e adhurojnë e ushqejnë. Nuk jemi të vetmit, nuk jemi i vetmi vend, nuk jemi vetëm ne shqiptarët ekzekutues dhe viktima njëkohësisht të fjalëve që hidhen poshte e lart. Kudo, nga SHBA, Europë, Azi, Afrikë, problemi është i njëjtë; por në vende më të vogla, si i yni, impakti, jehona është më shurdhuese: njësoj sikur hedh një gur në det, apo të njëjtin në një pus të vogël, dikur të mbyllur.
Dalja më e fundit në publik e Helenës dhe Ismail Kadaresë ishte në një takim me të rinjtë e një rrethi letrat në qytetin e Kavajës. “Ismaili si gjithnjë, nuk ishte shumë optimist të dilte nga shtëpia”, mësova gjatë një bisede telefonike me shkrimtaren tonë të dashur, “por mbetëm të dy të befasuar nga drita dhe dija që gjetëm mes atyre të rinjve”, tha Helena Kadare. “Aq të rinj e aq të informuar për veprën e Ismailit. Pyetje befasuese e plot kuriozitet dhe jetë, na bënë të dyve, jo vetëm të mos pendoheshim për atë takim, por edhe ta shijonim deri në fund”.
Duken si fjalë profetike thënë nga një grua që për nga ndjeshmëria, talenti e përvoja mund dhe di të dallojë thelbin e asaj që në Shqipëri do të vijë: Dritë, inteligjencë, seriozitet, dije nga ata që sot janë fëmijë dhe të rinj e që nesër do të jenë të ndryshëm nga ne. Fëmijë e të rinj që kanë parë në sy mësuesit më të mirë e kanë përthithur mësimet për Naimin, Migjenin, Kutelin, Poradecin, Kadarenë, Agollin ndërsa nga prindërit e tyre që nuk bërtasin e shajnë nëpër rrejte sociale (shumica me siguri), mësuan maturinë, thjeshtësinë, punën e mirësjelljen.
Do të jemi dëshmitarë nëse drita që pa mes fëmijëve të Kavajës Helena Kadare, do të jetë drita e të ardhmes.