Dritan Hila: Evropa ende është anti-Putin

Dritan Hila: Evropa ende është anti-Putin

Ka një gëzim të sovranistëve për avancimin e të djathtës, sidomos në Francë dhe pastaj në vende të tjera të Evropës. Mes tyre janë edhe të djathtët e vërtetë dhe ata filo Putin apo Xi. Në fakt e gjitha është paksa e mjegullt. Është e vërtetë që e majta ka humbur shpesh në kauza minore, duke bërë që të shpërndajë fuqitë e saj. Sikurse ka një lloj lodhjeje të saj nga pushteti i stërzgjatur, ngatërrimi me kauza liberale apo mungesa e liderëve karizmatikë. Por asgjë që mund të sjellë një erë të acartë në Evropë.

Rekordin e votës djathtas që ka gëzuar edhe Peskovin si zëdhënës i Putinit, e mban Franca. Duket sikur fitorja e Le Pen e rrëzoi Makronin. Por në fakt kjo ka ngjallur reagimin e tij dhe Makroni menjëherë i shpalli sfidë Le Penit duke dekretuar zgjedhjet e parakohshme. Dhe këto lloj zgjedhjesh nuk janë njësoj me të së dielës që sapo shkoi. Kjo do të sjellë një mobilizim të elektoratit të majtë, i cili këtë radhë nuk është se e vuri shumë ujin në zjarr.

Edhe në rast fitoreje të Le Pen, derisa kjo të marrë realisht frenat e pushtetit, d.m.th t’i marrë presidencën Makronit, është rrugë e gjatë. Dhe për këtë duhet të kalojë në sprovën e qeverisë, e cila në një republikë presidenciale ku Makroni do kujdeset t’i nxijë jetën, nuk do ta ketë jetën të lehtë.

Po ashtu në Gjermani avancimi i të djathtës ekstreme ADF është bërë në kurriz të së majtës. Ndërkohë kristiandemokratët i kanë të salduara kuotat drejtuese dhe nëse do të ketë zgjedhje të reja, kryeministri i ardhshëm do të jetë ai që del nga radhët e qendrës.

Italia shënoi një triumf të Melonit, por kujdes. Ajo ka vetëm një të tretën. Për më tepër gjuha e saj ka kohë që është korrigjuar në atë të një partie të qendrës së djathtë. Është një rrugë që duhet ta ndjekin edhe të tjerët. Shembulli i Syrizas është një leksion për të gjitha krahët e politikës që provojnë të sjellin ekstremizmin në pushtet duke kalëruar populizmin, por pastaj ngecin në rrjetën e sistemit.

Kurse sa i takon fitoreve të së djathtave austriake dhe greke, këto nuk ndryshojnë dot kursin e BE-së. Janë dekor. Ndaj më shumë sesa zgjedhje që do të sjellin ndryshimin, këto janë një shkundje për politikën që duhet të marrë përgjegjësitë e saj./ Dritare

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Europa jo Evropa: 11/06/2024 03:20

    Pse nuk e sulmojnë kur janë anti-Putin? Apo kanë frikë se ju del e kundërta?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi kërkon që Greqia të heqë ligjin e luftës, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Censi2023/ Kisha Orthodhokse: Të dhënat nuk pasqyrojnë realitetin, qytetarët nuk u pyetën për përkatësinë fetare

Censi2023/ Kisha Orthodhokse: Të dhënat nuk pasqyrojnë realitetin, qytetarët nuk u pyetën për përkatësinë fetare