Von der Leyen takon Begajn: Vlerësoj angazhimin tuaj për të ardhmen e Shqipërisë në BE! Presidenti: Do përmbyllim në kohë kapitujt themelorë (VIDEO)

TIRANË- Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen u prit sot nga Presidenti Bajram Begaj. Në kuadër të vizitës në Tiranë, Von der Leyen zhvilloi edhe një takim me kreun e Shtetit rreth orës 10:00 në Presidencë.

Në fokus të bisedës ka qenë rrugëtimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe hapja e negociatave për grupkapitullin e parë. Në një postim në platformën ‘X’, Von der Leyen shkruan se vlerëson angazhimin e Presidentit Begaj për të ardhmen e Shqipërisë dhe rajonit në BE.

“E vlerësoj thellësisht angazhimin tuaj personal për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin tonë. Si dhe perspektiva juaj unike për pajtimin, integrimin dhe prosperitetin e rajonit”, shkruan Von der Leyen.

Presidenti Begaj përgëzoi Von der Leyen për vendosjen e integrimit të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në BE në krye të përparësive përgjatë mandatit të dytë të saj si Presidente e Komisionit Evropian. Begaj çmoi angazhimin e Presidentes së KE për të përshpejtuar hapjen e të gjithë kapitujve me Shqipërinë deri në fund të vitit 2025.

Presidenti shprehu bindjen se Shqipëria dhe institucionet shqiptare do të përmbyllin në kohë dhe me sukses kapitujt themelorë, duke ecur në këtë mënyrë më të njëjtin ritëm me aspiratën e shqiptarëve për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Begaj i shprehu mirënjohje Presidentes së Komisionit Evropian për mbështetjen ndaj Shqipërisë në rrugëtimin evropian, teksa nënvizoi edhe rëndësinë e mesazheve në samitin e fundit të Berlinit, si dhe miratimin nga BE-ja të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Presidenti Begaj theksoi në këtë takim se Shqipëria do të vijojë të mbetet një nxitëse e bashkëpunimit rajonal, duke shprehur bindjen e tij se nuk mund të ketë integrim evropian të rajonit pa një integrim ekonomik dhe bashkëpunim proaktiv të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Më pas, Presidentja e Komisionit Europian u largoua nga Tirana për të vijuar me turin në 5 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Takimi i Von der Leyen me Ramën

Një ditë më parë, Von der Leyen u prit nga kryeministri Edi Rama. Një javë pasi Shqipëria u ul përballë delegacionit të BE dhe hapi negociatat për grup kapitujt e parë me Shqipërinë, Presidentja e Komisioni Europian Ursula von der Leyen tha nga Tirana, se brenda 2025 të gjithë grupkapitujt mund të hapen. Ajo shmangu një koment për arrestimin e Ilir Metës, por vlerësoi punën e shkëlqyer të reformave, veçanërisht ajo në drejtësi. 

Vizita e Von der Leyen është pjesë e turit të Ballkanit Perëndimor me fokus paketën e BE-së për rritje dhe reforma në rajon, e cila përfshin ndihmë financiare prej 6 miliardë euro për këto vende.

Këtë të mërkurë, Komisioni Evropian miratoi planin e rritjes dhe shpejt pritet të nisin pagesat e paranga paketa 6 miliardë euro për Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    7 Dhjetor, 15:58

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?



×

Lajmi i fundit

Kapen 9.5 tonë kokainë në banane, ngarkesa më e madhe në historinë e shtetit latin

Kapen 9.5 tonë kokainë në banane, ngarkesa më e madhe në historinë e shtetit latin