VLORË - “Vota juaj për Dritan Lelin dhe Partinë Socialiste është votë për përfaqësimin e grave në politikë, votë për nënat dhe motrat tuaja, është votë për ju. Përmes kësaj vote ju do të bëheni pjesë e vendimmarrjes në Bashkinë Vlorë”. Me këto fjalë u është drejtuar Dritan Leli 700 grave dhe vajzave të pranishme në një takim elektoral para zgjedhjeve të së dielës. Leli u zotua përpara vajzave dhe grave të Vlorës se ato do të kenë gjithmonë një derë të hapur në bashkinë e katër viteve të ardhshme dhe se vajzat dhe gratë do të punësohen me prioritet.
 
Dritan Leli u ka kthyer përgjigje edhe spekulimeve të bëra nga kandidatët e tjerë duke thënë se vlonjatët nuk mund të mashtrohen më. Sipas tij, më 21 qershor do të përfundojë politika e përbaltjes dhe do të nisë politika e respektit ndaj qytetarit.
 
Gjatë bashkëbisedimit me gratë dhe me vajzat, Leli ka prezantuar pikat e programit të tij për zhvillimin social të qytetit si dhe për rritjen e mirëqenies. Ai ka kërkuar nga vlonjatët që të zgjedhin drejtimin e duhur dhe të mos mashtrohen më nga premtimet boshe të politikanëve nga Tirana.
 
Në fund të takimit Leli u premtoi të pranishmëve transparencë maksimale në të gjitha vendimet e bashkisë si dhe projektin, i cili do ta bëjë Vlorën qytetin më demokratik në Shqipëri.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)