Droboniku e tradita e mozaikëve në
Shqipëri nga antikiteti te shekulli XX

Droboniku e tradita e mozaikëve në<br />Shqipëri nga antikiteti te shekulli XX
Një nga vendet më të pasura në trashegiminë e hershme antike është padyshim dhe Apollonia në afërsi të qytetit të Fierit, qytetit të Lindjes së artistit Josif Droboniku. Në tokën thesar me shtresa të lashta kulturash, ruhen disa nga mrekullitë e artit antik të periudhës Greko Romake; dy qytetërime mes të cilave vendi ynë qëndron e që mund të quhen dhe si vatra ku u gatua arti i madh i civilizimit Europian.

Në një nga mozaiket e famshëm Apollonian si ajo me skenën figurale të Akilit me Amazonat, por dhe një emblemë me motive gjeometrike që zbukuronin ambjentet e banjës termale mbeten si dy nga prirjet kryesore të thesarit tone të trashegimisë. Josifi e ka thithur në genin e familjes së tij këtë nektar që më pas, shërbeu si tokë e trashëguar për veprën e tij të mozaikut dhe pictures. Stili i fortë vizual dhe grafik si dhe përkthimi i sendeve dhe figurave në trajta specifike mozaiku, ka zënë fill përpara e pas edukimit shkollor të artistit.

Gjatë viteve të shkollës si nxënës dhe studentë si në Lice apo dhe në Institutin e Lartë të Arteve, ndonëse në një sistem politik  ateist, brezin tonë nuk e ka penguar kush të njohë dhe të ndikohet prej kësaj trashëgimie. Lenda e historisë së artit Shqiptar ishte e rëndësishme në atë kohë për të rritur krenarinë kombëtare, por jo atë ideologjike dhe kështu, shpesh herë artistët përcaktoheshin mbi fatin e tyre të metejshem në nënvlerësimin e kësaj trashëgimie apo në mbështetjen mbi të. Josif Droboniku i përket atyre artistëve shumë të lidhur me vendin dhe realitetin e tyre ndonëse ishte kurioz dhe i ndikuar prej artit të madh Europian dhe veçmas atij modern me kubistët, futuristët dhe konstruktivistët. Gjithsesi edukimi yne ka patur për bazë klasiken e lartë.

Gjatë shetitjeve nëpër Shqipërinë e monumenteve të kulturës në kohën studentore, kemi studiuar dhe njohur me hollësi dhe për shkak dhe të propagandimit të tyre, shumë kryevepra klasike dhe kishtare, ku ndikim të madh kanë  ushtruar mozaikë si: bukuroshja e Durrësit, skenat e kungimit në mozaikët e bazilikës së Linit në Pogradec, mozaiku  në pagëzimoren e Butrintit, skena baritore kristiane në Arapaj të Durrësit apo vete mozaikët në një nga lagjet e Tiranës para osmane.
Duke qenë se mozaikët janë pjesë përbërese e godinave dhe ndërtimeve përgjithësisht të rëndësishme si me bazë kulti por dhe qytetarie, ato u  realizuan dhe u zhvilluan sipas interesave të epokave te ndryshme. Mbas çlirimit, pushteti komunist, i dha rëndësi arteve dhe ndërtimit, duke inkurajuar artin për masat e gjera të popullit.
Në vitet ‘70 të shekullit XX, u çelën degët e shumta për aplikimin e artit në fusha të ndryshme. Në një nga të parat atelje të degës së pikturës monumentale në ILA, Tiranë, spikati dhe përcaktimi  i prirjeve të Josifit drejt mozaikut. Këto atelie drejtoheshin nga piktorë të shquar dhe të edukuar më së miri në botën socialiste të asaj kohe por, asnjeri prej tyre nuk e pati bërë kauzë të vetën  lëvrimin e kesaj gjinie.

Mund të them me plot gojë që Josifi, Agim Nebiu, Gavril Priftuli, Nikolet Vasia e ndonje tjetër, janë krijuesit e kësaj gjinie në një stad bashkëkohor. Por veçmas mund të shtoj që Josifi jo rastësisht rezulton si “lundërtari” i madh dhe më i rëndësishëm në detin e këtij arti  qielltokësor si është mozaiku. Me veprat e panumurta brenda dhe jashtë vendit ai jo vetëm që ka realizuar vetveten por me realizimin e Kupolës në Katedralen e Tiranës ka shënuar një kryevepër në nivel Ballkanik e me gjerë. E thënë shqip, mundi dhe talenti i tij është shpërblyer tashmë me të qënin mjeshter dhe profesor, ndonëse i pa shpallur prej institucioneve të shtetit tonë ashtu si vepra e tij e meriton.
 
Arti i Josif & Liljana Droboniku dhe laboratori "ArbërArt"
Ndoshta ky është laboratori i parë i këtij lloji në Shqipëri, i krijuar në Itali, në  Kalabri prej  Drobonikëve. Ata konsiderohen artistët e mëdhenj të mozaikut në Kalabri - Itali, për shkak të veprave të panumurta në gjinitë e ndryshme të artit Bizantin Ortodoks të shprehur në mozaikë, ikona, ikonostase dhe vepra të tjera të ekzekutuara në mjedise publike dhe urbane. Ajo që në Itali është i dhënë me të drejtë, titulli "mjeshtër"             
(Maestro), sigurisht do të ishte e mirëpritur dhe në vendin e tyre të lindjes,në Shqipëri. Ky titull i munguar do të inkurajonte dhe më shumë këtë art të madh publik dhe turistik.

Kam ndjerë një emocion të madh teksa vizitova, para disa muajsh, një kishë në Fshatin Arbëresh të San Cosimos, në Kalabri, ku njoha dorën mjeshtërore të Drobonikëve - Lilianës dhe Josifit, në një pagëzimore të dekoruar me mozaikë të imët e plot ngjyra. Isha i bindur për stilin e pangatërushem të shokut tim që në vitet shkollore e studentore, ndonëse nuk kisha informacion që Josifi e Liliana kishin punuar në atë kishë. Kur ja tregova Josifit, ai qeshi dhe më tha se ajo që kisha parë ishte një pikë uji në detin e artit të tij. Dhe unë kam punuar mozaikë, por, kursesi nuk guxoj ti quaj identitetet e mia, por I konsideroj ato punime vetëm pjesë shtesë të artit tim. Gjithsesi e admiroj veprën e mikut tim Josif dhe Liliana pasi, një gjysëm mozaiçist, tronditet kur shikon një vepër të plotë të thellë, “të rëndë” dhe mjeshtërore të shtrirë në disa dekada mes Italise dhe Shqipërisë. Arti i Dobronikëve dhe Laboratorit të tyre “ArbërArt” synon të unifikojë, sikundër dhe dy kishat e mëdha të Krishtera në një unitet të vetëm në jo vetëm besimin e përbashkët por dhe në art. Megjithë kanunet e rrepta të Artit Bizantin, këta artistë me Laboratorin “ArbërArt” po ja mbrrijnë të unifikojnë dhe emancipojnë nën dritën e sotme të diellit të fortë mesdhetar, “qelizat e lodhura” të një arti të vjetër.
 
*) Piktor, mozaiçist
            
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë