Për Mendi Kabashin, hyrja në politikë nuk është një kthesë e papritur. Ajo e sheh si vazhdim të një rruge që e nisi në moshën 17-vjeçare, kur zgjodhi uniformën ushtarake, dhe që sot e çon përpara një sfide të re: kandidimin për Këshillin Bashkiak të Mississauga, në Kanada.

“Zgjedhja ime është të vazhdoj në hapat e Mirushit dhe kjo zgjedhje është me Mirushin në mendje. Për mua është të vazhdoj trashëgiminë që ai la pas. T'i shërbesh njerëzve ka qenë pjesë e jetës së tim eti. Këtë dua ta bëj edhe unë”, thotë ajo në një intervistë me Ermal Qorin në emisionin 'Studio Live' në Report TV.

Vendimi për të hyrë në politikë, sipas saj, nuk erdhi rastësisht. Kabashi thotë se ka zgjedhur gjithmonë sfidat më të vështira.

“Duhet guxim. Më thonë shpesh si e more përsipër, ngaqë është angazhim i madh. Për mua është një kthim te rrënjët e mia, sepse shërbimin e nisa në moshën 17-vjeçare. Ushtria nuk është për këdo. Pasi mbaron ciklin ushtarak nuk kthehesh kurrë pas. Cikli 10-vjeçar që pata me menaxhimin e komuniteteve, projekte infrastrukturore dhe buxhete multimilionëshe, por mbi të gjitha kontakti i drejtpërdrejtë me komunitetet, më dha bindjen se këtë gjë mund ta bëj më së miri”, shprehet ajo.

Pas Akademisë Ushtarake në Modena, studimeve për drejtësi dhe punës si këshilltare ligjore në Ministrinë e Mbrojtjes, Mendi Kabashi ka nisur një kapitull të ri në Kanada, këtë herë duke kërkuar besimin e qytetarëve në politikën lokale.

“Unë nuk kam zgjedhur ndonjëherë rrugën e lehtë në jetë. Njeriu bën zgjedhje dhe për mua ka qenë të provoj veten çdo vit dhe të pranoj sfida”, shton ajo.