'Duam fitoren për kreun', Orges Shehi: Partizani s'është i plotë

'Duam fitoren për kreun', Orges Shehi: Partizani s'është i plotë

Orges Shehi, trajneri i Partizanit

Erzeni dhe Partizani përballen të dielë në orën 14:00 për raundin e 27-të në Superligë. Dueli do zhvillohet në "Arena Egnatia" të Rrogozhinës, me Erzenin dhe Partizanin që kanë objektiva të ndryshme.

Përpara ndeshjes për mediet foli Orges Shehi. Trajneri i Partizanit vendosi theksin te dëshpërimi pas eliminimit në Kupë, teksa kërkon kthesën.

"-Si e prisni ndeshjen ndaj Erzenit, pas eliminimit në Kupë?

Sigurisht pas asaj ndeshje në kupë hidhërimi ka qenë i madh, por në futboll ka dinamika dhe nesër vjen ndeshje tjetër, kompeticion tjetër që kërkon vlerësim maksimal. Duhet impenjim për t'u rikthyer edhe te rezultatet e mira. Për fat të keq grupi nuk është i plotë. Përpos mungesave që dihen do të mungojë Rrapaj sikurse kemi humbur edhe Mehmetin,ndërsa pjesa tjetër është e gatshme për ndeshjen e nesërme.

-Vështirësia për të motivuar ekipin...

Ne jemi të ndërgjejshëm që duhet të bëjmë maksimumin për t'u rikthyer te fitorja, duke mos menduar për atë që ka kaluar. Eshtë e dhimbshme, por ajo që ka ndodhur është fakt dhe duhet të përqendrohemi te ndeshja e nesërme. Pas ndeshjes, por edhe këto ditë te lojtarët mërzitja ka qenë prezente. Jemi munduar që ta kalojmë, të fokusohemi te ndeshja ndaj Erzenit dhe mendoj që të gjithë do të japin maksimumin për t'u rikthyer te fitorja.

-Rrapaj do të mungoj si pasojë e pezullimit?

Rrapaj do të mund të ishte prezent në ndeshjen ndaj Erzenit, pasi klubi do të paguante pjesën e mbetur të pezullimit. Ai dje ka munguar pasi ka qenë me temperaturë. Edhe sot shpresonim që ai të ishte në gjendje më të mirë shëndetësore. Mungesa e tij nesër është vetëm për arsye shëndetësore, pasi pezullimi është ezauruar dhe klubi ishte i gatshëm që të paguante për ta patur Rrapajn në fushë.

-Të dyja ekipet nesër vijnë pas 120 minutash të luajtura në Kupë. Mendoni se nesër ndeshja do të zgjidhet nga episodet?

Jemi koshient që futbolli vendoset nga episodet. Të dyja skuadrat kanë luajtur 120 minuta. Ne kemi një ndryshim, pavarësisht se kemi luajtur një ditë më përpara se Erzeni, kemi zhvilluar dy ndeshje në fushë sintetike, pra ngarkesa është akoma më e madhe. Këto ditë jemi munduar që të freskojmë skuadrën, por mendoj që për të dy ekipet lodhja do të jetë prezente.

-Statistikat tregojnë që Partizani vuan të fitojë në trasfertë?

Statistikat janë shumë larg. Ne kërkojmë që të fitojmë nesër për t’ju afruar kreut. Pas një fitore në kampionat dhe një eliminimi në Kupë kërkojmë që të rikthehemi te fitorja pa menduar statistikat si janë.

-Në dy përballjet e sezonit Erzeni dhe Partizani regjistrojnë nga një fitore...

Në këtë situatë ku jemi e përmenda që ne na duhet të rikthehemi te fitorja, pavarësisht se cilin kundërshtar kemi përballë. Ne kërkojmë të rikthehemi te fitorja për veten tonë", tha Shehi.

Pas 26 ndeshjeve të luajtura, Partizani me 43 pikë mban vendin e tretë, shtatë pikë më pak se Egnatia kryesuese. Erzeni me 26 pikë qëndron në pozitën e parafundit.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori