Milan dhe Inter luajnë nesër në 20:00 finalen e Superkupës së Italisë. Në stadiumin "King Fahd" në Riad të Arabisë Saudite, dy skuadrat do kërkojnë trofeun e parë sezonal. Para ndeshjes ka folur edhe trajneri i Inter, Simone Inzaghi.
"Ne e dimë sa e rëndësishme është kjo ndeshje dhe për më tepër që është një derbi. Kam dëgjuar që ka ndodhur vetëm 2 herë në historinë e këtij kompeticioni. Ne do të përpiqemi të luajmë një ndeshje të madhe në këtë sfidë kaq të rëndësishme. Mund të jetë derbi i hakmarrjes? E konsideroj si një trofe, të cilin e kemi këtu përpara nesh dhe jo të gjithë arritën të ishin këtu. Është vazhdimi i sezonit të shkuar dhe e dimë çfarë përfaqëson. Ne e fituam vitin e shkuar dhe duam që ta mbrojmë", tha fillimisht trajneri.
Inzaghi më pas ka vijuar të përgjigjet për humbjet kundër Milan këtë sezon dhe formën e Lukakut.
"Duam më shumë. Derbi është një sfidë speciale. Ne luajtëm shumë sezonin e shkuar. Ne fituam dhe humbëm në kampionat, fituam pastër në Kupë. Janë gjithmonë ndeshje speciale, të cilat vendosen nga episodet. Ne morëm një humbje të pamerituar këtë sezon. Në pjesën e parë Milani ishte superior, por në të dytën mendoj se Interi meritonte më shumë se humbja. Si është gjendja e Lukakut? Dje ai u stërvit pjesërisht me grupin. Shpresa ime është që ai të stërvitet pa ndjerë dhimbje. Nëse ai nuk rikuperohet për nesër, atëherë ne kemi shumë shpresa për sfidën e radhës me Empolin. Finalet janë ndeshje në vetvete. Ne do të përpiqemi që të luajmë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të përpiqemi mos të bëjmë asnjë gabim", tha Inzaghi.