Nga foltorja e Kuvendit, Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi tragjendinë e Durrësit, ku dy të mitur u vranë nga një shofer i dehur, si një moment që kërkon reflektim nga socialistë e demokratë bashkë. AI tha se përgjigja e autoriteteve duhet të jetë e menjëhershme dhe të ndryshohet Kodi sapo të jetë e mundur. Ai pati edhe një thirrje për Policinë e Shtetit që t’i bëjë shembull ‘të fortët e lagjieve” që sipas tij nuk duhet të kenë as patentë.

“Mbështes plotësisht nevojën që kemi për të reflektuar të gjithë, të majtë, të djathtë, socialistë e demokratë. Ngjarja e djeshme na kërkon që të fillojmë të kuptojmë si zbatohen ligjet tona. Shembulli që dha Braçja është kuptimplotë. Nëse ne mjaftohemi me heqjen e pikëve në patentë, kjo është e rëndë për ne. Prandaj, po diskutoja për këtë dhe me kryetarin e Komisionit të Ligjeve, teksa jemi në fazën e rishikimit penal, Gjykata e Lartë e SHBA-së, ka vendosur konceptin e vrasjes në kushtet e vetëbesimit të tepruar. Përgjigja jonë në këtë rast duhet të jetë e menjëhershme sapo të kemi mundësinë që të ndryshojmë Kodin. Kam edhe një thirrje për Policinë e Shtetit, e cila duhet të analizojë këtë rast me shumë vëmendje. Këta të ‘fortët e lagjeve’ duhen bërë shembull të gjithë, duhen kontrolluar mëngjes, drekë dhe darkë, dhe nuk kanë përse të kenë patentë” tha Balla.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Kuvend/ 1 minutë heshtje për 2 të miturit që u vranë në Durrës, Braçe: Është vrasje, të ndryshohet Kodi Rrugor! Zhupa: Kemi dështuar të gjithë