Armand Duka është rizgjedhur President i Federatës Shqiptare të Futbollit për herë të katërt. Votimi për Dukën ishte i hapur dhe unanim nga të gjithë delegatët. Në votim morën pjesë 64 delegatë nga 66 që janë gjithsej, Duka nuk mori asnjë votë kundër dhe abstenim.

Pas votimit Duka falenderoi të gjithë delegatët që e votuan duke deklaruar se objektivi i tij në mandatin e katërt është eliminimi i trukimeve dhe ndërtimi i stadiumit të ri në 2017. “Jemi të vetëdijshëm që infrastruktura çalon, por edhe pse kjo është përgjegjësi e një sërë organesh ne do punojmë që në katër vitet e ardhshme.


Federata Shqiptare Futbollit do të bashkëpunoj ngushtë me drejtuesit e pushtetit lokal dhe qendror për të rritur investimet në futboll dhe për të motivuar brezat e rinj që të bëhen pjesë e futbollit shqiptar. Objektivat e mi kryesor në këtë mandat do të jenë eliminimi i trukimeve dhe ndërtimi i stadiumit të ri deri në 2017” deklaroi ai.

Në asamblenë e përgjithshme u zgjodhën edhe emrat e rinj të Komitetit Ekzekutiv. Emrat e përzgjedhur pas votimit ishin Lufti Nuri, Bardhyl Minxhoni, Artan Hajdari, Arben Dervishaj, Edvin Libohova, Muhedin Targaj, Bardhyl Jera, Abdyl Kuriu dhe Vasil Bici ndërkohë që nuk u rizgjodhën pas një periudhë 12-vjecare, Bujar Kasmi, ish-zv/president i FSHF dhe Skënder Hyka.


Përsëritet filmi, Duka hipnotizon (ar)miqtë, bën poker

Sot në 09:00 në Tirana International do të zhvillohen zgjedhjet për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Komitetin Ekzekutiv. Puna për Asamblenë e Përgjithshme sipas të gjitha parashikimeve nuk do të jetë aspak e vështirë përsa i përket faktit që kush do të drejtojë futbollin shqiptar në katër vitet e ardhshme.

Armand Duka sot do të bëjë poker duke festuar mandatin e katërt radhazi në krye të FSHF. Duka do të garojë i vetëm në zgjedhjet e sotme për kreun e FSHF dhe gjithçka pritet që të jetë formale dhe të kalojë pa probleme. Deri më tani asnjë klub, përveç Flamurtarit nuk kanë dalë kundër Dukës.

Konfliktet e njëshit të FSHF me drejtuesit e Kukësit, Tiranës, apo edhe të ekipeve të tjera janë sheshuar plotësisht. Ndërsa labët vazhdojnë që të qajnë kampionatet e humbura përballë Skënderbeut duke fajësuar drejtpërdrejt favorizimin e tyre nga Duka. Përpjekjet sporadike të Kujtim Gjuzit për garuar përballë Dukës dështuan, pasi gjithçka u cilësua e paligjshme nga një komision në FSHF, që sipas të propozuarit nga ekipi i Tërbunit ishte krejtësisht i njëanshëm.

E ndërsa për Dukën nuk do të ketë garë, konkurrim do të jetë vetëm për Komitetin Ekzekutiv. Në garë për 9 vende në komitet janë 16 propozime. Lutfi Nuri, Bujar Kasmi, Skënder Hyka, Muhedin Targaj, Arben Dervishaj, Artan Hajdari, Abdyl Kuriu, Bardhyl Minxhozi, Vasil Bici, Fatbardh Jera, Artan Shyti, Sulejman Mema, Edvin Libohova, Artan Sallaku, Enkeleid Alibeaj dhe Ramadan Shehu do të jenë kandidatët zyrtarë për një vend në Komitetin Ekzekutiv.

Pjesa më e madhe e kandidatëve janë aktualisht pjesë e komitetit. Por kush do të votojë për zgjedhjet e FSHF? 66 janë votuesit që do të zgjidhin enigmat, shumica të zbuluara. 12 janë votat që vijnë nga ekipet e Superligës, 16 nga Kategoria e Parë, 25 nga Kategoria e Dytë. 4 vota nga shoqatat: Shoqata e Mjekësisë Sportive, Shoqata e Arbitrave, Shoqata e Trajnerëve, Shoqata e Minifutbollit. 8 votat e fundit vijnë nga rajonet futbollistike të Shoqatës së Futbollit Amator.