Çifti Staku, Lajde dhe Zef, tashmë kanë ndërruar jetë. Në mes librave, na kanë lënë edhe një si dëshmi të përbashkët, i vetmi si bashkautorë, që mban titullin “Përrallat tona”. Mesazhi i tyre si krijues është skalitur në parathënien e këtij libri, që mban datën 06.05.1972. Një mesazh i rrëfyer bukur e hijshëm përmes personazheve që “jetojnë” në fabulat e tyre të shkruara me dashuri e frymëzim. Do të thonim një rrëfim sipas modelit La Fonten, ku ata krijuan vargje të tillë, si te fabula “Breshka e kërmilli”, ku shpreheshin: “Qeshej kërmilli / hi-hi hi-hi, / kur vetë breshka / as vetë s’e di!.. // Gajasej breshka / ha-ha ha-ha, tue nga kërmillin / kurrë s’e kam pa!.. // Breshka as kërmilli / s’e njohin veten, por vetëm shokut / ia shohin t’meten”. (26.05.1965)
Në mes të tjerave, në parathënien e tyre të përbashkët, bashkautorët shkruajnë: “Kur t’i lexoni “Përrallat tona” ju do të vëreni, lexuesitt tanë, se ato janë të mbushura me pilivesa e milingona, karkaleca e kërmij, merimanga e bumballa, trumcakë e kanarina, kuaj e gomarë, e deri me plepa e lisa, kajsia e ftonj e shumë e shumë të tjerë drunj, insekte, zogj, kafshë e peshq. Këto janë personazhet, heronjtë e “Përrallave tona”. E, si ndodh në jetë, disa janë të mirë, disa janë të këqinj. … Pse na duam që ju lexuesit tanë të mirrni shembull të mirët; por duam edhe që t’i njihni të këqijët, të ruheni nga punët e tyre të poshtra. E jo vetëm të ruheni, por kryesisht të mos u ngjani të këqinjve n’asnjë mënyrë. Fjalën e keqe, përpiquni të mos e thoni kurrë; punën e fëlliqur të mos e bëni asnjëherë.”
Lajdja vinte nga një familje patriotike e Grudës
E kujtoj dhe tani shkrimtaren për fëmijë Lajde Staku (16.10.1929 – 24.12.1992), apo teta Lajden siç i thoshnim ahere në shenjë nderimi dhe respekti. E kujtoj dhe tani ecjen e saj të ngadaltë, po ashtu të folurin që shoqërohej gjithherë me një qeshje e rrezatim buzëqeshjeje prej nëne. I kujtoj bisedat dhe këshillat e saj të urta. Ngjanin, vërtet, si përralla. Ende edhe sot më ndjek bardhësia e flokëve të saj, një bardhësi fisnike.
Lajdja vinte nga një familje patriotike e Grudës. Babai i saj, Preka kishte luftuar heroikisht përkrah Dedë Gjo’ Lulit në Deçiq. Përkrah të shoqit kishte qenë dhe Mara, e ëma e Lajdes. Ajo kishte ndihmuar luftëtarët, duke treguar akte guximi dhe trimërie.
Lajdja mbaroi shkollën fillore dhe të mesme pedagogjike në Shkodër dhe punoi edukatore deri sa del në pension. Gjatë kryerjes së detyrës për edukimin e fëmijëve në kopshte, atë do ta tërhiqte bota e tyre e bukur. “Kjo botë fëminore përshtatej mjaft mirë me prirjen për të shkruar, e që do të kompletonin Lajden, që po hynte në letërsinë për fëmijë si një krijuese e talentuar.” (Dibra, Zenepe: Bijat e Rozafës (Gra të shquara të hapësirës shkodrane), f. 327-329, Camaj-Pipa, Shkodër, 2004).
Si krijuese, Lajdja, në fillim bashkëpunoi me revistat për fëmijë e veçanërisht revistën “Fatosi”, ku botoi skica, tregime, vjersha, përralla, etj. (Grillo, Odhise: Lexikoni: Shkrimtarët shqiptarë për fëmijë (1872-1995), Botimet Enciklopedike, Tiranë 1997, f. 209). Në këtë revistë ajo ka 26 botime; në gazetën “Mësuesi” – 2, në revistën “Ylli” – 1, në “Shkodra” – 10, në revistën “Hosteni” – 12, në gazetën “Jeta e re” – 5. (Kastrati, Jup: Rruga 25-vjeçare e letërsisë në Shkodër, almanaku Shkodra, 1969, f.152). Disa nga vjersha të Lajdes janë bërë tekste këngësh, të cilat në shumë festivale të këngës për fëmijë kanë fituar çmime të para, si: “Përmbi shtregull kolovitem” (çmim i parë në Festivalin e parë të këngës për fatosa dhe pionierë); “Nënat tona”, (çmim i dytë në Festivalin e dytë të këngës për fatosa e pionierë). Nuk harrohet kënga e bukur “Hoplala, ulem ngjitem”, si dhe teksti i këngës së mirënjohur “Moj bubrrecë”, që këndohet edhe sot nga fëmijët, të cilat mbajnë për autorësi, emrin e shkrimtares Lajde Staku..
Lajdja u shfaq në letërsinë për fëmijë, pas viteve ’60. Si krijuese zgjoi interes. Krijimtaria e saj letrare i pati më shumë arritjet te parashkollarët. Ajo ishte edhe një edukatore model, e cila kishte zgjedhur këtë moshë për t’i bërë personazhe të librave të saj. Është autore e librave: “Një babagjysh dhe nëntë nipat e mbesat e tij (poemë) – Naim Frashëri, Tiranë 1968; “Ndodhinat e tre shokëve” (novelë) – Naim Frashëri, Tiranë 1971; “Shoqëria “Dallëndyshet” (novelë) – Naim Frashëri, Tiranë 1972 (e ripunuar, 1979, ribotim i tri pjesëve); (greqisht, për shkollat e minoritetit: 8 Nëntori, Tiranë, 1976); “Shoku – shokun ta ndihmojmë (poemë-përrallë) – Naim Frashëri, Tiranë 1976; si dhe bashkautore me të shoqin Zefin: “Përrallat tona” (fabula), Botim i qendrës “Drejtësi dhe Paqe”, Shkodër 2000.
“Dallëndyshet”, vepra më e arrirë e Lajde Stakut
Vepra më e arrirë e shkrimtares Lajde Staku, krahas përrallave, përrallëzave dhe tablove muzikore për parashkollarët, është novela Shoqëria “Dallëndyshet”. Është libër, ku autorja ka skalitur edhe fëmijërinë e saj. Është libër, ku gjurmët e romanit “Djemtë e rrugës Pal” të F. Molnar, duken qartë në përmbajtjen e kompozicionin e librit.
Ngjarjet e novelës datojnë në vitin 1939, dhe vendosen në një lagje karakteristike të Shkodrës, lagje ku shkrimtarja e njeh shumë mirë dhe me detaje. Janë një grup djemsh që bashkohen në shoqërinë me emrin e bukur “Dallëndyshet”. Autorja është një vëzhguese e hollë. I njeh dhe përshkruan bukur të gjitha veprimet e tyre që përputhen me moshën, natyrën dhe karakteret.
Jeta e kësaj Shoqërie ka një përkim interesant dhe traditë me shumë shoqëri diletante kulturore e artistike të Shkodrës, ku patën një cak nisjeje, zhvilluan veprimtaritë e tyre dhe u mbyllën me ardhjen e pushtimit fashist, pra, patën të njëjtin fat të hidhur si rrugëtimi i kësaj shoqërie me emrin e bukur “Dallëndyshet”.
Vepra ka një kompozicion solid. Mjediset mbartin ngjyra shkodrane. Mbartin psikologji. Personazhet ruajnë individualitetin e tyre. Autorja operon me një frazë të zgjedhur, leksik të pasur. Ngrohtësia e shpirtit të autores është kudo e shfaqshme. Vizatohen me plot detaje karaktere që të mbeten në mendje, si: Frani, Zeka, dhe mësuesi. Mendojmë që këto ishin disa vlera e arritje të shkrimtares Lajde Staku për novelën Shoqëria “Dallëndyshet”. Në historikun e novelistikës shqiptare mbetet një realizim dinjitoz i krijimtarisë dhe i talentit të shkrimtares Lajde Staku. Për këtë arritje të Lajde Stakut, shkrimtari Fatos Kongoli thoshte: “Novela “Shoqëria Dallëndyshet” e L. Stakut, që para ca kohësh u botua në variantin e plotë, është një nga krijimet më të bukura. Mbresat mbi të cilat është shkruar ajo janë të freskëta, ngjarjet janë dhënë plot patos e vërtetësi. Atmosfera e kohës vjen përmes faqeve të kësaj novele e gjallë, pa artificializma dhe sajime të sforcuara.” (Kongoli, Fatos: Mishërimi artistik i përmbajtjes në novelën për fëmijë, gaz. Drita 26.07.1981).
Zef Staku, përkthyesi i “Eugjeni Oniegin” të Pushkinit
E kujtoj dhe tani Zef Stakun (09.02.1922 – 20.04.2001). Fytyrmenduar, i kulturuar dhe erudit. Ndyshe nga Lajdja, Zefin e njoha më vonë. Edhe në të ecur i shndriste urtia. Fjalëpak. E pata të ftuar, shpesh, në emisione e mia artistike, kur isha gazetar në radio Shkodra. E pata disa herë radhazi. Më rrëfente “mundimet” e viteve, por dhe ligjëronte bukur e rrjedhshëm rreth përkthimit nga rusishtja e “Eugjeni Oniegin” të Pushkinit. Pastaj më tregonte se, pas daljes nga burgu punoi për shumë vite si punëtor në Fabrikën e Konservave, deri sa doli në pension. Pastaj më tregonte se asnjëherë nuk u shkëput nga krijimtaria letrare. “Që në rini u mora me shkrime, të cilat i botoja me emrin tim, ose me pseudonimin Himarjot Kelmendi.” – i kujtoj edhe tani këto fraza të tij, teksa i dridhej paksa zëri dhe padashur… i rrëshqisnin herëpashere ca pika loti.
Zefi lindi në një familje qytetare shkodrane. Që në rininë e tij u shqua për talentin letrar dhe formimin atdhetar. Tradicionalisht të parët e tij njiheshin brez pas brezi si qëndistarë të kostumeve kombëtare. Prej tyre Zefi trashëgoi shpirtin poetik dhe talentin prej shkrimtari. Njihet në Shkodër, si i riu që, më 20 korrik 1941, së bashku me një grup studentësh, hartoi protestën kundër Cordignanos. Më 7 maj 1942 botoi revistën antifashiste “Zani i Lirisë”, e para në llojin e vet në Shqipëri. Më vonë kjo revistë do të vazhdojë me emrin Grupi “28 Nandori” dhe më tej me emrin “Robni o Liri”. Në të tri këto revista, ai botoi poezi e artikuj me temë lirimin kombëtar. Qe dishepull i Mithat Frashërit, Lec Kurtit dhe mik i profesor Prenk Kaçinarit. Mbas luftës përjetoi pasojat e regjimit komunist, i cili e torturoi dhe e burgosi dy herë. Herën e dytë e dënoi me vdekje, dënim i cili iu kthye me 20 vjet. Mbas daljes nga burgu u martua me shkrimtaren Lajde Staku, me të cilën pati një bashkëpunim të gjatë. Njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja. Së bashku botuan vëllimin me përralla për fëmijë “Përrallat tona”. Ka lënë edhe disa vepra në dorëshkrim, origjinale dhe përkthime, të cilat, sigurisht, presin të botohen. Para se të vdiste Zefi i fali publikisht të gjithë ata që i kishin bërë keq, dhe la si amanet që në gurin e varrit të tij të shkruhej epitafi: “Kam një amanet o Perëndi, të lind sërish në Shqipëri”.
Lajde dhe Zef Staku, bashkëautorë në librin “Përrallat tona”
Ashtu pranë e pranë qenë në Jetë, ashtu pranë e pranë edhe në librin “Përrallat tona”, një libër me një problematikë të gjerë shoqërore adresuar fëmijëve. Me talentin e tyre u dhanë fëmijëve-lexues magjinë e krijimit të tyre. (“Përrallat tona”, është vepra e parë e botuar së bashku me shoqen e tij të jetës Lajden, e cila tetë vite më parë kishte ndërruar jetë.)
Në themel të librit “Përrallat tona” shfaqen dy dukuri: a) Kultura e njohjes dhe bagazhi i pasur informativ e shkencor. b) Aparati receptiv i komunikimit përrallor.
Në hapësirat e librit prej përralle lëvizin personazhe përrallorë, si: kafshë, shpendë, insekte (kandrra) me të gjitha karakteristikat e tyre. Autorët duke përdorur teknika të larmishme të shprehësisë, në çdo fabul na shfaqen befasi e përceptime të këndshme, pa rënë në përsëritje e në moralizime.
Duke parë këto përralla me natyrë fabulore, është e pamundur të mos vëresh mënyrën e komunikimit me fëmijët, njohjen e psikologjisë e botës së tyre, përcjelljen e mesazheve të vlerta. Gjithashtu, është e pamundur që në çdo faqe libri, të mos vëresh ëmbëlsinë e vargut, melodinë e gegnishtes, pasurinë e figurave, skalitjen e personazheve…, po mbi të gjitha zemrën e madhe dhe shpirtin e bardhë të Lajdes dhe të Zefit për t’u dhuruar fëmijëve: dashuri, këshilla të urta e dobiprurëse dhe ngrohtësi prindërore.
Thesari përrallor që na dhuruan shkrimtarët Lajde e Zef Staku janë pjesë e angazhimit e misionit fisnik në fushën e letrave shqipe për fëmijë. Ata në jetë dhe me krijimtarinë e tyre, tërë jetën respektuan moshën e njomë të fëmijëve; ndaj dhe do të kenë MIRËNJOHJE të përhershme nga lexuesit e vegjël, prindërit dhe brezat…
Shkodër, qershor 2019