Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule është shprehur dje për gazetën se po përgatiten emrat për kandidatë për anëtar të KQZ sipas ligjit nga kjo parti, si partia e dytë opozitare pas PS. Duke mohuar të ketë pasur sherr me PS, ai ka nënvizuar se megjithatë, PS dridhet dhe s'kryen rolin e opozitës sa herë që Berisha kërcëllon dhëmbët. Ndërkohë që për të nuk është e rëndësishme nëse duhet të jetë në koalicion me partinë më të madhe opozitare ose jo, mjafton që partia e dytë të jetë në opozitë me qeverisjen e vendit e në këtë pikë, PBDNJ është në opozitë. “PBDNJ, si partia e dytë në Kuvend nga pala e opozitës do bëjë propozimet e veta për anëtarë të KQZ, të cilat do të miratohen sipas ligjit.

Nuk ka pasur asnjë debat mes PBDNJ dhe PS për çështjen e koalicioneve dhe ne sipas ligjit kemi të drejtën e një anëtari në institucionin më të lartë zgjedhor. Ne jemi parti në opozitë, ndryshe nga PS e cila lëviz ndonjëherë dhe në pozitë, ku dridhet sa herë që kërcëllon dhëmbët Berisha. Ritheksoj ne do të bëjmë propozimet tona për të zgjedhur anëtarin e KQZ që na takon", deklaroi kreu i PBDNJ, Vangjel Dule. Koalicionet e bëra pas zgjedhjeve të para tre viteve, do të sjellin dhe përfaqësimin politik të dy partive politike në KQZ, përkatësisht të LSI të Ilir Metës, forca e dytë më e madhe në qeverisje pas PD së Berishës dhe PBDNJ e Vangjel Dules forca më e madhe në opozitës pas PS të Ramës. Para zgjedhjeve të qershorit 2009, partia e dytë në mazhorancë ishte PR, e cila ka ruajtur këtë rikonfigurim dhe në përbërjen e KQZ ku anëtar i saj është Klement Zguri.

Ndërkohë në kampin opozitar dhe PBDNJ i merr anëtarin PSD të Gjinushit, ku aktualisht është Pandeli Varfi. Pasi PSD s'ka asnjë vend në Kuvend pas zgjedhjeve të vitit 2009. Ndërsa Dule merr një anëtar të KQZ për shkak se vjen menjëherë pas PS me një deputet në konfigurimin e përgjithshëm të Kuvendit dhe në bazë dhe të Kodit të ri Zgjedhor i lind e drejta për të propozuar kandidatin e saj për anëtar të KQZ në përfundim të mandatit të institucionit më të lartë zgjedhor. Kodi i ri i përmirësuar Zgjedhor sërish e ka lënë në fuqi skemën e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ, duke parashikuar që partisë më të madhe në opozitë PS i lind e drejta të propozojë dy anëtarë. Ndërsa partia më e madhe në mazhorancë, praktikisht PD ka të drejtë të propozojë 2 anëtarë të KQZ.

Por situata komplikohet nëse PBDNJ s'hyn në koalicion me PS, ndërkohë që parti e dytë parlamentare s'është asnjë parti tjetër. Në këtë rast është tepër e vështirë të operohet, pasi në kushtet kur opozita ka vetëm deputetët e PS, ndërkohë që PBDNJ është partia e dytë në opozitë, në mungesë të një koalicioni me këtë të fundit, me sa duket do shfrytëzohet klauzola e nenit 15 të Kodit, sipas të cilit partia më e madhe e opozitës firmos dhe deklaron të gjithë kandidatët mes të cilëve mund të përfshijë 3 kandidatët e partisë më të madhe opozitare. Në këtë rast ekstrem shfrytëzohet shkronja "ç" e pikës 1 të nenit 14 të Kodit. "Anëtari i pestë i KQZ zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të shumicës. Anëtari i gjashtë i KQZ zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës. Grupimi propozues paraqet një listë me jo më pak se dy kandidatura për vakancën përkatëse. Kuvendit i paraqitet për votim lista e kandidatëve që ka siguruar numrin më të madh të nënshkrimeve mbështetëse të deputetëve të grupeve respektive parlamentare të shumicës dhe opozitës parlamentare, përfshirë dhe deputetët e dy partive më të mëdha të secilit grupim. Në rast se dy apo më shumë lista sigurojnë numër të njëjtë nënshkrimesh mbështetëse, të gjitha kandidaturat e përfshira në këto lista futen në votim", thuhet në Kod.

Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)