TIRANE - Humbja përballë Sllovenisë me rezultatin minimal 1-0 ka lënë një shije të hidhur te të gjithë shqiptarët, pasi ishte e pa merituar se erdhi përmes një loje shumë të mirë që të paktën duhet të mbyllej me një barazim, i cili ishte tërësisht i merituar për kuqezinjtë. Megjithatë sipas ish-futbollistit të talentuar të ekipit kombëtar, Klodian Duro shpresat nuk janë shuar për kualifikimin në kampionatin Botëror të Brazilit. “Nuk e meritonim humbjen në Slloveni, Islanda është finalja e edicionit, arritja në botëror kërkon profesionalizëm në të gjitha aspektet” shprehet Duro.

Duro, çfarë vlerësimi keni për paraqitjen e ekipit kombëtar në Slloveni dhe a ishte i drejtë rezultati?
Kombëtarja ka zhvilluar një nga ndeshjet më të mira këtë edicion të eliminatore në Slloveni. Ekipi ishte në gjendje shumë të mirë dhe ‘pushtoi’ fushën, por fati nuk ishte me ne, pasi shumë raste nuk u konkretizuan me gol. Mendoj se barazimi do të ishte rezultati i drejtë, por kjo ndeshje tregoi edhe njëherë se pse Handanovic jo më kot ka një pagë të tillë dhe luan te Interi.

Kombëtarja në pjesën e dytë luajti shumë më mirë, mos ndoshta De Biasi gaboi që nuk e nisi ndeshjen me Salihin?
Të njëjtën pyetje bëjnë të gjithë shqiptarët duke parë që me futjen e tij në lojë në pjesën e dytë ndryshoi gjithçka. Personalisht mendoj që privimi nga një futbollist si Hamdi Salihi në një ndeshje të tillë ishte gabim, pasi është sulmuesi më i mirë i kombëtares aktualisht.

Çfarë shkoi keq që humbëm raste pa fund para portës?
Jam shumë i bindur që nëse Kombëtarja nëse nuk do të kishte mbi supe presionin dhe ngarkesën që i vendosi media dhe opinioni sportiv duke e fryrë do të ishim më të qetë dhe nuk do të kishim gabuar. Madje nuk do të ishte çudi që ndeshjen do ta kishim fituar.

Ndeshja e radhës është përballë Islandës në transfertë, si e parashikoni?
Sigurisht që do të jetë një sfidë shumë e vështirë, pasi kundërshtari vjen i karikuar në maksimum pas barazimit dramatik, por të merituar në Zvicër. Në këtë moment Shqipëria ka më shumë se kurrë nevojë për profesionistë dhe psikologë të mirëfilltë që të ulen dhe diskutojnë me qetësi me futbollistët për të kaluar gjendjen e rënduar pas humbjes në Slloveni. Në Islandë nuk duhet të na ndjekë pas hija e humbjes në Lubjanë, duhet të zhvishemi nga ajo që ka ndodhur. Nëse shikojmë pas nuk do jemi në gjendje për të ecur përpara dhe mund të ndëshkohemi.

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të arritur në Botëror?
Mendoj që në ndeshjet e mbetura nëse marrim në cdo njërën prej tyre rezultat pozitiv besoj që mund të arrijmë vendin e dytë. Pse jo Shqipëria ka shanse reale që të presë një biletë për në kampionatin botëror. Dua të theksoj që cdo ekip që ka mbërritur në një botëror nuk ka qenë rastësi, edhe pse mendoj se kemi edhe shumë punë për të bërë nga ana profesionale shpresoj si të gjithë shqiptarët kudo që janë që Shqipëria të kualifikohet.

Si duket ndërthurja e të rinjve me senatorët në ekip dhe a është kjo kombëtarja më e mirë?
Nuk mund të them se kush është kombëtarja më e mirë, pasi kohët janë të ndryshme. Shqipëria ka qenë edhe herë tjetër shumë afër kualifikimit në botëror, por në metrat e fundit nuk kemi mundur të bëjmë hapin e madh. Përsa i përket grupit të futbollistëve që janë afruar mendoj se integrimi me pjesën tjetër të ekipi po bëhet me sukses duke premtuar për një brez të artë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.09.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)