DURRES- Nuk kanë të sosur hallet për familjen Arapi e cila 2 javë më parë humbi kryefamiljarin e tyre Agimin i cili mbeti i vdekur nga goditjet që pësoi nga vëllezërit Ekonomi pas një sherri me motive pronësie.

Bashkëshortja e Agimit,Vjollca thotë se nuk po arrin të çregjistrojë bashkëshortin e saj pasi skeda e vdekjes është plotësuar gabim nga mjeku ligjor. Në skedë mungon vendi se ku u gjend i vdekur Agim Arapi.

“Këtë të premte shkoj për të marrë skedën e vdekjes tek mjeku ligjor, dhe ai më jep një skedë që burri ka vdekur në mënyrë të menjëhershme dhe nuk i dihen pasoja, kurse e marr këtë letër dhe shkoj tek qendra civile për të bërë çregjistrimin e burrit dhe zonja Roza merr e lexon skedën time dhe më thotë që Vjollca nuk është e rregullt duhet të shkosh edhe një herë tek mjeku ligjor, si ka vdekur, ku ka vdekur, vrasjen ma ka dhënë prokurori por ky nuk thotë që ka vdekur”, tha Arapi.

Sipas bashkëshortes së viktimës ,ngjarja po deformohet me qëllim që autorët të përfitojnë nga drejtësia. Sipas bashkëshortes së Agim Arapit mjeku ligjor, ka plotësuar dy skeda vdekjeje. Njëra ku përcaktohet shkaku i vdekjes dhe tjetra ku thuhet se nuk dihen shkaqet e saj. Kjo e dyta, sipas saj, ka bërë që Jurgen Kurti të lihet i lirë.

“Të hënën shkoj tek mjeku ligjor, ma jep skedën, me mjete të forta e të mprehta. Këtu thotë vendi i ngjarjes, në shtëpi jo, institucion shëndetësor jo, të tjera ka shkruajtur një kryq. E marr këtë dhe shkoj tek Roza dhe thotë përsëri nuk është në rregull sepse duhet ta specifikojë kështu që edhe sot nuk u bë regjistrimi i kësaj skede. Shkoj sërish tek mjeku ligjor dhe i them ma specifiko dhe më tha unë ta kam vënë kryqin, ik andej mos hajde këtu mos më kërcëno, dhe siç duket kishte pirë dhe nuk fliste me mend e veta. Nuk dua ta ofendoj nuk dua të ngacmoj njeri por që të shkoj 5 herë për një skedë vdekje akoma për vrasjen e burrit tim edhe 5 ditë ka afat, duhet të paguaj dhe gjobë unë pastaj”, tha gruaja.

Me datën 11 prill, rreth orës 19:55 në lagjen Nr.1 të qytetit të Durrësit,në Bulevardin"Epidam" ,në një dyqan ushqimor, pas një konflikti për motive të dobëta, vëllezërit Kujtim dhe Konstandin Ekonomi sulmuan me grushta dhe sende të forta shtetasi Agim Arapi, 60 vjeç, duke e lënë të vdekur në vend. Sipas Policisë, palët janë konfliktuar me njëri- tjetrin për shkak të qerasë së papaguar nga ana e Ekonomëve sipas një marrëveshje që kishin me Arapin pasi tubat e ajrimit të picerisë së vëllezërve agresorë kalonim nëpërmjet pronës së këtij të fundit.