Gjatë vizitës në qarkun e Durrësit, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi është ndalur në një serrë organike, ndërtuar me një teknologji bashkëkohore. Për ministrin Peleshi, kjo serrë shërben si një model i një filozofie, që duhet ta ndjekë bujqësia shqiptare, duke kapërcyer nga një bujqësi mbijetese, në një bujqësi komerciale, e cila siguron të ardhura dhe mirëqenie të kënaqshme, për të kaluar më pas, në stadin më të lartë të bujqësisë moderne, me një teknologji bashkëkohore.

“Vitin e kaluar, ne e kemi mbyllur pra vitin 2017, me një rritje prej 20% të eksporteve bujqësore, krahasuar me vitin 2016. Shkaku, arsyet kryesore ishin pikat e grumbullimit dhe shtimi i sipërfaqeve të serrave. Për këtë arsye, pothuajse një e treta e gjithë skemës kombëtare, prej 20 milionë euro të këtij viti, do të shkojë në investimet për serrat. Ne japim grant deri në 50 % të vlerës të investimit, që e kthyer në terma nominalë do të thotë deri në 150 milionë lekë të vjetra për një hektar serrë” tha ministri.

a.m/shqiptarja.com