Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka vendosur masën e sigurisë "arrest në burg' për Alfred Gjinin, i cili akuzohet se ka shtyrë bashkëshorten drejt vetëvrasjes.

Ai u arrestua dy ditë më parë pasi bashkëshortja e tij, Anisa Gjini, 24-vjeç, u hodh nga ballkoni i vilës së tyre në Durrës, pas një sherri mes tyre, duke gjetur vdekjen.

Në seancën që u zhvillua ditën e sotme, prokurori Agron Gjana e ka akuzuar Alfred Gjinin për shtyrje në vetëvrasje të bashkëshortes së tij.

Ndërkohë, gjyqtari Petraq Curri e ka konsideruar të ligjshëm arrestimin e Gjinit, duke vendosur masë sigurie arrestin me burg pa afat.

Në dëshmitë e tyre pas ngjarjes së rëndë në Durrës, të afërmit deklaruan se nuk kanë pasur dijeni për konflikte mes çiftit të ri, të cilët kishin 1 djalë dhe jetonin në vilën 4 katëshe e cila gjendet në zonën ish-kënetës. Anisa, thonë fqinjët, punonte në një rrobaqepësi, ndërsa burri i saj Alfredi në ndërtim.

Ndërkohë nuk bëhen me dije të tjera detaje për të hedhur dritë mbi shkaqet e sherrit mes tyre që çoi të renë të ndërmerrte aktin ekstrem.