“Durrës Art”, punimet e 76 artistëve nga e gjithë bota në një ekspozitë

Këtë vit, Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit i Durrësit do të hyjë në një dimension të ri duke u shtrirë në një disipline tjetër artistike që është ajo e artit figurativ me të gjitha format e shprehjes së tij.

Ekspozita e Artit Figurativ "Durres Art" është çelur në Galerinë e Arteve Pamore "Nikolet Vasia" ku në ceremoninë e rastit ka marrë pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Kjo ekspozitë  do të qëndrojë e hapur deri më 14 Shtator, atëherë kur do të ulet sipari i edicionit të 7 të Durrës  International Film Summerfest. Kjo hapësirë e re në strukturën e festivalit të filmit është pagëzuar me emrin "Durrës Art" dhe është një platformë që i dedikohet profesionistëve dhe artdashësve.

Në këtë ekspozitë janë ekspozuar rreth 150 punime të 76 artistëve piktorë e skulptorë nga Shqipëria por edhe vende të ndryshme të botës si nga Franca, Norvegjia, Hollanda, Italia, Brazili dhe Kirgistani ku shumë prej këtyre artistëve do të jenë prezent në Durrës gjatë gjithë javës së festivalit jo vetëm për të ekspozuar punimet e tyre por edhe për të punuar disa piktura murale në qytetin e Durrësit.

Në ceremoninë e çeljes së ekspozitës kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako deklaroi se Durrësi është një qytet turistik ndaj Bashkia e Durrësit do të mbështesë gjithmonë artin dhe ta vërë atë në shërbim të qytetarëve dhe të vizitorëve të shumtë."Është një ekspozitë mjaft interesante që çelet në kuadër të festivalit të filmit, një ekspozitë ku ndërthuret kultura shqiptare dhe ajo evropiane. Por e veçanta e këtij aktiviteti nuk është vetëm ekspozita pasi artistët pjesëmarrës do të krijojnë vepra artistike në qytetin e Durrësit duke zbukuruar fasadat me pikturat e tyre murale si dhe do të krijojnë shumë skulptura duke i dhënë një imazh tjetër qytetit", tha Dako.

Ai shtoi se "ne do të vazhdojmë përherë e më tepër të mbështesim artin dhe kulturën sepse pa art dhe kulturë nuk mund të ketë zhvillim". Gjatë javës së festivalit, artistët do të shpërndahen në pikat më  atraktive të qytetit duke pikturuar muralet e tyre,  por  njëherazi artistët e rinj do të xhirojnë punët e artistëve dhe qytetin e Durrësit për të realizuar një film të shkurtër i cili do të marrë trofeun e tij në ceremonine e mbylljes për seksionin "Durrës Art, Biennale 2014
Kuratori David Kryemadhi u shpreh se ky aktivitet sjell një bashkëpunim të ngushtë midis artistëve shqiptarëve dhe evropianë.

"Është një aktivitet mjaft i veçantë ku ka një bashkëpunim të ngushtë midis artistëve shqiptarëve dhe evropianë që do të krijojnë vepra që i nevojiten Durrësit pasi arti shkruan historinë e njëkohësisht edhe historia shkruhet me art."

Ndërsa drejtoresha artistike e festivalit ndërkombëtar të filmit të Durrësit Anila Varfi shprehu kënaqësinë që në një dimension të ri të festivalit të filmit të mund të shihen edhe vepra arti të mjaft artistëve të talentuar që do të punojnë në Durrës.

"Ky qytet ka një mbiemër dhe ai është arti ndaj na takon të gjithëve ne që ta duam dhe përkrahim sa më shumë artin dhe unë jam shumë e kënaqur që në dimension të ri të festivalit të filmit të mund të shihni edhe mjaft artistë të talentuar që do të punojnë në Durrës duke krijuar vepra të shumëllojshme dhe dua të falenderoj në mënyrë të veçantë Bashkinë e Durrësit dhe kryetarin e saj për mbështetjen e madhe që i japin artit në Durrës."Në një kohë të dytë do të prodhohen kartolinat Durrësi qytet Arti. Ky seksion është nën drejtimin e kuratorëve David Kryemadhi, Xhuliano Ottaviani dhe koordinatores Besa Sejdini. Të gjithë bashkohen nën sloganin "Arti: mbiemri i qytetit tim"./ATSH/

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Meta jep porositë e fundit para Konventës: Të gjithë si Tedi Blushi! Ashtu bëhet opozitë