Durrës, 15 gusht /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Në territorin e qarkut të Durrësit gjatë dy muajve të fundit janë asgjësuar 53 mijë bimë narkotike cannabis sativa, bënë të ditur sot për ATSH-në burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut.
Sipas të njejtave burime, gjatë këtij periudhe janë evidentuar 47 raste të kultivimit të bimëve narkotike, kryesisht nga fshatrat e zonës malore të Cudhisë në rrethin e Krujës, ndërsa ka patur vetëm dy raste në Durrës dhe në Ishëm.
Kultivimi i bimëve narkotike ka qenë më i pranishëm në fshatrat Tapizë,  Mukje, Brret, Shqezë, Bruz, Kurcaj, Verjon, Nuaj, Barkanesh, Mafsheq, Buraj, Gramëz.
Vetëm përgjatë 15 ditëve të para të muajit gusht nga strukturat e policisë janë evidentuar në total 101 parcela me rreth 31.000 rrënjë bimë canabis sativa, thanë burimet. Autorët kanë përdorur për kultivim kryesisht  sipërfaqe toke pa pronar apo të shpyllëzuara, nënvizuan burimet e policisë. Kjo ka bërë që vetëm  për 7 nga këto raste autorët e kultivimit të jenë identifikuar; nga këta 4 janë arrestuar në flagrancë, 1 ndiqet në gjendje të lirë dhe 2 janë shpallur në kërkim.
Burimet shtuan se në vijim të kontrolleve të territorit, dje në fshatrat  Bruz Zall, Noje, Rancë e Kurcaj të rrethit Krujë janë evidentuar edhe 6 parcela të tjera me bimë narkotike, në total 860 rrënjë. Bimët narkotike u asgjesuan me djegie, ndërkohë që vijon puna për identifikimin e autorëve të kultivimit të tyre./i.v//a.ke/