DURRES - I duheshin lekë, ndoshta edhe për të ushqyer fëmijët. Por, kur nëna nuk ia ka dhënë, e ka goditur atë me dru në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. Ngjarja e rëndë është shënuar dje paradite, kur Mereme Pashai, 70 vjeçe është rrahur nga djali i saj, 49 vjeç. (Foto: Banesa ku ndodhi krimi)

Kështu, konflikti banal ka përfundur në një tragjedi në familjen Pashai, në fshatin Kullë të rrethit të Durrësit. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit kanë bërë të ditur, se 49-vjecari, i divorcuar dhe baba i tre fëmijëve, Lefter Pashai pas një debati verbal më nënën e tij Mereme Pashai 70 vjeçe, e ka qëlluar me mjetë të forta duke i shkaktuar edhe vdekjen. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme, në fshatin Kullë. Sipas të afërmve dhe fqinjëve të viktimës dhe autorit të vrasjes, Mereme Pashai dhe i biri jetonin në banesa të ndara, por që ishin afër me njëra-tjetrën. Megjihtëse nuk dihen ende shkaqet e vërteta të vrasjes, fqinjët e autorit tregojnë, se 49-vjeçari, prej disa kohësh kishte probleme mendore dhe këtë e dinin të gjithë. Disa fqinj të viktimës tregojnë, se Lefter Pashai është baba i tre fëmijëve dhe vetëm para një viti i kishte vdekur bashkëshortja. Pashai është shoqëruar në mjediset e Komisaratit të Policisë së Shijakut, ku po merret në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqësore dhe prokurori i çështjes.

Sherri në familje duket se ka ndodhur për arsye financiare. Kur gjendej ngushtë, 49-vjeçari i kërkonte lekë nënë së tij. Por, duket se jo gjithmonë ajo i jepte. Edhe dje, sipas dëshmive të fqinjve, ai dyshohet se kishte shkuar në shtëpinë e nënës për t’i kërkuar lekët e pensionit, që ajo e kishte tërhequr dje nga banka. Por, duket se nëna nuk i ka dhënë lekë të birit, atëherë ky i fundit, në momente nervozizmi, kishte marrë një dru dhe e ka goditur në kokë 70-vjeçaren, duke e lënë të vdekur në vend.

Ndërsa sot e moshuara do të përcillet për në banesën e fundit, ndërsa djali i saj do të qëndrojë në burg, në mëshirë të fatit duket se kanë mbetur tre fëmijët e Lefter Pashait. Me nënën të vdekur para një viti, gjyshen dje dhe babain në burg, rritja e tyre do të jetë një problem i madh. Për momentin, për të miturit po kujdesen të afërmit e tyre.

Lajmi u perditësua

(sg/shqiptarja.com)